Bizelja e Voskopojës – një specie e neglizhuar dhe e pashfrytëzuar
Familja e bimëve bishtajore (Fabaceae) është ndër më të mëdhatë dhe e përhapur thuajse në të
gjitha kontinentet, e përfaqësuar me rreth 650 gjini dhe mbi 18,000 specie. Shumë prej bishtajoreve
tradicionale evropiane, si qiqra (Cicer arietinum L.), thjerrëza (Lens culinaris Medik.), koçkulla (Vicia
sativa L.) dhe bizelja (Pisum sativum L.), e kanë origjinën nga Lindja e Afërt, por kjo e fundit ka edhe
një qendër dytësore në rajonin e Mesdheut. Ndonëse bizelja është zbutur dhe ka hyrë në kultivim
rreth 10000 vjet më parë, përfaqësues të saj ende mund të gjenden në natyrë, sidomos në Mesdhe.
Taksoni i vetëm i egër ose gjysmë i egër është bizelja e egër/foragjere, Pisum sativum L. subsp.
elatius (Bieb.) Aschers. et Graebn. [sin. Pisum sativum subsp. arvense (L.) Asch. & Graebn.; Pisum
arvense L.], që gjendet ende në rajonet jugore të Ballkanit. Ajo është një nga llojet prioritare të të
afërmve të egër të bizeles së kultivuar (Pisum sativum L.), dhe përbën një burim gjenetik të
rëndësishëm për përmirësimin e saj, para së gjithash për qëndrueshmëri ndaj dëmtuesve,
sëmundjeve dhe thatësisë.
Në Shqipëri bizelja e egër ka ekzistuar në natyrë, kryesisht në zonat kodrino-malore. Madje në
vitin 1983 ajo filloi të kultivohet si bimë foragjere në zonën e Voskopojës (Korçë), me material faror
të përzgjedhur nga flora e egër e rritur, në ngastrat e grurit dhe thekrës, si bar i keq. Në vitet 1989-
1990, sipërfaqja e mbjellë me këtë bimë arriti rreth 250 ha në Voskopojë, ndërsa në rrethin e Korçës
thuajse 2000 ha. U bë bimë me interes për blegtorinë, sepse u arrit të merren prodhime prej rreth
300 kv/ha masë të njomë, 40-50 kv/ha bar i thatë dhe deri 10 kv/ha kokërr. Meqë fillimet i kishte në
Voskopojë, u emërtua bizelja foragjere “Voskopoja”. Pas viteve 1990 sipërfaqja e kultivuar u ul
ndjeshëm; tashmë nuk kultivohet dhe po humbet si specie.
Me misionet për gjurmimin, identifikimin dhe koleksionimin e kultivarëve të vjetër lokal
(landrace) të bimëve, të zhvilluara në rajonin e Korçës, në periudhën 2023-2024, ne arritën të gjejmë
dhe koleksionojmë bizelen “Voskopoja”. Tashmë ajo pjesë me vlerë e koleksionit bazë në Bankën
Gjenetike të Bimëve, Tiranë.
Disa karakteristika morfologjike dhe vlera përdorimi të bizeles së Voskopojës:
Dallohet për kërcell mjaft të zhvilluar, zvaritës ose të shtrirë, të thjeshtë ose të degëzuar,
cilindrik dhe bosh përbrenda, me gjatësi deri në 2 m. Karakteristikë dalluese janë ndajgjethëzat e
mëdha, të përbëra nga dy pjesë, deri në 80 mm të gjata dhe 40 mm të gjera që dalin në pikën e
takimit të bishtit të gjethes me kërcellin; ato kanë formë zemre, me dhëmbëzime në bazën e tyre,
kanë ngjyrë të gjelbër deri të gjelbër në blu, që mbështjellin kërcellin për gjysmë. Gjethet janë
çiftpendore me loze në majë, me 2-3 ose 4-6 çifte gjethëzash, deri në 6 cm të gjata, 3,5 cm të gjera,
të zgjatura dhe pak të dhëmbëzuara. Lulet janë tipike fluturore, të veçuara dhe të vendosura në
grupe me 2-3 elementë në një bosht të përbashkët, me gjatësi deri 6-10 cm, 2-4 herë më të gjata se
ndajgjethet, dhe me bisht 2-3 cm të gjatë. Kupa e përbërë prej 5 nënpetlash të ngjitura, çifti i sipërm
më i madh se 3 të tjerët. Kurora e tipit pesësh, trengjyrëshe, ka petalin e madh flamurth në krye, dy
petalet të quajtura lundërza/krahë më të vegjël poshtë dhe brenda tyre dy petalet e brendshme të
quajtura karena. Flamurthi, që është pjesa më e madhe e lules, ka ngjyrë jargavani/trëndafili të
hapur me dellëzim me ngjyrë blu të hapur dhe i harkuar/gungaç në bazë, me gjatësi 23-25 mm dhe
gjerësi 34-35 mm. Dy petalet e brendshme (karena), pjesa më e vogël e kurorës, me ngjyrë të gjelbër
të çelur, të lakuara fort, rreth 12 mm të gjata, çiftëzohen dhe harkohen në formën e një filxhani të
rrafshët që përgjithësisht fshehin thekët dhe pistilin. Dy petalet e tjera të çiftëzuara, të cilat quhen
lundërzat/krahët, vendosen në të dyja anët e karenës dhe formojnë një kapuç rreth saj; ato janë me
ngjyrë vjollcë të hapët, me formë gati rrethore, me gjatësi deri 16 mm dhe gjerësi 15 mm. Frutat
janë bishtaja të drejta, 50-80 mm të gjata dhe 7–12 mm të gjera, të cilat hapen kur piqen. Numri i
farave është mesatarisht 6-8. Ato janë pak a shumë me formë të rrumbullakët, me diametër 5–6
mm, pak të shtypura në të dy anët, me ngjyrë bezhë të mbyllur deri në kafe të errëta, me pika ose
me lara, të lëmuara ose me pak push të imët.
Bizelja “Voskopoja” ka sistem rrënjor boshtor që shkon në thellësi të tokës dhe me degëzim të
madh. Masa kryesore e sistemit rrënjor shtrihet deri në thellësinë 50-70 cm, kurse rrënjë të veçanta
shkojnë deri në 1.5 m thellësi. Për këtë arsye bizelja e egër/foragjere shfrytëzon mirë lëndët
ushqyese dhe lagështinë në tokë, çka favorizon rritjen dhe zhvillimin e mirë edhe në tokat mbi ujë.
Farat janë të pasura me amidon të tretshëm (50%), sheqer të tretshëm (5%), kripëra minerale
(hekur, magnez, fosfor dhe zink), fibra dhe vitamina të ndryshme. Ato janë burim i mirë i proteinave
me vlerë për ushqimin e të gjitha llojeve të kafshëve.
Bizelja e egër/foragjere është njëvjeçare e sezonit të ftohtë. Në kushtet e klimës tonë ajo rritet
kryesisht në stinën e dimrit dhe përdoret si bimë foragjere për masë të njomë, për bar të thatë, për
silazh, për prodhim të kokrrës, por mund të përdoret edhe si bimë kullosore, madje edhe për
plehërim të gjelbër ose dhe kulturë mbuluese. Gjithashtu, është shumë e përshtatshme për
qarkullime bujqësore të kulturave njëvjeçare, madje edhe për bashkëshoqërime me kultura të tjera
jo bishtajore dhe si kulturë e ndërmjetme ose e dytë. Bizelja pasuron tokën me azot nëpërmjet
aftësisë fiksuese biologjike të azotit përmes baktereve Rhizobium dhe përmirëson strukturën e
tokës, prandaj ka rëndësi edhe në qarkullime bujqësore. Gjithashtu ajo parandalon erozionin e tokës
në një shkallë të lartë.
Bizelja e Voskopojës përshtatet mirë në zona me klimë të freskët dhe gjysmë të thatë dhe është
rezistente ndaj të ftohtit deri në minus 20-24 o C. Bimët janë tolerantë ndaj ngricave pranverore. Ajo
nuk pëlqen temperaturat e larta, rreth 30 o C në periudhën e lulëzimit, të cilat bëhen shkak për
shterpësi të luleve dhe uljen e prodhimit të farës.
Bizelja e Voskopojës përfshihet në bimët e nënvleftësuara dhe të pa shfrytëzuara të vendit
tonë. Për grupin e gjeneve që përmban, ajo meriton vëmendje dhe vlerësim të veçantë si burim
gjenetik i rrallë e tepër i vlerësuar në përmirësimin gjenetik të bimëve, për qëndrueshmëri ndaj
sëmundjeve, dëmtuesve dhe përshtatje ndaj thatësisë. Si specie e rrallë dhe në zhdukje, krahas
konservimit si material gjenetik, tek ne është me interes rikthimi i traditës së kultivimit të saj.
Prof. Dr. Robert Damo
Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, Fakulteti i Bujqësisë
Prof. Dr. Sokrat Jani
Universiteti Bujqësor i Tiranës, Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve