Lini është një bimë e kultivuar në Europë që nga antikiteti ndërsa në vendin tonë dokumentohet në periudhën e mesjetës. Pëlhura më e vjetër e tij e ruajtur deri më sot në Shqipëri është Epitafi i Gllavinicës i vitit 1373. Ndërkohë që krahas leshit, gjineshtrës, mëndafshit dhe më pas edhe pambukut, lini, ka qënë një material me të cilin janë përgatitur gjerësisht veshje të ndryshme. Me përpunimin e kësaj bime merreshin njëhkohësisht gratë edhe burrat. Gratë endnin pëlhurat që u duheshin per veshmbathjen e familjes, për shtroje, thasë ose qëndisma. Ndërsa burrat përgatisnin lloje të ndryshme litarësh që përdoreshin në punët e përditshme dhe vaj, me të cilët piktorët ikonografë hollonin bojrat. Ndërsa farat e linit ishin pjesë e përdorimit të mjekësisë popullore.
Për përpunimin e kësaj bime përdorej një mjet i thjeshtë prej druri që quhej melicë. Më pas fijet e linit endeshin në vekë (tezgjah, avlëmend) ku përgatiteshin pëlhurat me të cilat bëheshin veshjet të cilat përdorte familja. Të tilla ishin këmishat, fustanellat, përparjet (bohçet, përparset), brezat, veshjet e brendshme (të linjtat), shamitë, mësallat ku vendosej ushqimi, shtrojet e fjetjes, qëndismat e pajës, etj.
Në rajonin e Zadrimës, lini, është kultivuar gjerësisht deri në gjysmën e parë të shek. XX, kur ai filloi të zëvendësohej me materiale të tjera.
Ndoc M SHABEN