Bishtajoret kokërr janë farat ushqyese të natyrës që njerëzimi i ka përdorur si ushqim që në lashtësi. Nëpërmjet përdorimit ndër shekuj, njeriu ka bërë përzgjedhje graduale të formave më të mira në shije, prodhim, pamje etj. Në ditët e sotme njerëzimi trashëgon një numër të lartë formash të bishtajoreve për çdo specie (varietete të avancuar, forma lokale, gjysëm të egra dhe të egra), që japin prodhime dietike nga më të mirat.
Farat e bishtajoreve i shohim çdo ditë në dyqanet ushqimore, në tregun e fermerëve dhe në lokale si ushqime anësorë të shërbyera me pjatën tonë të preferuar. Në shumë vende, ato janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe konsumohen rregullisht apo edhe çdo ditë. Sidoqoftë, këto fara të imta të bishtajoreve për kokërr, me shumë forma, ngjyra dhe madhësi, kanë qenë një ndër produktet e përdorura që nga kohët e lashta për ushqim. Sot përdorimi i tyre po merr gjithnjë e më shumë rëndësi për ushqimin dhe bujqësinë.
Ja përse duhet të zgjedhim dhe përfshijmë bishtajoret në dietën tonë:
a) Bishtajoret janë burim proteinash dhe fibrash:
- Bishtajoret janë produkte për një ushqyerje më të mirë të njeriut. Bishtajoret janë një burim i rëndësishëm i proteinave me bazë bimore. Bimët bishtajore kanë përmbajtje të lartë në proteina, si në kokërr ashtu edhe në pjesët e tjera të bimës.
- Bishtajoret kanë përmbajtje të lartë proteinash dhe fibrash të tretshme dhe të patretshme.
- Fibrat e bishtajoreve janë mbi 90% të tretshme dhe mund të ndihmojnë në menaxhimin e peshës trupore, nivelet e sheqerit në gjak dhe uljen e kolesterolit.
- Fibrat e patretshme nga ana tjetër, ndihmojnë në tretjen dhe rregullsinë e aparatit tretës. Një filxhan bishtajore të gatuara ju jep më shumë se gjysmën e sasisë së fibrave që ju nevojiten për tërë ditën.
b) Proteina dhe fibra bishtajore për një dietë të shëndetshme:
- Bishtajoret sigurojnë lëndë ushqyese të rëndësishme dhe rekomandohen si pjesë e një diete të shëndetshme. Shumica e udhëzimeve dietike rekomandojnë bishtajoret si pjesë e një diete të shëndetshme.
- Shumë dieta në të gjithë botën mbështeten në bishtajoret si burim i proteinave. Sasia e proteinave në fasule, thjerrëza, qiqra dhe bizele është 2-3 herë më e madhe se nivelet që gjenden në drithërat si gruri, orizi, tërshëra, elbi dhe misri. Për shembull, duke ngrënë vetëm ½ filxhan thjerrëza sigurohen të njëjtat sasi proteinash si me 2 gota oriz ose misër. Krahasuar me kafshët dhe shumë burime të tjera të bazës bimore të proteinave, bishtajoret janë një burim më i përballueshëm dhe i qëndrueshëm i proteinave.
- Studimet kanë treguar se njerëzit që konsumojnë të paktën ½ filxhan bishtajore në ditë kanë marrje më të lartë të fibrave, proteinave, kalciumit, kaliumit, folatit, zinkut, hekurit dhe magnezit si dhe marrje më të ulëta të yndyrës totale dhe të ngopur.
- Kombinimi në gatim i bishtajoreve me drithëra (psh., thjerrëzat me orizin) rrisin cilësinë e proteinave të bishtajoreve.
- Bizelet e thata, thjerrëzat dhe qiqrat janë bishtajoret kryesore që kanë potencial të madh përdorimi komercial si për meze të lehta në bare, si dhe për vakte të zgjeruara dhe përbërës të ushqimit në restorante.
- Thjerrëzat janë një burim i pasur me proteina dhe minerale të tjerë.
- Nxjerrja e ekstrakteve nga bishtajoret përdoret komercialisht për të shtuar vlerën e e produkteve të drithërave.
Prof. Dr. Belul Gixhari
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.