Analiza e zinxhirit të vlerës me ndjeshmëri gjinore

Udhëzues për Praktikuesit dhe Grupet e Interesit

Përmirësimi i zinxhirit të vlerës (ZV) është një strategji e rëndësishme për mbështetjen e zhvillimit ekonomik vendor dhe krijimin e vendeve të punës. Kjo arrihet përmes forcimit të ndërmarrjeve dhe marrëdhënieve të biznesit, si dhe përmirësimit të strukturave të tregut dhe mjedisit të biznesit. Një kufizim që haset shpesh në zhvillimin e zinxhirit të vlerës është paragjykimi gjinor dhe marrëdhëniet e pabarabarta në shoqëritë e përfshira në sistemin e tregut.

Zhvillimi i analizës së ndjeshmërisë gjinore në zinxhirët e vlerave është një qasje që ndihmon në arritjen e barazisë gjinore në Shqipëri dhe në zhvillimin e synimeve më të gjera duke identifikuar zgjidhje që përmirësojnë produktivitetin e përgjithshëm dhe në të njëjtën kohë promovojnë barazinë midis grave dhe burrave në ZV.

USAID, nëpërmjet Projektit për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore, ka botuar kohët e fundit një Udhëzues për Praktikuesit dhe Grupet e Interesit “Mbështetje për Përfshirjen e Grave dhe Përmirësimi i Zinxhirit të Vlerës në Shqipëri”. Udhëzuesi shërben si një mjet i nevojshëm i cili ndihmon në zbatimin e praktikave të zhvillimit të zinxhirit të vlerës, bazuar në ndjeshmërinë gjinore. Në të, shpjegohen konceptet kryesore dhe hapat që udhëheqin procesin e analizës dhe ndërhyrjeve efektive ndaj ndjeshmërisë gjinore duke dhënë shembuj të praktikave të mira bazuar në përvojën vendase.

Përfitimet shumë-dimensionale pozitive të ndërhyrjeve me bazë gjinore në ZV ndaj grave, familjeve, shoqërisë dhe ekonomisë në përgjithësi janë përmbledhur në Tabelën 1.

Burimi: Përshtatur nga EconoWin, 2015

Udhëzuesi mbështet veçanërisht praktikuesit në:

  • Integrimin sistematik të ndërhyrjeve me fokus barazinë gjinore në përpjekjet e zhvillimit ekonomik përmes zhvillimit të analizës së ndjeshmërisë gjinore në zinxhirët e vlerave;
  • Krijimin e ndërhyrjeve ‘fitim-fitim’ (me fitim të dyanshëm), duke synuar uljen e varfërisë dhe barazinë gjinore në lidhje me rritjen ekonomike;
  • Mbështetjen e aktorëve të zinxhirit të vlerës duke bërë që ata të kuptojnë më mirë zinxhirët e vlerave në të cilët bëjnë pjesë.

Audienca e synuar për këtë manual trajnimi janë individët, institucionet, dhe organizatat që promovojnë dhe mbështesin zhvillimin e ndërmarrjeve në Shqipëri, qoftë në nivel kombëtar apo vendor. Këto mund të përfshijnë institucione kombëtare që zhvillojnë strategji për zhvillimin e ndërmarrjeve ose të tregut, bashki që adresojnë zhvillimin ekonomik lokal, si dhe ato organizata dhe individë që punojnë drejtpërdrejt me sipërmarrës në zinxhirët e vlerës dhe sistemet e tregut. Për më tepër, institucionet kërkimore me fokus zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit janë ndër praktikuesit që mund të përfitojnë nga ky udhëzues.

Ai vlen njëkohësisht për projektet (i) me fokus të ngushtë, qoftë gjeografik ose në një zinxhir të vetëm vlerash apo sistem tregu (për shembull, prodhimi organik i mjaltit në Librazhd), si dhe ato (ii) me një fokus më të gjerë (për shembull, produkte pyjore malore). Udhëzuesi mund të përdoret nga çdo organizatë e interesuar në promovimin e drejtë të zinxhirit të vlerës ose të zhvillimit të tregut, siç janë projektet e financuara nga qeveria, organizatat joqeveritare të financuara nga donatorët, ose organizatat e sektorit privat si pjesë e përgjegjësisë së tyre shoqërore korporative në zhvillimin e zinxhirit të furnizimit.

Udhëzuesin e plotë mund ta gjeni këtu në shqip dhe anglisht.

 

Erald Lamja
Ekspert i Zhvillimit Ekonomik Vendor

 

Na Ndiqni në: