Biblioteka dhe Qendra të informacionit tekniko shkencor nëfushën e Bujqësisë

Prof.Dr. Tatjana Dishnica (Universiteti Bujqësor i Tiranës)

Pjesa e dytë nga  shtrim analitik iShërbimit informacionitbujqësor”ndër vite

Biblioteka e Universitetit Bujqësor të Tiranës , e emërtuar në vitin 2015, Biblioteka shkencore “Prof. Mentor Përmeti”, u krijua në vitin 1951, krahas auditorëve dhe kabineteve të Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës (ILB).

Pas vitit 1973, ajo mori atributet e Bibliotekës Shkencore dhe dy vite më pas, vendoset në ambientet e Pallatit të ri të Kulturës në ILB, duke marrë fizionominë e plotë të një institucioni me standarde unike. Realizonte marrëdhënie shkëmbimi e huazimi me institucione shkencore dhe biblioteka të huaja, brënda kornizave të kohës, duke qënë institucioni më i rëndësishëm i informacionit bujqësor në vëndin tonë.

Biblioteka e Institutit të Lartë Bujqësor (Vitet 70’-80’)

Biblioteka u mbështet në vitet ‘95 nga projektet SARA dhe GTZ, kryesisht në drejtim të kompjuterizimit të saj. Deri në vitin 1997, fondi i saj përbëhej prej me rreth 200,000 libra, revista, enciklopedi, diksionere (njësi biblotekare) etj. (Nga 136 të tilla në vitin 1951 dhe 80,000 në vitin 1976, arriti në mbi 250 mijë, vitin 1997.) Ndër vite, kjo bibliotekë , u vlerësuar ndër bibliotekat më të rëndësishme në Ballkan për llojin e vet. Bibliografitë korente e respektive, buletinet informuese dhe referuese, katalogët përmbledhës dhe punime të tjera informative për librin, periodikun shqip dhe të huaj krijonin hapësira për shfrytëzimin e informacionit lehtësisht nga përdoruesi (Brahushi, 2019).

Biblioteka shkencore 2022

Biblioteka shkencore pas shkatërrimeve të 1997

Viti 1997 shënoi një “masakër të vërtetë”, rrëqethëse dhe të pabesueshme, duke djegur gjithë fondin e bibliotekës, me vlera të pallogaritshme. Vjedhja përbënte një faj të rëndë, ndërsa djegia me egërsi ishte tërësisht një vepër kriminale që nuk u dënua kurrë.

Pavarësisht shkatërrimit të saj në vitet ‘97, me përpjekjet e stafit akademik dhe të punonjësve të tjerë, ajo u ringrit dhe vazhdoi të shërbejë si qendra më e rëndësishme e informacionit në fushën e bujqësisë (Ibro.V, 2020) . Në vitin 1999 u bë rikonstruksioni i saj, me financimin e Qeverisë Shqiptare, të fondacioneve, shoqatave, personave privatë, bibliotekave brenda e jashtë vendit etj. Biblioteka e UBT-së iu kthye normalitetit.

Biblioteka, ka aktualisht një fond (njësi biblotekare) prej 20,000 librash & rreth 10,000 volume periodike . Organizimi dhe funksionimi i saj është ndërtuar në përputhje me objektivat arsimorë e studimorë të Universitetit. Organizon shërbim ndërbibliotekar me vende të ndryshme të botës. Ofron shërbim për komunitetin e studentëve të UBT-së, për stafin akademik dhe administrativ, si dhe për kërkuesit shkencorë në fushën e bujqësisë. Ndër më të rëndësishmet salla të saj , është Salla e librit tekniko shkencor “Vasfi  Samimi”. Më lart, pamje nga ekspozita e vitit 2017, me librat më të vjetër të kësaj biblioteke, “Botime retrospektive 1899-1940”, në të cilën datojnë botime, që prej vitit 1899 Biblioteka ka hartuar edhe bibliografine online për kërkuesit shkencorë. (R.Bardhi. 2021).

Bibliotekat e instituteve kërkimore, megjithëse me traditë, për një sërë arsyesh, midis së cilave renditet kryesore mungesa e fondeve direkte, konsideroheshin mjaft të varfra dhe të parinovuara me botimet bashkëkohore, gjë që indirekt sillte edhe ndikimin e vet negativ në cilësinë e kërkimit. Mund të thuhet që baza e tyre, për një periudhë të gjatë, mbeten botimet e para viteve ‘90, me disa pasurime modeste me botimet e reja. Më vonë, megjithëse me një rritje fondi modest, i destinuar për t’u përdorur për pasurimin e bibliotekës, përsëri ishte e pajustifikuar mungesa e abonimeve të domosdoshme në buletinet dhe revistat e huaja, përgjegjësi kjo direkte e drejtuesve të instituteve, si edhe e strukturës menaxhuese në Ministri.

Qendra e Informacionit Agro-ushqimor, (ish-Shtëpia e Propagandës Bujqësore)

Historiku i kësaj qendre daton që në vitin 1970, me ngritjen e Shtëpisë së Propagandës Bujqësore, (SHPB) institucion në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, me drejtues të parë të saj Faik Labinotin. Pavarësisht se misioni i saj ishte transmetimi i njohurive dhe përvojave të suksesshme, në masën e gjerë të specialistëve, futja e termit “propagandë” edhe në fushën e botimeve bujqësore, pavarësisht qëllimit të mirë, tregonte më së miri edhe “dirigjimin” e regjimit në çdo fushë. Gjatë gjithë viteve të aktivitetit të saj janë botuar qindra libra tekniko-shkencorë, broshura, albume, si dhe Buletini i shkencave bujqësore dhe revista Bujqësia.

Në vitin 1992, fusha e ushqimit u përfshi në Ministrinë e Bujqësisëdhe emërtimi i Shtëpisë së Propagandës Bujqësore u ndryshua, duke u emërtuar “Qendra e informacionit për Bujqësinë dhe Ushqimin”, dhe më pas, një ndryshim tjetër, me emërtimin “Qendra e Informacionit dhe Formimit Agro-ushqimor”. Statusin e një drejtorie , kjo Qendra e mori në vitin 1998, “Drejtoria e Informacionit Agro-ushqimor”, dhe më pas “Drejtoria e Informacionit Bujqësor” (DIA), drejtuar nga Nezha.A, për një periudhë të gjatë.

DIA, në vitin 2004 u pajis edhe me shtypshkronjë, por që për një sërë arsyesh, kishte mjaft probleme në funksionimin e saj. DIA, një strukturë me rreth 30 punonjës, direkt në varësi të Ministrisë, funksionoi deri në nëntor të vitit 2006, pasi me V. K. M.-në Nr. 727, datë 1.11.2006 “Për Shkrirjen e Drejtorisë së Informacionit Agroushqimor (DIA)”, u vendos mbyllja e kësaj drejtorie. Mbi bazën e shkrirjes së DIA-s, u krijua sektori i informacionit, promocionit dhe medies, pjesë e Drejtorisë së Shërbimit Këshillimor, Shkencës dhe Informacionit Bujqësor, me 3 punonjës, i cili u angazhua kryesisht me botimin e revistës Bujqësia Shqipëtare, Buletinit të Shkencave Bujqësore, kronika, dokumentarë bujqësorë dhe promovimin e përvojave më të mira në fushën e bujqësisë.

Qendra e Dokumentacionit Shkencor në MBU, e hapur me ndihmën e Ambasadës Franceze. Fillimisht me një arsenal të pasur bibliografik, luante një rol mjaft pozitiv në informacionin bujqësor të botimeve të huaja. Me abonime të rregullta të periodikëve të 14 revistave në frëngjisht, 15 në italisht dhe 15 të FAO-s, kryente koleksionimin sistematik të botimeve që bëheshin në fushën e bujqësisë. Nëpërmjet shërbimeve që u kryente lexuesve (studim në sallë dhe fotokopjime artikujsh) ajo jepte ndihmesën e saj modeste, jo vetëm për punonjësit e MBU-së, të institucioneve kërkimore, universiteteve por edhe, për specialistët e interesuar të DBU-ve në rrethe. Mendoj se nuk ishte e drejtë  që kjo Qendër të mbyllej, me argumentin e nevojës për hapësira/ zyra ( Qendra ishte e vendosur në një sallë, në katin e dytë të MBU-së) , pasi vec tëtjerave, abonimet e revistave të huaja INRA, FAO etj vinin rregullisht. Pas mbylljes së saj, i gjithë dokumentacioni/inventari ,u mor në dorëzim nga Drejtoria e Informacionit Bujqësor (DIA).

Baza e të dhënave e çdo instituti

Në institutet kërkimore të sistemit të MBU-së funksiononte, regjistrimi i të dhënave të rezultateve të kërkimit për çdo projekt, por duhet thënë se ky regjistrim në mjaft raste, mbetej “pa jetë” dhe “në sirtar” . Në periudhën e implementimit të Projektit të shërbimit këshillimor kombëtar (ANEP III) u bë një hap pozitiv, dhe u punua për krijimin e një baze të dhënash kryesore të rezultateve të kërkimit, që mundësoi një qasje, ndonëse modeste, për aktorët e interesuar. Më pas, më 2012, u bënë përmirësime të ndjeshme (Rezultatet kryesore për çdo projekt, të përshtatura në një gjuhë të thjeshtë, botimet, broshurat, rekomandimet e teknologjive bujqësore të përgatitura nga kërkuesit e QTTB-ve u përfshinë në VERCON-like www.agro.al me qasje për të gjithë të interesuarit).

Qendra e informacionit dhe dokumentacionit shkencor teknik

Në vitin 1981 u ngrit qendra e Informacionit dhe Dokumentacionit Shkencor-Teknik, në varësi të Akademisë së Shkencave, në shërbim të të gjitha fushave të shkencës, që veç të tjerave, kishte përgjegjësinë për grumbullimin e informacionit shkencor dhe teknik, që u nevojitej institucioneve shkencore, përfshirë këtu edhe ato të fushës së bujqësisë. Në përbërje të kësaj qendre kishte edhe sektorë të analizës dhe përpunimit të informacionit.

Sistemi informativ në shkallë kombëtare

Ky sistem që kishte 6 elementë themelorë, midis të cilave rrjeti teknologjik, pika e kontaktit me publikun dhe baza e të dhënave, përbënte një ndihmesë në sistemin e informacionit të instituteve kërkimore në shkallë vendi. Pas viteve ‘90, Komiteti i Shkencës dhe Teknologjisë (KSHT) u ngarkua të ndjekë Projektin “Për organizimin e sistemit të informacionit në rrjet” në kuadrin e Programit PHARE, 1994 “Për veprimtari për kërkim-zhvillim” dhe Qendra kaloi nën varësinë e KSHT-së.

Qendra e Bujqësisë Organike (Biblioteka)

Qendra e Bujqësisë Organike (Biblioteka) u ngrit në kuadër tëPAB-Organic Agriculture Project INTERREG, Italy-Albania (2004-2006). Përfaqësonte një bibliotekë elektronike, si dhe libra, revista etj. Ajo konsiderohej në fushën e bujqësisë organike një rrjet informativ, sistem në ndihmë të vendimmarrjes për fermerët (Decision support system), Asistencë teknike on-line etj.

Inaugurimi i Zyrës së Bujqësisë Organike nga IAM Bari

Kjo qendër, me zyrë brenda MBU-së, krahas dhe në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Shkencës, ofronte një sërë shërbimesh në fushën e bujqësisë organike si informacione dhe këshilla, për transferimin e teknologjisë: afrimin e fermave organike në kontakte me qendrat e kërkimit, inovacione teknologjike dhe asistencë në fazën e realizimit të këtyre zgjedhjeve; informacion tekniko-shkencor, informacion për legjislacionin kombëtar e ndërkombëtar, teknikat e prodhimit, tregjet etj. Në vitin 2009-2010, u vendos të mbyllej për nevojë të hapësirave, duke u rikonceptuar si zyrë e zakonshme e një sektori të drejtorisë. Mbyllja e kësaj qendre, e vetmja e këtij lloji në vënd vetëm për arsye hapësirash, mendoj se ishte një veprim i nxituar dhe i padrejtë, aq më tepër që Bujqësia organike, si një fushë e re, po merrte një vëmendje të veçantë, sidomos për zhvillimin e agroturizmit në vendin tonë. Inventari i kësaj biblioteke modeste, botime, revista të huaja, CD etj, u ruajtën në mënyrë korrekte, por gjithsesi, tashmë ato mbetën të kyçura, me mungesë qasjeje për të interesuarit dhe për më tepër, me ndërprerjen e mbështetjes nga donatorë dhe largimin e  personave të specializuar, për të cilët ishte investuar ndër vite.

Në vitin 1997 u themelua Organic Agriculture Association (OAA), që shënoi edhe hapin e parë të bujqësisë biologjike në Shqipëri, iniciativë kjo që u mbështet nga disa donatorë si Avalon (Holandë), Instituti Zviceran për bujqësinë biologjike, USAID, kooperacioni italian etj. Aktorët kryesorë që punojnë për zhvillimin e bujqësisë organike janë: Instituti për Bujqësinë Biologjike (IBB), Shoqata Shqiptare e Marketingut dhe Albinspekt. Një rol shumë të rëndësishëm në këtë fushë ka luajtur dhe vazhdon të luajë ndër vite revista Bujqësia Biologjike, botim i IBB-së, ku kërkuesi dhe këshilluesi bujqësor/ekstensionisti, Prof. Dr. Enver Isufi do të një figurë e përkushtuar në këtë fushë .

Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë Gjithashtu mundësi tjetër e mirë për shkëmbimin e informacionit në fushën e bujqësisë kishte edhe një shoqatë modeste, me anëtarë të saj, gazetarë të apasionuar të fushës, si A.Nezha, Xh. Bashllari,V.Hoxha  etj, e quajtur Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë, 1994, me themelues Shefqet Meko, shoqatë kjo, që u antarësua, në Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Bujqësisë (IFAJ).

Filmi dokumentar bujqësor.

Duke pasur në konsideratë kufizimet dhe kornizat e kohës, një rol shumë të rëndësishëm, ndër vite, ka luajtur edhe filmi dokumentar bujqësor. Sektori i filmit për vetë natyrën e tij, konsiderohej ndër mjetet më efikase Fillesat e tij nisin me filmin dokumentar me titull “Katër nga të 4000”, të gazetarit, F. Memeli. U realizuan ndër vite mbi 100 filma dokumentarë në fushën e bujqësisë dhe u fituan disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Ministria e Bujqësisë ishte ndër të paktat Ministri që kishte një grup filmi. Në vitet ’80 ky grup kishte në dispozicion edhe një kamera profesionale Beta. Arkiva e filmit, megjithëse u ruajt për dekada, nuk u arrit të përditësohej ( proces i vështirë për t’u konvertuar, por që do të përbënte një kontribut të rëndësishëm në historikun e filmit dokumentar bujqësor)

Prof.Dr. Tatjana Dishnica

Na Ndiqni në: