VENDI I PEMËTARISË NË BUJQËSI DHE I SHEGËS NË PEMËTARI

Që prej kohëve mjaft të lashta, njerëzit kanë filluar të konsumojnë frutat që i kanë gjetur në natyrë,  në gjendje të egër. Me kalimin e kohës dhe gradualisht, frutat janë vlerësuar shumë nga njeriu dhe është kaluar në kultivimin e tyre de përkujdesjen gjatë vegjetacionit. Këtë gjë e tregon më së miri përdorimi i gjerë i tyre si pjesë përbërëse e ushqimit të përditshëm. Ky vleresim ka kaluar nëpër ulje-ngritjet e tij, por në përgjithësi ai ka patur tendencë rritje duke arritur deri aty sa sot, në jetën e përditshme të njerëzve, nuk mund të kuptohet një drekë apo një darkë ku të mungojnë frutat në formën e tyre të freskët apo të përpunuar.

Pemëtaria është një degë shumë e rëndësishme e bujqësisë e cila ndikon jo vetëm në një zhvillim harmonik dhe të qëndrueshëm të bujqësisë, por ka nje ndikim organizativ shoqëror dhe shëndetësor me shumë rëndësi për shoqërinë njerëzore. Qëkur u shfaq në tokë njeriu është ushqyer me frutat, rrënjët dhe lulet e pemëve të ndryshme të egra, të cilat i gjente të gatshme në ambjentin që e rrethonte. Në këtë kuptim, frutikultura ka qënë shoqëruese e proçesit të evolucionit njerëzor që në fillesat e veta e vazhdon të jetë një fushë me rëndësi edhe në ditët tona. Para se të zbulohej zjarri, para se të zbuteshin kafshët apo bimët, njeriu është ushqyer me fruta te ndryshme që ka marrë nëpër pyje, të cilat kanë qenë një nga burimet më të rëndësishme të ushqimit të tyre.

Është i njohur fakti se me anë të llojit të ushqimit që konsumon, njeriu gjykohet për nivelin e zhvillimit, kështu, njihen tre shkallë:

a) TEPSI – BUKË

b) TENXHERE – GJELLË

c) SHPORTË – FRUTA

Popujt e varfër e kanë të bazuar ushqimin e tyre kryesisht në shkallën e parë, në konsumin e madh të bukës dhe më pak gjellë e fruta. Tek niveli mesatar i zhvillimit të popullsisë, vërehet një konsum i madh i kategorisë së dytë bazuar në një konsum të gjellës relativisht pak bukë dhe fruta, apo me nivele modeste të konsumit të tyre. Ndërkohë që tek kategoria e zhvilluar konsumohen shumë fruta në të gjithë format e tyre të mundshme: të freskëta, lëng, të përpunuara, të thata, të konservuara, etj relativisht pak bukë dhe nivel mesatar të gjellës. Nga sasia, por në mënyrë të veçantë nga llojshmëria e frutave që konsumon njeriu, varet shumë gjendja e tij shëndetësore, fizike dhe mendore.

Për këtë arsye, mund të thuhet se pemëtaria gëzon një vend shumë të veçantë, dhe prodhimet që sigurohen nga pemëtaria janë të shumta, të shumëllojshme dhe shumë të vlefshme e të nevojshme për njeriun. Këtu përfshihet si përdorimi i tyre për konsum të freskët, në formë lëngjesh, të konservuara, për përgatitjen e esencave, në kozmetike e deri tek përdorimet që ato kanë në mjekësinë popullore.

Vendi i shegës në pemëtari. Kushtet klimateriko-tokësore, tradita dhe faktorë të tjerë, bëjnë të mundur që në vendin tonë të njihen dhe të kultivohen shumë lloje të pemëve frutore. Mes tyre, shega zë një me rëndësi jo aq nga sipërfaqja apo prodhimi i përgjithshëm sesa nga dashuria që kanë bahçevanët dhe pemërritësit ndaj kësaj kulture kaq të veçantë.

Shega është një nga pemët frutore më të rëndësishme për disa vende të botës, po ashtu edhe në Shqipëri. Ajo paraqitet si shkurre që rritet zakonisht në rreth 5m lartësi. Ka degë të pajisura me gjëmba. Vendi ynë me pozicionin gjeografik dherelievin që ka, paraqet një ndryshueshmëri të klimës dhe një ndryshueshmëri të lartë të mundësive për kultivimin apo rritjen spontane të shumë bimëve. Larmia e bimëve që rriten në rajonin tonë krahas kushteve natyrore, janë rezultat i historisë së lashtë të fillimit të kultivimit të tyre dhe të traditës së krijuar. Sipas mendimit të shumë shkencëtarëve, një pjesë e mirë e bimëve të kultivuara apo edhe spontane, e kanë origjinën pikërisht në rajonin e Mesdheut, i cili konsiderohet si vatër e formimit  të  mjaft  bimëve  të  kultivuara  që mbarështojmë sot.

Pemët e shegës dihet se janë bimë të jetëgjata, por prodhimi i frutave bie pas pesëmbëdhjetë vjet. Pemët janë të ngjashme me shkurre dhe mund të rriten deri në 9 metra lartësi. Sidoqoftë, ato zakonisht rriten deri në 3-4 metra veçanërisht në zonat e kultivuara. Disa varietete xhuxh janë gjithashtu në dispozicion. Bima e shegës është pak a shumë me erëza. Lëvorja e pemës ka ngjyrë kafe të kuqërremtë, kur bima është e re dhe kthehet në ton gri ndërsa piqet. Ekziston një tendencë e lartë për të thithur bazën e bimës. Në pemishte, bimët zakonisht stërviten në një trup të vetëm. Një pikë tjetër e rëndësishme është distanca midis pemëve dhe numri i pemëve për sipërfaqen e njësisë. Në të vërtetë, nëse numri i pemëve për sipërfaqe njësi është i mirëorganizuar; dhe numri i frutave për pemë rrallohet në numër të përshtatshëm sipas fuqisë së pemës, nuk vërehet ndonjë ndryshim i konsiderueshëm midis rendimenteve të një trungu dhe trungjeve të shumta. Shumica e shegëve fillojnë të japin fryt në vitin e tyre të tretë, por prodhimi fillon pas 5 vitesh. Rendimenti i një peme mund të jetë rreth 10-20 kg në vitin e tretë dhe mund të arrijë deri në 60-100 kg në vitin e pestë, në varësi të kultivarit, rajonit gjeografik dhe praktikave të prodhimit gjithashtu.

Fakti që në vendin tonë gjenden mjaft shegë të egra duke filluar nga kodrat pranë detit e deri në lartësitë e disa kodrave deri në zonën paramalore, tregon se kjo bimë, gjen kushte të përshtatshme për rritjen dhe zhvillimin e saj në gjendje të egër natyrore. Aktualisht ka mjaft masive të egra në shumë kodra të vendit tonë sidomos në pjesën e Ultesirës e deri në pjesën Qëndrore të Shqipërisë. Nga ana tjetër, lehtësia në shtimin si dhe në kultivim e shegës së butë, kërkesat minimaliste për shërbimet, ka bërë që kjo bimë të përhapet mjaft dhe të ketë një rritje në vazhdimësi të numrit të rrënjëve, dhe të sipërfaqeve të kultivuara. Një ide mbi ecurinë e numrit të shegëve të kultivuara në vendin tonë në vite, jepen në tabelën në vijim.

Ecuria e numrit të rrënjëve të shegës së kultivuar në vendin tonë

Treguesi

Vitet

1928

1938

1968

1988

2005

2019

Numri i rrënjëve

62 000

75 000

197 000

370 000

200 000

260 000

Shega e kultivuar gjendet kryesisht në formën e brezit apo edhe si bimë të veçuara në kopshtet e fermerëve, pra thuajse mungojnë plantacionet me këtë kulturë. Themi thuajse mungojnë për arsye se në shumë vende ku ato kanë qenë më parë, janë dëmtuar nga mos kujdesi apo edhe nga ndryshimi i destinacionit të tokës bujqësore. Ndërsa parcelat e reja të kultivuara me shegë në dy dekadat e fundit janë akoma sipërfaqe modeste krahasuar me mundësitë që ka zhvillimi i kësaj kulture.

Shega në vendin tonë në kushte agroteknike të mira dhe me lagështi normale, jep prodhim të bollshëm  rreth 50 – 60 kg fruta për rrënjë. Nëse marrim në konsideratë një dendësi normale prej 700 – 1000 bimë/ha, prodhimi i mundshëm prej 35 ton/ha është i konsiderueshëm dhë nxitës për çdo fermer për të futur në praktikën e vet bujqësore edhe bimën e shegës, si një oportunitet bujqësor për të siguruar të ardhura të konsiderueshme.

Avantazhet e shegës: Krahasuar me bimët e tjera frutore ku shega është një nga drufrutorët me rëndësi, kjo bimë mbart disa karakteristika dhe manifeston disa veçori që i japin asaj përparësinë për një përhapje të gjërë. Ajo nuk është vetëm një bimë që zë tokën dhe jep një prodhim të caktuar, por ajo mund të shërbejë edhe për bashkëshoqërime,  për mbjellje anash rrugës, për zbukurim, dekoracion gjelbërim, etj. Sehga, krahas karakteristikave të ngjashme me drufrutoret e tjerë paraqet edhe disa specifika, në vijim rendisim disa prej tyre: i) Jep prodhim shumë të kënaqshëm për njësi të sipërfaqes, duke shfrytëzuar mjaft mirë vetitë prodhuese të tokës, duke zënë relativisht pak sipërfaqe për bimë; ii) Krijon kushte për një efikasitet të shfrytëzimit të tokës nëpërmjet dhënies së rendimenteve të kënaqëshme; iii) Ndikon në mbrojtjen e tokës nga agjentet atmosferike, në mënyrë të veçantë nga erozioni, duke shfrytëzuar më së miri tokat e pjerrëta, ledhet, etj; iv) Ka vlera mjaft të mira ushqyese e në veçanti kuruese; v) Vlerat kuruese shfaqen jo vetëm tek frutat por edhe tek lëvoret, rrënjët, etj; kurat të cilat janë mjaft të thjeshta në përgatitje, për më tepër ato nuk japin efekte anësore të dëmshme për shëndetin; vi) Mund të mbillet në lulishte publike por edhe në anë të rrugëve, pasi fruti i saj është i “paketuar” në mënyrë të tillë që i ruan vlerat, pa u ndikuar nga pluhurat apo ndotës të tjerë; vii) Ka një dru shumë rezistent dhe të parapëlqyer nga përpunuesit dhe mjeshtërit e gdhendjes së drurit, duke dhënë objekte me vlera shumë të veçanta; viii) Është bimë rezistente dhe preket pak nga sëmundjet dhe në përgjithësi nuk është vatër për përhapjen e sëmundjeve apo dëmtuesve të bimëve të tjera bujqësore; ix) Shpërblen mjaft mirë shërbimet që mund ti kryhen si: plehërim, ujitje, prashitje, kultivime, mulçërime, etj. pra, bima e shegës kërkon pak shpenzime për të ardhur deri tek prodhimi; x) Shtohet me lehtësi dhe i përshtatet shumë mirë kushteve klimatike dhe tokësore mjaft të variueshme gjë që favorizon ndjeshëm mundësinë e përhapjes së kësaj bime në shumë pjesë të vendit; xi) Ruhet relativisht lehtë për një periudhë të caktuar;xii) Prej saj prodhohen nënprodukte si lëngu, ashtu edhe në përzierje të ndryshme; xiii) Ka kërkesa në rritje nga tregjet e vendit dhe të huaja; xiv) Është bimë që e kthen shpejt investimin që kryhet.

Këto e të tjera veti që gëzon dhe shfaq bima e shegës, i japin asaj të drejtën që të ketë një areal përhapjeje gjithnjë në rritje dhe të kërkohet gjithnjë e më shumë nga fermerët shqiptarë. Njohja më e mirë dhe për më tepër shfrytëzimi i këtyre vetive të bimës së shegës, do të mund të japin më shumë mundësi për këtë dru frutor që të zërë vendin që meriton duke shtuar siperfaqet e mbjella.

Shto Koment

Na Ndiqni në: