Kushdo që ka mundur të vizitojë qytetin e Belshit apo edhe kujtdo që i ka ndodhur të kalojë atypari, është pak por e sigurtë që ka përjetuar dhe shijuar ndryshimin e madh që ka pësuar ky qytet i vogël, fare pranë kryeqytetit. Me një pamje tërësisht të re, Belshi ka tashmë një tjetër qasje për vizitorët dhe turistët. Këtë e konfirmon edhe Sekretari i Bashkisë Belsh, Mustafa Çarçiu ndërsa na tregon se institucioni ku ai punon, vijon punën pa ndalur për të përmirësuar edhe më tepër çdo sektor. Ai shpjegon se këto ndryshime janë mundësuar edhe falë fondeve të vëna në dispozicion nga FSHZH dhe qeveria shqiptare.
Nga një qytet thuajse i panjohur për turistë të ndryshëm, Belshi është kthyer tashmë në një destinacion turistik ku mund të shijosh panoramën e mrekullueshme natyrore që ofron zona e Dumresë. Risi për këtë qytet së fundmi janë bërë edhe bujtinat, një shërbim i ri për turistët, të cilat shtohen gjithnjë e më tepër, sigurisht duke respektuar planin urbanistik të bashkisë. Edhe agroturizmi po gjen gjithnjë e më tepër zbatim në këtë zonë.
Sekretari i Bashkisë Mustafa Çarçiu së bashku me drejtorin e Bujqësisë dhe Kadastrës, Denis Agolli, na tregojnë më tepër lidhur me planet dhe objektivat që ka bashkia në një sërë aspektesh të tilla si; përmirësimi mjedisor e në veçanti liqenet, përmirësimi i pyjeve dhe tokave djerrë, kulturat buqësore, menaxhimi i mbetjeve urbane dhe atyre inerte, trajtimi i mbetjeve organike, realizimi i një sërë projektesh që lidhen me agroturizmin dhe jo vetëm, bashkëpunimet e ndryshme me institucione dhe organizma të ndryshëm duke përfshirë edhe shkollat e mesme, rritja e nivelit të profesionistëve, kryerja e analizave të tokave dhe ujërave, përmirësimi i shërbimit hotelier etj.
Për të mundësuar efikasitet edhe më të madh në arritjen e rezultateve sa më të larta në disa nga objektivat që ka bashkia e Belshit, kjo e fundit nënshkroi pak kohë më parë një marrëveshje bashkëpunimi edhe me UBT-në.
Dy institucionet ranë dakort të bashkëpunojnë në fushën e bujqësisë, mjedisit, blegtorisë, akuakulturës, agrobiznesit, agropërpunimit, pylltarisë, në ruajtjen, menaxhimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të mjedisit, tokës bujqësore, pyjeve dhe liqeneve etj. Kësisoj UBT ofron ekspertizën akademike, shfrytëzimin sa më të mirë të informacionit shkencor, infrastrukturës funksionale dhe intelektuale të Universitetit Bujqësor në shërbim të Bashkisë Belsh dhe komunitetit të saj. Universiteti Bujqësor merr përsipër kryerjen e studimeve për rajonalizimin e kukturave bujqësore, studimin e nivelit të ndotjes së 84 liqeneve karstike të Dumresë dhe pasojat e tyre ne ujitjen e tokave, studimet mjedisore të zonës përgjatë lumit Devoll dhe hartimin e projektit për kthimin e tij në zonë kreative. Gjithashtu UBT kontribuon për bashkinë Belsh edhe me hartimin e projekteve për reabilitimin e kanaleve vaditëse dhe rezervuarëve ujitës në, hartimin e planit të menaxhimit të mbetjeve urbane me qëllim riciklimin dhe reduktimin e tyre si dhe hartimin e strategjive dhe studime për praktikat më të mira bujqësore në kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike. Arif Tafani, kryetar i Bashkisë Belsh e cilësoi marrëveshjen me UBT-në mjaft të rëndësishme pasi bashkia që ai drejton, aktualisht ka një zhvillim të vrullshëm jo vetëm bujqësor e blegtoral por edhe në fushën e Agroturizmit.
Një sërë punimesh janë kryer e vijojnë të kryhen në bashkinë Belsh, pa anashkaluar fshatrat e kësaj bashkie, duke përmendur këtu pastrimin e kanaleve kulluese dhe rehabilitimit të rrugëve bujqësore.
Ndërsa vizitojmë Belshin dhe fshatrat përreth, Denis Agolli, drejtori i Bujqësisë dhe Kadastrës na tregon për ndryshimet e shumta që ka pësuar zona dhe flet me optimizëm për projektet që do të implementohen aty.
Rrugës ndalojmë edhe të shohim liqenin e Merhojës për të cilin Agolli thotë se është liqeni më i thellë dhe më i pastër në zonën e Dumresë. Ky liqen është pjesë e projektit “Bahçe e Shqipërisë’’ –saktëson Agolli dhe në të bëhet edhe plazh. Liqeni i Merhojës ndodhet në veri të fshatit Merhojë dhe në lindje të fshatit Cepe. Shquhet për peshkun e llojit krap dhe ka një sipërfaqe prej 65.5 ha dhe një thellësi maksimale prej 61 m. Ky liqen shfrytëzohet për ujitje dhe peshkim.
Shumë I rëndësishëm për zonën është edhe projekti agroturistik në Marinëz. Prej kohësh në këtë kompleks ka nisur puna për pyllëzimin e disa hektarëve tokë dhe përveç mbjelljes së qindra fidanëve dekoratië, është parashikuar të ndërtohet edhe një fushë futbolli, basketbolli, volejbolli, një kënd paintball-i dhe zona rekreacioni.
Në zonën e Dumresë gjenden 84 liqene natyrale që i japin kësaj zone një bukuri të pakrahasueshme. Këtë pamje piktoreske mund ta shijojë çdokush që viziton liqenin e Belshit që ndodhet në anën lindore dhe jugore të qytezës së Belshit, me një sipërfaqe prej 26,9 ha dhe një thellësi maksimale prej 13,1 m në pjesën jugore të tij.
I mrekullueshëm është edhe liqeni i Seferanit, në fshatin me të njëjtin emër dhe me sipërfaqe prej 87,5 ha. Në të rritet zambaku “Lekoi i Verdhë’’ dhe ‘’Lekoi i Bardhë”. Ky liqen formon një ekosistem të veçantë liqenor, me florë dhe faunë shumë të pasur.
Bashkia Belsh ka një pozitë të favorshme gjeografike. Ajo ndodhet në një distancë të afërt (45 min) nga dy qendra të mëdha urbane e rajonale, si Elbasani dhe Lushnja. Gjithashtu, me përmirësimin e rrugës së Elbasan-Tiranë është shkurtuar dhe distanca kohore nga Tirana.
Kthyer tashmë në një destinacion të mirëfilltë turistik, bashkia e Belshit synon të shtojë edhe më tepër kapacitetet akomoduese dhe të përmirësojë çdo sector që lidhet me turizmin.
Përveç këtij sektori, bujqësia dhe blegtoria zënë një vend të rëndësishëm në planet e bashkisë. Në zonë kultivohen kultura të ndryshme bujqësore si grurë, misër, duhan, perime, vreshtari e frutikulturë pasi zona e Dumresë ka kushte të favorshme klimatiko-tokësore për kultivimin e tyre. Gjithashtu në zonë mbarështrohen edhe bagëti të trasha dhe të imta, derra, shpendë dhe bletë për të siguruar produkte për nevojat lokale por edhe për shitje. Bujqësia është e zhvilluar kryesisht në zonat përreth liqeneve të Dumresë.
Peshkimi është një tjetër sektor që ka vëmendjen maksimale të bashkisë dhe specialitëve të saj. Bashkia Belsh ka 85 liqene dhe rezerva të mëdha ujore prej 640 ha ku kultivohet peshku nga shoqatat e peshkimit, të cilat shtojnë te ardhurat për ekonominë e zonës si dhe rrisin numrin e të punësuarve.
Gjithashtu një tjetër prioritet i bashkisë së Belshit janë edhe hapësirat e mëdha pyjore dhe sipas specialistëve të këtij institucioni, është i domosdoshëm hartimi i një plani menaxhimi për pyjet.
Zona e Dumresë ka pyje dushku, drize, shkoze, frashëri dhe pemë frutore të cilët i japin asaj një bukuri të rrallë.
Shumë punë është bërë deri më tani në qytetin e vogël por ende mbetet për t’u bërë për të përmbushur e realizuar çdo standart të aspiruar e për t’i shërbyer më së miri banorëve vendas por edhe turistëve të shumtë. Por pavarësisht arritjeve të deritanishme dhe asaj çfarë synohet për të ardhmen, nëse dëshironi të shijoni disa orë të mrekullueshme apo edhe disa ditë të qeta por edhe me aventura në to, zgjidhni Belshin e bukur dhe të tjetërsuar tashmë që ofron shumë dhe është një zgjedhje e shkëlqyer për çdo turist.
Përgatiti: Alma Janka