Domatja e Sanjollasit

Domatja e Sanjollasit

Njihuni me domaten e Sanjollasit, kultivari i cili mendohet se origjinën e ka nga Stambolli. Kjo lloj domateje i përket species “Solanum lycopersicum L’’. Në Shqipërinë juglindore, kryesisht në Kolonjë e në Korçë, njihet e kultivohet prej më shumë se 150 vjetësh. Kjo domate është një bimë me masë gjethore të dendur, lulëri të thjeshtë, ka 4-6 fruta në lulesë, fruta të rrumbullakët me ngjyrë të kuqe, tulore, e ëmbël e me shije të veçantë dhe me peshë mesatare 220 – 250 g. domatja e Sanjollasit është kultivar me cikël mesatarisht të gjatë. Mbillet në fushë nga fundi prillit deri në fund majit dhe vjelja e prodhimit fillon në korrik për të vijuar deri në tetor. Përsa i përket rendimentit të këtij produkti, arrin në rreth 35 -40 kv/dynym. Kjo lloj domateje ka disa veçori pozitive ndër të cilat; ka qëndrueshmëri të mirë ndaj vrugut (Phytophthora infestans (Mont) de Bary) dhe temperaturave të ulëta. Kultivohet në zona të larta, mbi 400 m mbi nivelin e detit dhe jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Gjithashtu ka edhe veçori negative siç janë: Në vite të veçanta, në kushte me lagështi ajrore, frutat kanë plasaritje të lehta radiale.

Domatja e Sanjollasit përdoret gjerësisht për sallata dhe gatime të ndryshme por edhe për përgatitje të salcave dhe turshive. Në disa fshatra përdoret edhe si domate e tharë, për konsum dimëror. Preferohet për konsum në familje dhe për treg. Përveç benefiteve që ka ky kultivar për të gjithë ne, për të ekziston edhe rreziku i zhdukjes pasi me futjen e farërave të importit, po mbillet pak dhe vetëm në kopshtet familjare.

Instituti i Resurseve Gjenetike

Na Ndiqni në: