Orkiektomia (kastrimi) në kafshët e shoqërimit.

Orkiektomia (kastrimi) në kafshët e shoqërimit.

Çfarë është Orkiektomia?

 

Orkiektomia është procedura kirurgjikale në të cilën bëhet largimi i organeve riprodhuese mashkullore të njohura si testikuj. Zakonisht kjo procedurë rekomandohet dhe për qentë apo maçokët meshkuj që janë diagnostikuar me kriptorkizëm (testikujt nuk  bien në qesen skrotale), por gjithashtu mund të rekomandohet edhe në rreziqet e problemeve shëndetësore specifike. Orkiektomia është një procedurë relativisht e shpejtë, e shkurtër në kohë dhe me kosto efektive për pronarin. Një qen agresiv mund të përmirësohet nga kastrimi nëse shkaku lidhet me nivelet e hormoneve mashkullore, por jo nëse kafsha nuk është socializuar apo edukuar mirë dhe ka frikë nga njerëzit dhe qentë e tjerë.

Një shqetësim i zakonshëm nga pronaret është se qeni apo macoku i tyre do të bëhet mbipeshë dhe letargjik pas kastrimit, por kjo është 100% e parandalueshme me dietë ushqimore dhe stërvitjen e duhur.

 

Përparësitë kryesore të kastrimit të kafshëve të shoqërimit janë:parandalimi i riprodhimit, parandalimi i kancerit të testikujve, zvogëlimi i rrezikut të problemeve të prostatës (përfshirë dhe kancerin e prostatës) dhe modifikimi i sjelljeve të caktuara. Kafshët e shoqërimit të pakastruara që riprodhohen në mënyrë të parregullt mund të çojnë në mbipopullim të tyre .Mbipopullimi është një problem i madh anembanë vendit.

 

Pse duhet ta kastroni qenin apo maçokun tuaj?

 

Kastrimi është shumë i dobishëm për shëndetin e kafshës, veçanërisht nëse kryhet në moshë të re. Pas pubertetit, i cili ndodh afërsisht në moshën 8 deri në 12 muajshe shpesh zhvillohen një sërë ndryshimesh të padëshirueshme të sjelljes. Kafsha fillon të përcaktoj territorin e saj, madje edhe brenda shtëpisë, duke spërkatur me urinë. Kjo urinë ka një erë veçanërisht jo të këndshme dhe është e vështirë të largohet. 

 

Kur është koha optimale për kastrim?

 

Në shumicën e rasteve, rekomandohet përpara fillimit të pubertetit. Puberteti zakonisht fillon midis moshës gjashtë dhe dhjetë muajshe. 

Mosha më e mirë për të kastruar varet nga arsyeja për ta bërë këtë. Nëse është një procedurë e planifikuar, mund të kryhet në moshën 9-12 muajshe., por  dhe në moshat më  të mëdha qoftë në  rastet  normale  apo kur  është e nevojshme si psh në rastin e  një  tumori  testikular.

 

Procedura e orkiektomisë

 

Përpara kryerjes së një operacioni orkiektomie, duhet të kryejmë një ekzaminim të përgjithshëm të vlerësimit të kafshës nëse ka peshën e duhur dhe ka dy testikuj plotësisht të zbritur në skrotum,për tu siguruar që ai është mjaft i shëndetshëm për t’iu nënshtruar një operacioni. Nëse dyshohet për kancer ose sëmundje të tjera të prostatës ose testikujve,duhet të merren edhe imazhe diagnostikuese përpara operacionit. Qeni apo maçoku vendoset nën efektin e një anestezie të përgjithshme dhe përgatitet për operacion. 

 

Një mënyrë tjetër e rëndësishme për të minimizuar rreziqet është marrja e një testi gjaku përpara anestezisë. Kjo mund të bëhet në ditën e operacionit ose disa ditë më parë. Kjo realizohet për të kontrolluar funksionin e mëlçisë dhe veshkave (të dyja jetike kur kemi të bëjmë me preparate anestetike) dhe për të përjashtuar ndonjë sëmundje të dyshimtë.

Përpara anestezis, qeni apo maçoku duhet të lihet në diet urie për disa orë në mënyrë që të parandalohet çdo problem me të vjella të cilat mund të jenë të rrezikshme. Përveç kësaj, është mirë që t’i përmbaheni sa më shumë që të jetë e mundur rutinave normale të ditës në mënyrë që kafsha të mos ndihet e shqetësuar. Kjo procedurë kirurgjikale në përgjithësi zgjat 20 deri në 30 minuta.

 

Rimëkëmbja pas orkiektomisë.

 

Kafsha që i është nënshtruar një operacioni orkiektomie mund të kthehet në shtëpi në të njëjtën ditë që bëhet operacioni. Në shtëpi, aktivitetet fizike duhet të kufizohen,duhet që kafsha të vendoset në një zonë të butë dhe të izoluar në shtëpi për të pushuar për dy ditët në vijim. Mund të vihet një kollaro elizabet për të parandaluar kafshën të ngacmojë vendin ku është bërë ndërhyrja dhe jepen antibiotikë (nëse është e nevojshme) për të parandaluar infeksionin dhe antiinfamator. Enjtja e skrotumit është një dukuri e zakonshme pas operacionit por kjo është afatshkurtër, e cila mund të trajtohet në shtëpi me material të ftohtë (akull) të aplikuar direkt në vendin e ënjtjes në intervale prej 5 deri në 15 minuta.

 

Nëse gjithçka shkon siç duhet, qeni apo maçoku ndihet mjaft normal brenda rreth 1-2 javësh pas operacionit. Disavantazhet kryesore të kastrimit janë rreziqet që lidhen me çdo anestezi të përgjithshme dhe çdo operacion, por këto janë rreziqe shumë të vogla kur krahasohen me përfitimet e mundshme.

Çfarë komplikimesh kirurgjikale mund të lindin?

Në përgjithësi, ndërlikimet janë të rralla gjatë operacionit të kastrimit, megjithatë, si me të gjitha procedurat kirurgjikale, ekziston gjithmonë një rrezik i vogël i infenksionit. Në shumicën dërrmuese të rasteve nuk vërehen efekte negative pas kastrimit.

Autor 

Bledar Goxhaj

Na Ndiqni në: