Dita Ndërkombëtare e Maleve u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 11 dhjetor të vitit 2003, pas shpalljes së Ditës Ndërkombëtare të maleve nga ana e OKB-së në vitin 2002, ditë që vuri në dukje nevojën e ndërgjegjësimit të vazhdueshëm mbi rëndësinë e maleve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit të tyre për të ruajtur cilësinë e jetës së njerëzve.
Ishte Organizata e Kombeve të Bashkuara ajo që caktoi 11 dhjetorin, që nga viti 2003 e më pas, si “Dita Ndërkombëtare e Malit.” Ky vendim rezultoi nga suksesi i Vitit Ndërkombëtar të Maleve i organizuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2002, i cili rriti kujdesin global lidhur me rëndësinë e maleve, stimuloi krijimin e komiteteve kombëtare në 78 shtete dhe forcoi aleancat mes tyre nëpërmjet nxitjes e krijimit të Partneritetit Ndërkombëtar për zhvillim të Qënësishëm në Rajonet Malore, i njohur ky si Partneriteti Malor. FAO ishte caktuar si agjensi koordinuese dhe udhëheqëse për Vitin Ndërkombëtar të Malit dhe ka mandatin për të udhëhequr për çdo vit përkujtimin e Ditës Ndërkombëtare të Malit.
Në botë rreth një e katërta e relievit është e mbuluar nga malet dhe në to jeton rreth 10 përqind e popullatës. Në Republikën e Shqipërisë dy të tretat e territorit janë të mbuluara nga malet dhe disa komuna shtrihen tërësisht në terren malor. Në to, popullata siguron burimet e jetesës për vehten si dhe kontribon në ekonominë kombëtare me ato burime natyrore që janë të tepërta për to.
11 Dhjetori është dita që të kujtojmë së bashku se jo vetëm pemët, uji, mineralet, e të tjera lëndë e gjallesa të prekshme, janë burime jetese për banorët e vendeve malore të vendit tonë. Sot edhe soditja e tyre është vlerë e jetës sonë sepse për shumë njerëz, turistë e dashamirës të natyrës dhe argëtues në natyrë, kalimi i kohës së lirë në mënyrë aktive në gjirin e saj është burim frymëzimi, është çlodhje fizike dhe kënaqësi emocionale, është mundësi për të ripërtërirë forcat fizike e mendore për punë e jetë të shëndetshme. Duke patur parasysh këtë fakt, është me vlerë të kujtojmë se çdo argëtues në natyrë duhet të ketë për çdo çast parasysh mënyrën se si sillet ndaj saj, si të kujdeset se si ta mbrojë atë.
Për çdo vit Dita Ndërkombëtare e Malit përkujtohet me një temë të caktuar. Institucione të ndryshme trajtojnë këtë temë nga njëri vit në tjetrin sipas temës së vitit, kurse argëtuesit e përkujtojmë këtë ditë gjithnjë si dashamirës të natyrës, pra e përkujtojmë atë kryesisht në temën e turizmit. Turizmi, industria ma e madhe botërore, është kthyer në një burim parësor të ardhurash për shumë vende malore. Ai sjell para (kesh) në afate kohore të shkurtra duke ndihmuar ndjeshëm banorët e vendeve malore, të cilët mesataraisht, si në mbarë botën edhe në vendin tonë, kanë të ardhura të ulta. Dhe të mos harrojmë se në afate të largëta, një turizëm i pakontrolluar, mundet të shkaktojë dëme të pariparueshme ndaj mjedisit. Le të jemi përkrahës të një turizmi të kontrolluar në natyrë!
Le t’i organizojmë argëtimet tona në natyrë duke lënë një ndikim negativ të pandjeshëm në mjediset dhe në kulturën lokale, kudo ku shkojmë!
Malet janë arenat më madhështore të argëtimeve në natyrë. Skiimi, ngjitjet e majave të maleve, kacavarja në faqe shkëmbore, maratonat malore, etj., mundësojnë forma nga më të ndryshme të turizmit malor.
Nëse malet mbikqyren dhe shfrytëzohen me kriter, turizmi malor mund të ketë një rol të shquar në vënien në dukje dhe mbrojtjen e kulturës tradicionale si dhe krijimin e nxitësve për mbrojtjen e ekosistemeve, prodhimeve si dhe shërbimeve që ofron popullata që jeton në to. Dita Ndërkombëtare e Malit 2016 rekomandohet nga OKB të sigurojë një mundësi për të ndriçuar llojshmëritë dhe pasuritë e kulturave të komuniteteve malore, të përkrahë e mbështesë shumëllojshmërinë e idenditeteve malore e të sigurojë që të drejtat e banorëve vendas të merren parasysh dhe jetesa e prodhimtaria artizanale të vazhdojnë.
Ndërkohë që kultura malore është tema e caktuar nga OKB për vitin 2016, ajo sugjeron që shtetet, komunitetet dhe organizatat janë të mirëpritura të festojnë Ditën Ndërkombëtare të Malit nëpërmjet zgjedhjes së një teme tjetër e cila mund të jetë më e përshtatshme për to.
Dhe sigurisht që për vendin tonë Dita Ndërkombëtare e Malit duhet të jetë një ditë përpjekjesh të mënçura për të mbrojtur malet dhe natyrën malore, për të shtrënguar pushtetarët dhe ligjvënësit që të mbrohen parqet kombëtare, zonat e mbrojtura, ekosistemet në natyrë. Nuk mund të ketë jetë normale për malësorët nëse nuk mbrohen malet dhe natyra malore. Nuk mund të ketë turizëm sot e në perspektivë nëse nuk mbrohen për çdo ditë malet dhe natyra malore.
Shqipëria, nëpërmjet MADA (Agjensia e Zhvillimit të Zonave Malore, tashmë e mbyllur), por edhe organizatave të tjera, është bërë pjesë e iniciativave ndërkombëtare si Euromontana, etj, me të cilat duhet të rritet akoma më tej bashkëpunimi dhe të ndërmerren iniciativa të përbashkëta.
Malet jo vetëm që sigurojnë furnizimin dhe mirëqenien e 720 milionë njerëzve në male nëpër botë, por në mënyrë indirekte prej tyre, përfitojnë miliarda më shumë që jetojnë në zona urbane.
Praktikisht, malet sjellin ujë të pastër, energji dhe ushqim- burime që do të jenë gjithnjë e më të pakta në dekadat e ardhshme.
Sidoqoftë, malet gjithashtu kanë shkallë të lartë të varfërisë dhe janë jashtëzakonisht të prekshme nga ndryshimet klimatike, shpyllëzimet, degradimet e tokës dhe fatkeqësitë natyrore.
Mbetet sfidë, identifikimi i mundësive të reja dhe të duhura që mund të sjellin përfitime për të dyja të dyja, komuniteteve malore dhe atyre në ultësira dhe që mund të çrrënjosnin varfërinë pa kontribuar në degradimin e ekosistemeve të brishta malore.
Pavarësisht masave të marra, shihet që në tre dekadat e fundit në vendin tonë ka patur dëmtime mjaft të dukshme të maleve (bimëve dhe pamjes natyrore/landscape), si nga shkaqe natyrore ashtu edhe nga ndërhyrjet njerëzore.
Zef Gjeta