Ngritja e Laboratorit të Cilësisë së Frutave dhe Perimeve

PROF.DR. ENDRIT KULLAJ

PROF.DR. TOKLI THOMAI

 

Rëndësia e kontrollit të cilësisë së frutave dhe perimeve

Sektori i Frutave dhe Perimeve të Freskëta ose hortikultura luan një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë shqiptare si nga pikëpamja e punësimit dhe vlerës që krijon, ashtu edhe zhvillimit në zonat rurale sepse sipërmarrjet me fruta dhe perime janë zakonisht ferma të vogla dhe të mesme. Shqipëria është një aktor shumë i rëndësishëm rajonal në këtë sektor (veçanërisht perimet e hershme) duke shfrytëzuar avantazhin krahasues të klimës së ngrohtë në Ultësirën Perëndimore. Si pjesë e strategjisë mbështetëse të Qeverisë nëpërmjet fondeve IPARD dhe Skemës Kombëtare, synohet të 2 – 3 fishohen eksportet e tyre brenda një periudhe 4-vjeçare. Janë krijuar tashmë zinxhirë vlere të mirëfilltë tek fruta si molla, qershia, rrushi i tryezës, agrumet, luleshtrydhja apo perime si domatja, speci, bostanorët, etj.

Ndërkohë që sektori i Frutave dhe Perimeve të Freskëta por bëhet gjithnjë e më profesional dhe i orientuar nga eksporti, ka lindur nevoja për të zbatuar standardet e cilësisë dhe marketingut, matur treguesit e maturimit, etj.. Vlen të theksohet se ndonëse praktikat e vjeljes përmirësohen duke rezultuar në cilësi më të mirë të frutave dhe perimeve, është e qartë se ato prishen shpejt dhe janë të ndjeshme ndaj dëmtimeve prej kushteve klimatike të paparashikuara. Rrjedhimisht, prodhuesit e frutave dhe perimeve shpesh kanë produkt shumë heterogjen nga pikëpamja e cilësisë. Gjithashtu, operatorët shqiptarë në sektorin e Frutave dhe Perimeve të Freskëta kanë ende njohuri të kufizuara dhe thuajse nuk përdorin teknologji për kontrollin e cilësisë. Ky kontroll bazohet kryesisht në karakteristika morfologjike dhe fizike bazë (madhësi, formë dhe peshë) dhe pamjen e jashtme (ngjyrë, prani e defekteve sipërfaqësore, etj.). Kjo ka bërë që në shumë raste, humbjet në prodhim, ruajtje dhe tregtim të jenë të larta. Nga kjo dalim në përfundimin se kontrolli i cilësisë së frutave dhe perimeve të freskëta është guri i themelit në zinxhirin e furnizimit global. Kjo ndodh në kontekstin e vendeve të zhvilluara, me një rrjet laboratorik të shtrirë në nivel kombëtar ose laboratorë privatë. Ndërkaq, në Shqipëri, ky rrjet laboratorik mungon dhe vëllime të mëdha prodhimi që eksportohen nuk plotësojnë kërkesat e cilësisë për shkak të mungesës së njohurive dhe pajisjeve të testimit të cilësisë. Në disa zinxhirë vlere të perimeve dhe frutave ende ka njohuri të kufizuara në shumicën e prodhuesve për treguesit e cilësisë së frutave në vjelje dhe ruajtjen e tyre pas vjeljes.

Modernizimi i nën-sektorëve të frutave dhe perimeve gjendet përballë sfidash të rëndësishme të cilat kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe adekuate nga kërkimi shkencor në vend. Kjo sepse në stadin ku ndodhet dhe sidomos në atë që synon të mbërrijë, problemet e shumta që has prodhimi komercial i perimeve dhe frutave (përfshi ullirin, agrumet, rrushin e tryezës, etj.) nuk munden më gjatë të zgjidhen thjesht nëpërmjet importimit të dijeve dhe inovacionit nga vendet e tjera të zhvilluara. Situata aktuale e ka bërë të domosdoshme realizimin e kërkimeve të thelluara shkencore, në vend, nga institucionet përgjegjëse të kërkimit shkencor.

Në këtë kontekst, Universiteti Bujqësor dhe Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit kanë përgjegjsinë t’u japin përgjigje konkrete tematikës së gjerë të problemeve me të cilat përballet i bimëve perimore dhe pemëve frutore. Në kuadrin e thirrjes për projekte të infrastrukturës kërkimore të financuara nga AKKSHI, një grup kërkimor nën drejtimin e Prof.Dr. Endrit Kullaj arriti të sigurojë një financim prej afro 5 milion lek dhe bashkë me një fond të UBT prej 1.6 milion u mundësua krijimi i një Laboratori të Teknologjisë dhe Cilësisë së Frutave dhe Perimeve (LTCFP) që do të kryejë kërkim shkencor duke përdorur metoda jo-shkatërruese për vlerësimin e cilësisë së frutave dhe perimeve. Kërkimi shkencor do të përdorë dhe zhvillojë metoda për diktimin e cilësisë në kohë reale të mbështetura në veçori akustike, ultratinguj, ele ktrike dhe pamore analitike dhe metoda të reja ose të përmirësuara jo-shkatërruese për vlerësimin e cilësisë, software për mbledhjen dhe analizën e të dhënave dhe ndërtimin e databazave për modele parashikuese precize. LTCFP do të testojë dhe përhapë teknologji të kontrollit automatik të cilësisë duke shfrytëzuar platforma me të dhëna analitike, që do të mbështesin zinxhirët e vlerës së frutave dhe perimeve në Shqipëri me vlerësime të sakta, konsistente, eficiente dhe fitimprurëse.

Metodat joshkatërruese të kontrollit të cilësisë

Aktualisht, shumica e metodave analitike janë ende shkatërruese dhe kërkojnë punë dhe kohë. Disa metoda kërkojnë përgatitje të mostrave si dhe instrumente e kimikate që nuk mund të përdoren për vlerësimin e mostrave në shkallë të gjerë. Pavarësisht rëndësisë, metodat e kontrollit të cilësisë vazhdojnë të jenë kryesisht manuale, subjektive dhe joeficiente. Për këto arsye, kontrolli i cilësisë së frutave dhe perimeve të freskëta ka qenë tejet joeficient duke bërë që afërsisht 50% e prodhimit të humbasë (në tërë zinxhirin e vlerës, nga nga ferma në tryezë).Me rritjen e kërkesës për diktimin në kohë reale të cilësisë së frutave, ka patur një zhvillim të vrullshëm të metodave vlerësuese të cilësisë së frutave dhe perimeve që nuk janë shkatërruese. Shumë prej këtyre metodave kanë efikasitet të lartë, janë të thjeshta, të sakta dhe kërkojnë më pak punë dhe shpenzime për përcaktimin e cilësisë. Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, Laboratori i Teknologjisë dhe Cilësisë së Frutave dhe Perimeve do të kryejë kërkim shkencor dhe ofrojë shërbime duke përdorur kryesisht metoda jo-shkatërruese për vlerësimin e cilësisë së frutave dhe perimeve. Do të përdoren dhe zhvillohen metoda analitike me instrumente jo-shkatërruese (spektrofotometra dhe pajisje të tjera me precision të lartë edhe për kërkime shkencore, pajisje portabël me kosto të ulët dhe të dhëna të besueshme për vlerësim drejtpërdrejt në parcelë, në pikat e grumbullimit, në tregjet e shumicës, etj.), si dhe metoda të reja ose të përmirësuara jo-shkatërruese për vlerësimin e cilësisë (përfshi blerjen dhe zhvillimin e software-ve për mbledhjen dhe analizën e të dhënave dhe ndërtimin e databazave të mëdha për modele parashikuese precize). Pajisjet që janë përfshirë shfrytëzojnë teknologji jo-shkatërruese për diktimin e cilësisë të mbështetura në veçori akustike, ultratinguj, elektrike dhe pamore. Këto teknologji mund të përdoren për vlerësimin në kohë kohë reale të cilësisë së frutave dhe perimeve gjatë rritjes, maturimit dhe pas vjeljes.

Metodat jo-shkatërruese (MJSH), si një mënyrë analitike e vlerësimit dhe instrumentacioni, kanë fituar një vlerësim të lartë në shkencë, veçanërisht në industritë ushqimore. Aktualisht, MJSH janë të dobishme sepse mundësojnë matjen e njëkohshme të të dhënave kimike dhe fizike nga ushqimi pa e shkatërruar lëndën. Veç kësaj, MJSH mund të sigurojnë njëherazi të dhëna sasiore dhe cilësore pa analiza të veçuara. Kohët e fundit janë raportuar shumë studime që lidhen me matjet diktuese të produkteve agroushqimore dhe vlerësime të cilësisë përfundimtare. E ardhmja e përdorimit te MJSH për vlerësimin e cilësisë së ushqimit dhe produkteve bujqësore është e shkëlqyer; prej tyre mund të rezultojnë gjetje shumë interesante nëpërmjet zhvillimit të sistemeve të imazherisë më eficiente dhe precise, të tilla si teknika e vizionit të makinës (machine vision technique).

Infrastruktura kërkimore e nevojshme për ngritjen e LCFP përbëhet nga një seri pajisjesh që përdorin teknika jo-destruktive për vlerësimin e cilësisë dhe maturimit të frutave, rrushit, perimeve etj.; të përbërjes dhe cilësisë së tyre (ngjyra, pesha, fortësia, aciditeti, përmbajtja e lëndëve të ngurta të tretshme, përmbajtja e lëndës së thatë) si dhe përmbajtja e etilenit, acideve organike dhe sheqernave në fruta. Planifikohet që Laboratori të ngrihet në faza. Pajisjet dhe software të siguruara nga financimi i AKKSHI dhe UBT mbështeten kryesisht tek analiza nëpërmjet spektrofotometrisë dhe kolorimetrisë. Pajisjet do të matin tregues si solidet tërësore të tretshme ose sheqernat (TSS ose Brix), lëndën e thatë, aciditetin, fortësinë, përmbajtjen e klorofilit, mbingjyrimin dhe ndryshimet që ndodhin, përqendrimin e etilenit, CO2 dhe O2, temperaturën dhe lagështinë në mjediset e ruajtjes pas vjeljes, etj.

Përdorimi i metodologjive jo-destruktive mundëson edhe ndjekjen e ecurisë së cilësisë së frutave dhe perimeve në parcelë lejon:

Rritjen e numrit të mostrave të analizuara duke përfaqësuar më mirë prodhimin
E njëjta njësi analize (p.sh. fruta ende në bimë) mund t’i nënshtrohen analizave të përsëritura në kohë duke ndjekur kësisoj evoluimin fiziologjik
Përzgjedhjen e mostrave që shprehin më mirë ndryshueshmërinë e frutave dhe perimeve në një ngastër apo dhomë ruajtje
Përcaktimi i parametrave të ndryshëm me një matje të vetme
Të përftojmë informacione për aspekte të tjera të cilësisë së frutave si për shembull sheqernat e thjeshta, acidet organike, antioksiduesit dhe përbërjet aromatike

Në fazat e ardhshme, nëpërmjet buxhetit të UBT apo financimeve alternative nga projekte, Laboratori do të zgjerohet me matje të treguesve nutraceutikë, aromave, etj. si dhe njësi për pasvjeljen dhe ruajtjen.

Shërbime të analizës për prodhuesit dhe grumbulluesit e frutave dhe perimeve

Në nivel evropian dhe më gjerë, popullariteti dhe konsumi i Frutave dhe Perimeve të Freskëta (FPF) është rritur në vitet e fundit si ushqime të shëndetshme dhe të ushqyeshme. Shqipëria është ndër vendet me normë konsumi për frymë nga më të lartat në Evropë për fruta dhe perime ndaj edhe cilësia e frutave dhe perimeve është një aspekt shumë i rëndësishëm nga këndvështrimi i konsumatorëve. Prodhuesit, grumbulluesit/tregtarët e shumicës dhe eksportuesit duhet t’i paraprijnë dëshirave të konsumatorëve veçanërisht në lidhje me cilësinë sensoriale dhe volitshmërinë e përdorimit. Konsumatorët konsiderojnë fruta me cilësi të mirë ato që duken të mira, janë të forta dhe kanë aromë të mirë dhe vlerë ushqyese. Megjithatë, konsumatorët po interesohen gjithnjë e më shumë për ato cilësi që jo domosdoshmërisht lidhen me pamjen e jashtme. Nga këndvështrimi i tyre, qasja në fruta dhe perime me cilësi të mirë dhe sigurt është një nga shkaqet më të mëdha të shqetësimit të publikut në vitet e fundit. Është jetike që çdo shtet të garantojë cilësinë e ushqimit dhe të mbrojë konsumatorët e tij.

Për fat të keq, këto parametra nuk janë plotësisht përfaqësues të cilësisë së prodhimi, që përmbledh jo vetëm pamjen e jashtme, por gjithashtu veçori sensoriale të tjera (shija dhe aroma), vlera ushqyese, përbërësit kimikë, veçoritë mekanike, veçoritë funksionale dhe defektet. Kjo kërkon përdorimin e teknikave të vlerësimit të cilësisë sipas kritereve që i përafrojnë me cilësinë që perceptohet nga konsumatorët.

Veç kërkimit shkencor, Laboratori i Teknologjisë dhe Cilësisë së Frutave dhe Perimeve do të akreditohet për të ofruar shërbime lidhur me kontrollin e cilësisë së frutave dhe perimeve të freskëta, të ruajtjes pas vjeljes, shërbime trajnimi dhe gjurmueshmërie, etj. duke garantuar kështu edhe qëndrueshmërinë e mirëmbajtjes dhe zgjerimit të tij.Avantazhet e teknikave që do përdoren nga Laboratori ynë në raport me metodat analitike konvencionale janë:

Koha e analizës zgjat më pak me 1 sekond
Nuk është e nevojshme përgatitja e një mostre
Kostot janë të përballueshme (nuk nevojiten reagentë)
Lejon përcaktimin e veçorive të ndryshme kimiko-fizike të mostrës dhe madje të strukturës molekulare

Laboratori i Cilësisë në planin afatgjatë

Në planin afatgjatë, Laboratori i Teknologjisë dhe Cilësisë së Frutave dhe Perimeve synon të jetë një njësi kërkimore e specializuar në zinxhirin e furnizimit të frutave dhe perimeve. Laboratori do të zgjerohet për të patur një ambjent të gjerë dhe të sofistikuar, i projektuar posaçërisht për të analizuar, kuptuar dhe përmirësuar freskinë, shijen dhe vlerën ushqyese të frutave dhe perimeve, me një ekip që kombinon ekselencën shkencore me përvojën menaxheriale me qëllim përkthimin e njohurive shkencore në menaxhim inovativ të sektorit agroushqimor. Për këtë të fundit do të integrohen departamente të Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit.

Laboratori i Teknologjisë dhe Cilësisë së Frutave dhe Perimeve (LTCFV) do të përfaqësojë Universitetin Bujqësor të Tiranës në Qendrën Botërore për Preservimin e Ushqimit dhe do të angazhohet në zvogëlimin e humbjeve pasvjeljes në Shqipëri.

Plani afatgjatë për zgjerimin e LTCFV parashikon krijimin e disa njësive laboratorike, si më poshtë të cilat organizohen nga pikëpamja funksionale:

Njësia laboratorike e instrumentacionit
Njësia laboratorike e biokimisë dhe fiziologjisë së pasvjeljes
Njësia e analizës sensoriale
Impjanti pilot dhe dhomat frigoriferike me atmosferë të kontrolluar

Të kombinuara bashkë, këto njësi ofrojnë një mjedis unik për të eksploruar bazat themelore të freskisë, aromës dhe vlerës ushqyese të frutave dhe perimeve dhe për të ndihmuar operatorët në zinxhirin e furnizimit të përmirësojnë protokollet e ruajtjes, transportit dhe marketingut.

 

PAGE 1

Na Ndiqni në: