Bankat e farës së komunitetit

Rëndësia dhe funksionet e tyre në dobi të ruajtjes së kultivarëve lokal, ushqimit të familjeve të fermerëve dhe zhvillimit të agroturizmit.

Shqipëria shquhet për një pasuri të madhe në diversitetin biologjik. Ajo vlerësohet si një vend nga më të pasurit me specie dhe varietete bimësh e raca kafshësh,  të vlefshme për zhvillimin e prodhimit bujqësor e blegtoral. Ndonëse zë më pak se 0.3 % të sipërfaqes të kontinentit evropian, ajo strehon deri 30 % të specieve të bimëve dhe të kafshëve, duke përfshirë shumë specie endemike. Sipas studimeve mbi florën, rezulton se këtu ekzistojnë rreth 3215 specie të bimëve. Megjithatë, gjatë tre dekadave të fundit, ka pasur një  rënie progresive në numrin e varieteteve lokale të drithërave, bimëve bishtajore,  industriale dhe perimeve të kultivuara. Ky trend i është atribuuar pjesërisht ndryshimeve të sistemeve social-ekonomike, lëvizjeve demografike dhe ndryshimeve të shpejta në teknologjinë bujqësore. 

Shkalla alarmante e dëmtimit të biodiversitetit, tashmë, në kushtet e ndryshimeve klimatike është e njohur në nivelin e fermerëve dhe të shteteve. Axhenda 21 njohu nevojën për rregullime të mëdha në politikat  bujqësore, mjedisore dhe makroekonomike, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim. Ajo gjithashtu bën thirrje për ruajtje të biodiversitetit  në dy format e mundshme, ex-situ dhe in-situ. Agjenda 21 kërkon që qeveritë e vendeve të ndryshme të marrin përgjegjësitë për ruajtjen e biodiversitetit në vendet e tyre dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve të tyre biologjike. (“Agjendën 21”, është një plan veprimi i OKB, që lidhet me zhvillimin e qëndrueshëm dhe i referohet shekullit të 21-të. Ajo ka patur disa modifikime në konferencat pasuese të OKB-së).

Resurset gjenetike të bimëve për sigurinë ushqimore dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike

 

Bankat gjenetike të bimëve ruajnë burimet kryesore për rritjen globale të sigurisë së ushqimit dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve mjedisore.  Burimet gjenetike në mënyrë konvencionale janë shpërndarë tek fermerët nëpërmjet rrugës lineare të mbarështimit, shpërndarjes dhe adoptimit të varieteteve të përmirësuara.  Konservimi ex-situ, në bankat gjenetike, me gjithë rolin pozitiv për ruajtjen e burimeve gjenetike, ka disa probleme që lidhen me rrjedhën e diversitetit. Ato  mbledhin agro-biodiversitetin nga fushat e fermerëve (burimi), por nuk i vënë në dispozicion të fermerëve; dmth. diversiteti rrjedh në njërin kah, nga burimi tek bankat gjenetike dhe nga atje tek mbarështuesit, por nuk janë kthyer mbrapa tek fermerët, të cilët për këtë arsye janë të privuar nga luajtja e rolit të konservuesit, novatorit dhe konsumatorit të tij. Rezervat gjenetike janë dëmtuar në mënyrë sistematike nga burimi. Kjo padyshim në dëmtim të qëndrueshmërisë së prodhimit bujqësor. Nga ana tjetër, ruajtja in-situ/on-farm ose ruajtja në ngastrat e fermerëve, nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Kjo metodë e ruajtjes është thelbësore për një sërë arsyesh, si në aspektin ekologjik (kundër sëmundjeve, dëmtuesve, thatësirës dhe ndryshimeve klimatike), në ekonomik (furnizimi me inpute të brendshme), ushqimor dhe politik (sigurimi i të drejtave të fermerëve). Prandaj është theksuar se duhet të bëhen ndërhyrje të studiuara për të adresuar këto probleme dhe për t’u mundësuar komuniteteve të fermerëve të vegjël, veçanërisht atyre në zonat kodrinore e malore, të kenë akses në farë, të ruajnë, dokumentojnë dhe të rrisin resurset dhe njohuritë e tyre.

Bankat e Farës së Komunitetit (BFK)

Gjatë 30 vjetëve të fundit janë testuar mekanizma të ndryshëm dhe funksionojnë një sërë rrugësh, që kalojnë nga Bankat Gjenetike të Bimëve në ngastrat e fermerëve, mes tyre rendësi paraqiten Bankat e Farës së Komunitetit (BFK). 

Duke parë situatën e varieteteve tradicionale të kulturave bujqësore, në shumë vende dhe rajone janë ngritur BFK-të, që funksionojnë si struktura dhe qendra, për të përmbushur kërkesat e fermerëve për farëra të traditës, por edhe për të mbajtur gjallë  diversitetin gjenetik të kulturave bujqësore dhe pse jo, pasurimin e tij në kushtet e ndryshimeve klimatike.

BFK, që është një përmirësim mbi konceptin e vjetër të një banke fare, duke qenë një mekanizëm dhe strukturë ruajtjeje ose rikthimi të kultivarëve të vjetër lokal, funksionon si një organizëm për ruajtjen në fermë të germplasmës së zonës apo rajonit  nëpërmjet përdorimit të saj, si dhe përmes trajnimit të fermerëve dhe pajisjes së tyre me modalitetet dhe bazat e prodhimit të farës, seleksionimit, trajtimit dhe ruajtjes së farës. BFK luan rol aktiv për shkëmbimin e germoplazmës, informacionit, inovacioneve dhe teknologjive në mes fermerëve, si dhe midis tyre dhe agjentëve të ekstensionit dhe kërkuesve shkencor. 

Bimët e synuara të BFK-ve janë kryesisht kulturat që bëjnë bazën e ushqimit, sikurse janë drithërat, bishtajoret, perimet, etj. Larmia e kulturave dhe varieteteve, shihet si burim me vlerë që ndihmon dhe lehtëson mundësinë të përshtaten me tokën dhe ndryshimet klimatike.

BFK-të shërbejnë si sisteme rezervë për të ri-ngritur varietetet e humbura dhe të rrezikuara, dhe gjithashtu shërbejnë si strategji për zbutjen dhe menaxhimin e dukurive natyrore (ngricave, reshjeve, thatësirës, etj) në nivel komuniteti. Ato luajnë rol aktiv për promovimin, ndërgjegjësimin dhe të kuptuarit më të thellë të vlerave të kultivarëve lokal dhe diversitetit brenda specieve në këto kultura. 

Duke njohur rëndësinë dhe rolin e BFK-ve për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të resurseve gjenetike të bimëve, Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës ka luajtur një rol aktiv për ngritjen dhe funksionimin e BFK-ve në vendin tonë. Gjatë tre viteve të fundit, me mbështetje edhe të projekteve të huaja,  në Shqipëri janë ngritur tre Banka të Farës së Komunitetit: BFK e komunitetit të fermerëve të rajonit verior, me qendër në Shkollën e Mesme Profesionale “Ndre Mjeda” në Bushat të Shkodrës,  e mbështetur nga Projekti COSPE Albania; BFK e Tiranës (Shoqata e Resurseve Gjenetike te Bimëve) e mbështetur nga Projekti Arche Noah – Austri dhe BFK e rajonit të Shqipërisë Jug-Lindore, me qendër në Shkollën e Mesme të Agrobisnesit “Irakli Terova” në Korçë, me mbështetje të Shoqatës së Bujqësisë Organike dhe Fondacioni Heidehof Stiftung.

 

Fermerët: kujdestarë dhe përdorues të diversitetit 

Tendenca bashkëkohore për lidhjen e fermerëve me bankat gjenetike të bimëve shkon nga një veprim i hershëm për ruajtjen e germplasmës lokale (bashkëpunimi mes tyre për të lidhur dhe harmonizuar ruajtjen ex-situ me ruajtjen në fermë) drejt një theksi gjithnjë e më të madh në përdorimin e diversitetit për të pas rezultate më të mira në prodhimin bujqësor. Ky trend është i dukshëm në ditët tona, si një ndryshim i madh për fermerët, roli i të cilëve kalon nga “kujdestarë të diversitetit të kulturave” drejt një fokusi të ri,  si “përdorues të diversitetit të bimëve”.  

BFK-ja si strukturë dhe mekanizëm pranë fermerëve shërben dhe përmbushë të drejtat e komuniteteve rurale për ruajtjen në fermë (on-farm  / in-situ) të biodiversitetit bujqësor, rikuperimin dhe restaurimin e farave komerciale të varieteteve lokal dhe resurseve gjenetike të bimëve të tyre. Për funksionimin e mirë, BFK menaxhohet nga një bord drejtues,  që përbëhet nga anëtarë të përzgjedhur komuniteti i fermerëve dhe nga donatori/rët mbështetës.

 

 

Përgatiti:  

Prof. Dr. Sokrat Jani

Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve

Universiteti Bujqësor i Tiranës

Na Ndiqni në: