Mbrojtja sociale dhe shëndetësore, një vështrim krahasues me vendet e tjera evropiane

Ky është një vëzhgim krahasues mbi nevojën për të vazhduar reformat e shumëanshme për të
garantuar qëndrueshmërinë e sistemit të sigurimeve shoqërore në Shqipëri. Konteksti
kombëtar i ndikimit të faktorëve të brendshëm si zhvillimi ekonomik që nuk shoqërohet me
rritje të ndjeshme të punësimit formal, emigracioni i popullsisë ekonomikisht aktive për më
shumë se 30 vjet, i kombinuar me ndikimin e faktorëve të jashtëm padyshim që ka efektet e saj
në paqëndrueshmërinë sociale dhe financiare të sistemit të sigurimeve shoqërore në vendin
tonë.
Vendi ynë ka buxhete më të vogla për mbrojtjen sociale dhe shëndetësinë në krahasim me
mesataren e vendeve të tjera evropiane. Të dhënat e Eurostat treguan se vendet evropiane
alokuan për mbrojtjen sociale 39.2 për qind të buxhetit të tyre në vitin 2022, ndërsa Shqipëria
në të njëjtin vit çoi vetëm 30 për qind të buxhetit (EC, 2022). Gjithashtu qeveria shqiptare
ndan shumë më pak fonde për shëndetësinë se 27 vendet e anëtarësuara të Bashkimit
Evropian. Në vitin 2022 vendet evropiane rritën me 15.5 %të shpenzimeve buxhetore për
shëndetësinë, ndërsa Shqipëria në të njëjtin vit akordoi vetëm 10 % të buxhetit total për
shëndetësinë. Sektori me peshën më të lartë në shpenzimet buxhetore si në BE dhe në
Shqipëri është kategoria “mbrojtja sociale” me 30 %të shpenzimeve të përgjithshme publike
në vitin 2022. Ky zë dominohet nga shpenzimet për fondin e pensioneve si edhe programet në
mbështetje të familjeve dhe individëve në nevojë. Megjithatë, edhe për këtë zë, Shqipëria
ndan nga buxheti i saj rreth 9.2 % fonde më pak se vendet evropiane.

Ka disa arsye të mundshme pse Shqipëria ka buxhete më të vogla për mbrojtjen sociale dhe
shëndetësinë në krahasim me vendet e tjera dhe këto lidhen me:
 Nivelin e zhvillimit ekonomik. Shqipëria është një vend me një zhvillim të ulët të
zhvillimit ekonomik në krahasim me vendet e tjera të BE dhe si rrjedhojë niveli i të
ardhurave të vendit dhe i burimeve të disponueshme për të investuar në shëndetësi
dhe mbrojtje sociale është më i ulët.
 Problemet buxhetore dhe prioritete të tjera. Vendi ynë po përjeton sfida të shumta
buxhetore, duke përfshirë të ardhurat e ulëta tatimore dhe probleme me mbledhjen e
taksave. Ndërkohë që prioritete të tjera si: arsimi, infrastruktura dhe turizmi kanë një
përparësi më të lartë për qeverinë.
 Struktura e sistemit të mbrojtjes sociale dhe atij shëndetësor. Struktura e sistemeve të
mbrojtjes sociale dhe të shëndetësisë ka nevojë për reforma dhe përmirësime për të
rritur efikasitetin dhe efektivitetin e tyre, ka nevojë për investime shtesë për të

adresuar mangësitë dhe për të siguruar një qasje të përmirësuar në shërbimet e
përkujdesit social dhe shëndetësor.
Zgjidhja e problemeve në të ardhmen i përket së pari gjeneratave aktive, atyre që janë
kontribues në sistemin e sigurimeve shoqërore. Në zonat rurale veçanërisht, politikat sociale
mund të integrohen me ato për nxitjen e bujqësisë, ku marrja e kredive të buta, mbështetja me
lehtësi fiskale për përdorimin e tokës dhe të tjera si këto lidhen me pjesëmarrjen si kontribues
në sistemin e sigurimeve shoqërore, për të eliminuar hendekun që ka mbetur prej 30 vitesh
midis numrit të kontribuesve dhe numrit të popullsisë aktive, ose siç quhet ndryshe treguesi i
shkallës së mbulimit të sigurimeve shoqërore.
EC, 2022. https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/COUNTRY_22_6091

Prof. Asoc. Dr. Anila Sulaj
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit
Departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural

Na Ndiqni në: