Cock-Robin - www.pixabay.com

Druri transparent për zëvendësimin e xhamit

Studiuesit në Universitetin e Maryland (SHBA) arritën në mënyrë laboratorike të shndërrojnë drurin në një material transparent të ngjashëm me xhamin.

Foto: Q. Xia, Universiteti i Maryland / Shërbimi Pyjor USDA

Druri transparent është një fenomen relativisht i ri. Fillimisht për të është raportuar në vitin 2016, kur studiuesit në Institutin Mbretëror KTH në Suedi zhvilluan një metodë që parashikonte heqjen e ligninës nga pareti qelizor i drurit, duke e konsideruar atë si përbërësin kimik bazë që bllokon depërtimin e rrezeve të dritës.

Megjithatë edhe pse kjo është një metodë efektive, lignina në dru është gjithashtu elementi që i jep drurit fortësinë karakteristike. Për më tepër, heqja e ligninës kërkon sasi të konsiderueshme kimikatesh dhe procesi nuk është i mundur të kryhet në mënyrë uniforme dhe homogjene në të gjithë murin qelizor.

Eksperimenti i ri i zhvilluar nga studiuesit në Universitetin e Maryland (SHBA) zvogëlon sasinë e kimikateve të nevojshme dhe lë pjesën më të madhe të ligninës të paprekur.

Procesi është relativisht i thjeshtë. Studiuesit aplikojnë në dru me trashësi 1 mm, peroksid hidrogjeni (H2O2), i përdorur zakonisht për të dekoloruar flokët. Më pas e ekspozojnë atë në dritën UV, e cila mund të jetë ose një llambë UV ose e lënë në ambient të jashtëm me diell. Ky proces largon grupet kromofore të ligninës, duke bërë që ngjyra e drurit të ndryshojë nga kafe në të bardhë. Për shkak se kimikati aplikohet me furçë, procesi lejon krijimin e vizatimeve të ndryshme në dru.

Druri i trajtuar zhytet në etanol për 5 orë për të hequr të gjitha kimikatet e mbetura dhe më pas transferohet në toluen në mënyrë që të largohet etanoli nga druri. Në fund, materiali imprenjohet me rezinë epokside nën vakum për 1.5 orë para se rezina epokside të polimerizohet plotësisht. Materiali tashmë i bardhë, është bërë optikisht i tejdukshëm dhe duket si xham, por me forcën dhe fleksibilitetin e drurit. Materiali që rezulton pas këtij procesi, lejon të kalojë 90 përqind të dritës së dukshme.

Studiuesit përdorën kryesisht dru balsa, por studimi nënkupton se lloje të tjerë drurësh mund të përdoren gjithashtu. Druri transparent mund të realizohet nga druri natyral i prerë si në mënyrë tërthore ashtu dhe gjatësore.

Druri transparent mund të ofrojë një alternativë të mirë për xhamin e dritares. Ai është më i lehtë, më pak i prirur për t’u thyer dhe ka veti izoluese më të mira. Kjo e fundit veçanërisht, është e rëndësishme pasi dritaret janë një nga burimet kryesore të humbjes së nxehtësisë në ndërtesa. Përveç kësaj, prodhimi i drurit transparent merr më pak energji sesa prodhimi i qelqit, sepse nuk kërkon aplikimin e temperaturave të larta.

Përdorimin e drurit transparent, mund ta orientojmë për aplikim në ndërtesa të bëra tërësisht nga druri, përfshirë këtu edhe dritaret.

 

Prof. Dr. Entela Lato, Dr. Holta Çota
Departamenti i Industrisë së Drurit, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

Na Ndiqni në: