METALET E RËNDA NË PESHK, KADMIUMI (Cd)

Hyrje

Produktet Ihtike e në vecanti peshqit përbëjnë një burim të shumë të rëndësishëm ushqimorë për konsumatorët e vëndit tonë e mbarë botës. Peshqit njihet si ndër produktet shtazore me vlera të larta biologjike. Ato janë të pasur me, proteina, vitamina, lëndë minerale dhe acide yndyrorë polietilenike të tipit omega. Vëndi ynë njihet tashmë për traditën e konsumit të peshkut të egër apo dhe peshkut që vjen nga sistemet intensive të rritjes (Akuakulturë). Bazuar në referencat zyrtare të vendit tonë vihet re një rritje në tërësi e konsumit të peshkut (Tab.1). Kjo rritje i referohet sëshumti rritjes së kërkesës për një produkt shtazor me vlera të larta biologjike si shprehje e përmirësimit të nivelit të jetesës në vend.

Tabela1. Sasia e peshkut të zënë në vënd gjatë viteve 2016-2020

Kategoritë/peshkut/ton 2016            2017             2018            2019      2020         
Detar           4.646          4.609            5.537          5.499          4.521 
Bregdeti               952          1.074                315              342              365 
Laguna               598              599                350                94                79 
Ujërat e brëndshme            1.688          2.007            2.427          2.772          2.844 
Sasia Totale            7.884          8.289            8.629          8.707          7.808 

 

www.instat.gov.al

Vëndi ynë ka një ihtiofaunë shumë të pasur ujore bregdetare (Tab.2). Deti Adriatik dhe Jon përbëjnë furnizuesit kryesorë të peshkut për tregun vendas. Po kështu dhe produktet e akuakulturës vëndase përbëjnë një burim shumë të rëndësishëm alternativ për tregun. 

Tabela 2. Sasia e zënë e disa specieve të peshkut detar gjatë viteve 2016-2020

Specia e peshkut /ton/vit 2016 2017 2018 2019 2020            
1 Sardele 890 1065 460 677             384 
2 Barbun 475 470 347 373             333 
3 Merluc 948 940 872 731   751  
4 Oktapod 154 137 176 185             154 
5 Kallamar 128 113 129 170             183 
6 Skumbër/kolor 28 37 116 97             116 
7 Ton  47 57 100 156             169 
8 Stavridh 100 105 95 163             171 
9 Açuge 280 320 1516 1227             256 
10 Karkalec i thellësisë 1460 1473 1275 962         1.026 

www.instat.gov.al

Disa nga speciet e egra të peshkut më me interes për kosumatorin vëndas janë, merluci, barbuni, acuget, sardelet, stavridhi etj.

 

Figura 1. (1) Peshku barbun (Mullus barbatus)      (2) Peshku merluc (Merluccius merluccius)

www.faofishstat.org

Duhet thënë se përtej vlerave biologjike të larta që bartin produktet e peshkimit në dietën tonë, konsumi i tyre lidhet me problematika të shumta. Ndër problematikat më aktuale përmëndim, 

  • akumulimin e metaleve të rënda
  •  pcb͑s (poliklorbifenileve) 
  • mikroplastikës, etj

Metalet e rënda

Sa i përket metaleve të rënda, është faktuar botërisht se speciet e egra ihtike e në vecanti peshku përbëjnë burimin kryesor të kontaminimit të njeriut prej tyre. Në këtë grup bëjnë pjesë, Mërkuri (Hg), Kadmiumi (Cd), Plumbi (Pb), Kromi (Cr) etj.

Kadmiumi (Cd) – Kadmiumi njihet si një ndër elementët kimikë tejet toksikë për të gjitha gjallesat dhe mikrogjallesat e mbi të gjitha toksiciteti i tij lidhet ngushtë me shëndetin e njeriut. Ai njihet tashmë si faktor teratogjen, mutagjen e karcinogjen. Njerëzit që marrin rregullisht përmes dietës ushqimore, molusqe, krustace apo dhe të brëndshme peshku janë më të ekspozuar ndaj efektit toksik të kadmiumit. Toksiciteti i Cd lidhet ngushtësisht me shfaqjen e dëmtimeve sistemike në, veshka, kocka, sistemin respirator dhe atë riprodhues. 

Kadmiumi në peshq – Kadmiumi ka afinitet të lartë për tu akumuluar kryesisht në mëlci dhe veshkat e peshqve karnivorë me dimensione të mëdha. Lokalizimi i Cd në këto organe mendohet se ka të bëjë me praninë e metaltioninës, një proteine e cila ka afinitet të lartë për tu lidhur me të.

Shumë studime të autorëve vendas e fqinjë kanë treguar se peshqit bentikë, tipikë karnivorë të Detit Adriatik e Jon akumulojnë sasira të konsiderueshme të kadmiumit jo vetëm në mëlci e veshka por dhe në muskul. Vlerat mesatare të përqëndrimit të Cd shpesh herë i kalojnë vlerat maksimale të lejuara për konsum nga EC, duke përbërë kështu një rrezik potenzia për shëndetin human. Mbështetur në këto të dhëna mbetet detyrë e mëtejshme e enteve shtetërore, nxitja dhe financimi i projekteve shkencore që kanë për qëllim monitorimin në vazhdimësi të specieve të peshqve konsumi i të cilëve përbën rrezik për shëndetit human.

Sipas rregulloreve të EC (EC, 2006, 2014) vlera maksimale e lejuar për konsum publik e kadmiumit  (Cd) në peshqit bentikë e pellagjikë varion nga 0,050 – 0,25 mg/kg peshë të njomë.

Burimi: EC, 2006. COMMISSION REGULATION (EC) No 1881/2006 of 19 December 2006 setting maximum levels for certain contaminants in foodstuffs.

EC, 2014. COMMISSION REGULATION (EU) No 488/2014 of 12 May 2014 amending Regulation (EC) No 1881/2006 as regards maximum levels of cadmium in foodstuffs.

 

Punoi: Dr. Enkeleda OZUNI

Departamenti  I Moduleve Morfofunksionale, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare

Shto Koment

Na Ndiqni në: