Agroturizmi është një dukuri e re e zhvillimit rural (bujqësisë) dhe turizmit rural që po merr formë gjithnjë e më shumë përgjatë viteve të fundit. Agroturizmi konsiderohet një sipërmarrje rurale që mund të nxisë zhvillimin rural (RD). Agroturizmi është një strategji e diversifikimit të aktiviteteve në fermë që rrit punësimin, mbron peizazhet, parandalon shpopullimin në zonat rurale, siguron teknika më të qëndrueshme të prodhimeve të fermave. Agroturizmi përfaqëson një strategji zhvillimi për zonat margjinale rurale dhe një burim të rëndësishëm të ardhurash, veçanërisht për fermat e vogla dhe të mesme.
Kohët e fundit, agroturizmi ka tërhequr vëmendjen e politikë bërësve për shkak të rolit të tij si katalizator në zhvillimin rural. Ekzistojnë disa iniciativa që adresojnë në mënyrë specifike sfidat e zhvillimit të agroturizmit, duke reflektuar një përparësi të konsiderueshme në nivelin kombëtar të politikë bërjes. Aktualisht ka disa nisma për hartimin e politikave në drejtim të rregullimit, taksimit, skemave financiare mbështetëse. Së pari, ekziston vendimi i këshillit ministror (MCD) i cili adreson procedurën e regjistrimit të një agroturizmi dhe çështje të tjera në lidhje me zhvillimin e tij. Së dyti, në kuadrin ligjor aktual njësitë agroturizëm janë lehtësuar në aspekte fiskale. Kështu, tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) është reduktuar nga 20% në 6%, dhe gjithashtu taksat mbi të ardhurat u ulën nga 15% në 5%. Së treti, ekzistojnë skema financiare (d.m.th., grante nga IPARD dhe skemat kombëtare) që mbështesin ata që synojnë të investojnë në agroturizëm (p.sh., rindërtimi i ndërtesave të vjetra në zonat rurale, diversifikimi i aktiviteteve bujqësore etj.).
Megjithatë, edhe pse agroturizmi konsiderohet si një katalizator i zhvillimit rural, apo që ekzistojnë një sërë iniciativash politik-bërje që e mbështesin atë, ky sektor nuk ka shpejtësinë e zhvillimit në nivelet e duhura. Për ta konkretizuar, mjafton të theksojmë faktin, se në 2019, një vit pasi u prodhua VKM për njësitë agroturizëm, kishte rreth 15 njësi agroturizëm të certifikuar, ndërkohë sot rreth 3 vite më vonë, ekzistojnë vetëm 20 të tilla (pa përfshirë ata të para-çertifikuara). Ky numër nuk përfaqëson potencialin e Shqipërisë në aspektin e numrit të njësive agroturizëm. Nga studime të fundit pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, gjykohet se në Shqipëri ka një potencial prej të paktën 200 ferma të cilat mund të shndërrohen në njësi agroturizëm.
Por si mund të përshpejtohet zhvillimi i këtij sektori? Shpeshherë e theksoj që, për ne si një vend i vogël, dhe i rrethuar nga vende që janë modele shumë të mira ndërkombëtare, nuk na duhet të “shpikim rrotën”, ajo është shpikur tashmë, mjafton ta kopjojmë, por me një kusht, në mënyrën ë duhur dhe i përshtatur me realitetin tonë. Kështu, Italia është konsideruar modeli më i mirë në Botë për zhvillimin e agroturizmit. Agroturizmi në këtë vend është zhvilluar bazuar në shumë elementë, por ndër më kryesorët lidhen me kulinarinë e pasur, historia e hershme, peizazhet e larmishme etj. Megjithatë, kohët e fundit, një aspekt që ka ndikuar në përshpejtimin e këtij sektori ka qenë pa dyshim bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të lidhur direkt dhe indirekt me këtë dukuri. Kështu, në rajonet e Italisë, ku agroturizmi ka një intensitet të lartë dhe cilësor zhvillimi, karakterizohen nga një nivel i lartë bashkëpunimi nëpërmjet shoqatave dhe rrjeteve. Në këto rrjete janë pjesë aktive, agroturizmet, ferma bujqësore, përpunues, qeverisja lokale/rajonale, agjenci turistike, restorante, njësi akomodimi etj.
Për tu kthyer tek realiteti i vendit tonë, mendoj se tashmë njësitë agroturizëm duhet të jenë vetë iniciues të përshpejtimit të zhvillimit të këtij sektori, duke bashkëpunuar. Në situatat ku problemet janë komplekse dhe kërkojnë një përgjigje ndër-ose multi-organizative, kërkohet bashkëpunim. Bashkëpunimi nuk është gjë tjetër, veçse, synimi për të arritur atë çfarë nuk arrihet individualisht. Nëpërmjet bashkëpunimit njësitë agroturizëm mund të arrijnë një sërë objektivash në interes të tyre. Këto objektiva mund të bazohen në dy shtylla kryesore:
1. Rritja e sektorit
2. Lobimi dhe advokimi i interesave të tyre
Rritja e sektorit mund të jetë më i shpejtë nëse njësitë agroturizmë intensifikojnë bashkëpunimin midis tyre me synim organizim marketing të përbashkët, trajnime (ngritje kapacitetesh njerëzore), krijimi dhe ruajtja e standardeve, ngritje dhe mbështetje kauzash.
Nëpërmjet bashkëpunimit midis tyre, njësitë agroturizëm mund të arrijnë më lehtë të lobojnë/advokojnë për të mbrojtur interesat e tyre. Lobimi/advokmi mund të jetë për aspekte të tilla si; përmirësim i aspekteve ligjore, fiskale, grante dhe Subvencione, për tu bërë anëtar i komisionit ndërministror të çertifikimit të subjekteve agroturizëm etj. Në vijim, lobimi/advokimi mund të bëhet lidhur me ngritjen e strukturave pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e dedikuar për shqetësimet e ngritura nga njësitë agroturizëm.
Por, për të përshpejtuar rritjen e sektorit, apo për të lobuar për interesat e tyre, njësitë agroturizëm duhet të bashkëpunojnë edhe me aktorë të tjerë të zinxhirit të vlerës. Pra, njësitë agroturizëm mund dhe duhet të zgjerojnë bashkëpunimin me aktorë të aktorë të tjerë të klasifikuar si:
Aktorë ndërveprues; agjencitë turistike, fermat bujqësore, njësitë e akomodimit, etj.
Aktorë mbështetës; Akademia/universiteti, qeveria qendrore dhe lokale, Institucione
financiare, Agjenci marketingu etj.
Bashkëpunimi i njësive agroturizëm me aktorët ndërveprues dhe mbështetës krijon të ashtuquajturin rrjetëzimin, që është dhe modeli i funksionimit të bashkëpunimit në rastin e Italisë. Ky nivel bashkëpunimi/ndërveprimi është edhe më i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të agroturizmit. Rrjeti është një sistem ndërveprimi midis aktorëve të ndryshëm me synim shkëmbimin e burimeve, informacioneve, aktiviteteve dhe mbështetje të ndërsjella në rritjen e kapaciteteve me përfitime reciproke.
Shkëmbimi i njohurive është një nga përfitimet kryesore të rrjetëzimit të fermave agroturistik. Sipërmarrësit e agroturizmit bashkëpunojnë me njësi të tjera dhe shkëmbejnë përvoja në lidhje me operacionet e furnizimit, marketingun dhe ide të tjera inovative. Nëpërmjet shkëmbimit të njohurive, por edhe përmes burimeve dhe operacioneve të tjera, është e mundur të zvogëlohen kostot dhe të përmirësohet cilësia e shërbimeve të ofruara.
Rrjetet janë një parakusht për inovacion. Me fjalë të tjera, për fermat agroturizëm, bashkëpunimi me palët e tjera të interesit dëshmon një faktor domethënës në vendimmarrjen e tyre për të krijuar risi, ku ky i fundit është një kontribuues vendimtar në forcimin e agroturizmit. Rrjetet i lejon sipërmarrësit të përdorin marrëdhëniet e tyre profesionale dhe sociale për të siguruar aktivitete marketingu me një kosto të reduktuar apo të përballueshme. Nëpërmjet rrjetëzimit, fermat agroturizëm përfitojnë në aspektin e marketingut për shkak të fushatave të përbashkëta si broshurat dhe ëebsite në internet. Përfitime të tjera vijnë për sa i përket rritjes së rezervimeve dhe sezoneve më të gjata, ndjekja e kurseve,
fuqia negociuese dhe zhvillimi i tregut të veçantë të agroturizmit. Rrjetet nxisin bashkëpunimin ndërmjet konkurrentëve (d.m.th., fermat e agroturizmit) të njohur si bashkë-konkurrencë. Për shembull, nëse njësia e akomodimit të një ferme është e mbi-rezervuar, një sipërmarrës agroturizmi mund t’i këshillojë vizitorët të rezervojnë në një fermë tjetër agroturizmi në të njëjtin rajon, edhe pse është një konkurrent.
Rrjetëzimi argumentohet si një faktor i rëndësishëm që i mundëson agroturizmit të mobilizojë marrëdhëniet për të përmirësuar performancën e tyre ekonomike dhe për të krijuar mundësi të reja për rritje. Studiuesit argumentojnë se rrjetëzimi është një faktor i rëndësishëm në forcimin e reputacionit të agroturizmit të një zone, diferencimi i produkteve dhe vendosja e çmimeve më të larta, rritja e konkurrencës, rritja e shitjeve direkte dhe gjenerimi i të ardhurave dhe mbajtja e klientëve.
Si përfundim, krahas vëmendjes së krijuar nga ana e politik bërësve (qendror dhe lokal), apo edhe investitorëve të ndryshëm, dhe si rrjedhojë e rëndësisë që agroturizmi ka për zhvillimin e zonave rural, është e udhës dhe koha e duhur që këto njësi të jenë më aktive në nxitjen e përshpejtimit të zhvillimit. Por ky përshpejtim mundësohet vetëm në kuadër të bashkëpunimit.
Institución lokal