Dëmtimet e kockës së gjoksit në pulat për vezë – fenomen present edhe në Shqipëri

Hyrje

 

Në Shqipëri sipas të dhënave te INSTAT mbarështohen në ferma intensive rreth 1, 5 milion krerë pula për vezë dhe rreth 12 milion krerë për prodhim mishi (brojler) në vit.

Këto ekonomi kanë një shtrrje gjeografike pothuajse në gjithë teritorin e Republike se Shqiperisë por mund të themi se në qarkun e Durrësit mbizotërojnë pjesa më e madhe e pularive për vezë dhe në qarkun e Fierit ato për prodhimin e mishit.

Në këto komplekse industriale, prodhimi është shumë i intensifikuar dhe shpendët trajtohen me racione ushqimore sipas recepturave përkatëse të cilat sigurojnë një prodhim maksimal me kosto sa më efektive. 

Megjithëse në këto komplekse shpendësh kushtet e qëndrimit janë shumë të optimizuara, trajtohen me racione ushqimore të balancuara (kështu pretendohet) përsëri në momente të caktuara shpendët shfaqin probleme të shëndetit dhe të prodhimit. Shpendët shpesh herë qëdrojnë me vështirësi, kanë rritje të shformuar të thonjve, qëndrojnë si të veçuara në një qoshe të kafazit, nuk konsumojnë sasinë e programuar të ushqimit, shpesh edhe mund të çalojnë dhe së fundi por që bie në sy menjëherë, ulet priodhimi i vezëve. Midis shumë shkaqeve dhe fenomeneve që janë përgjegjëse për sa cituam më sipër, dëmtimi i kockës së gjoksit (sternumit) apo më mirë të themi frakturat dhe devijimet e tij janë një problem me rëndësi të madhe për komplekset e ritjes së shpendëve për vezë por edhe në brojlera.

Fig. 1 Frakturë e kockës së sternumit

Shpendët me dëmtime të sternumit kanë vështirësi në qendrim, lëvizje dhe për me tepër ulin prodhimin e vezëve. 

Dëmtimi i sternumit shaktohet nga shumë faktorë të ndryshëm si: kushtet e sterhimit, të mbarështimit, të ushqyerit, gjenetikë, etj.

Sikurse theksuam më lart, dëmtimi i sternumit shoqerohet jo vetëm me ulje të konsiderueshme të produktivitetit, por edhe me uljen e cilësisë së mirëqënies së kafshëve të cilat janë të sanksionuara në direktivat e BE për pulat e prodhimit të vezëve: COUNCIL DIRECTIVE 1999/74/EC e 19 Korrikut 1999 dhe te brojlereve me: Council Directive 2007/43/CE, e Qershorit 2007.

Në kushtet që flasim, ka të dhëna të besueshme nga specialistë që punojnë në komplekset e ritjes së shpendëve në Shqipëri se këto komplekse e kanë si problematike por nuk ka studime te mirfillta që të japin një vlerësim të saktë dhe të argumentuar shkencërisht se në ç`masë janë dëmtimet, llojet e tyre, shkaqet dhe se si mund të zgjidhet apo të parandalohet kjo situatë.

 

Sektori i pularive për prodhim vezeësh në Shqipëri

Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT numri i shpendëve dhe i pulave në Shqipëri në vitin 2019 ishte në total shpendë – 8.175 milione, nga te cilat pula për vezë – 5.004 milion, të cilat kanë prodhuar rreth 865 milionë kokrra vezë. 

Në prodhimin e vezëve Shqipëria me prodhimin vendas plotëson kërkesat e konsumatorit shqiptar me normat e konsumit si në vendet e BE dhe sasira të vogla i eksporton në vende të ndryshme. 

Nga rreth 5 milion pula për vezë, rreth 1.2 milionë mbarështrohen në komplekse të përqëndruara me teknologji te avancuar që prodhojne nga 300 deri 320 vezë / krerë në vit.

Hibridet më të përhapur për prodhimin e vezëve jane sipas rendit Lohman, HY- Line, Dekalb, Novogen, etj. 

Ushqime në mbi 95% për këto shpendari sigurohen nga importi pasi janë ndërtuar mbi baza thellësisht shkencore, të balancuara dhe me një shumëllojshmeri përbërësish me qellim plotësimin e gjithë nevojave të shpendëve dhe sigurimin e prodhimit të vezëve në mënyre të pandërprerë.

Në përgjithësi sistemet intensive të pulave për vezë në Shqipëri janë të tipit të mbajtjes në bateri me kafaze me kate ku çdo kafaz dhe kat, ka një numër të caktuar krerësh në varësi të përmasave të kafazit. Një pjesë e fermave kanë kafaze të tipit të vjetër me përmasa 0,5m X 0,5m X 0,5m ku qëndrojnë 6 pula dhe një pjesë e pularive kanë filluar ti zëvendësojnë me kafaze të tipit të ri, me të mëdhenj me përmasa 2.4m X 0,6m X 0,5m, ku strehohen rreth 36 krerë pula.

Frakturat e kockës së gjoksit dhe situata e mirqënies së pulave në Shqipëri

 

Frakturat në kockën e gjoksit janë një problem i rëndësishëm me të cilin ballafaqohet industria e shpendëve për vezë, ku niveli i dëmtimit të kockës së gjoksit shkon nga 30 – 90 % të një tufe deri në 45 javëshe në shumë vende të Europës. Dëmtimi i kockës së gjoksit (sternumit) është një nga problemet më shqetsuese të Këshillit për Mbrojtjen dhe mirqënien e kafshëve, si faktori kryesor që demton industrine e prodhit te vezeve. Nisur nga ky shqetsim i madh shume kerkime dhe studime janë ndërmarë për të vlerësuar faktorët e rrezikut, problematikat në shëndetin e shpendëve, impaktin ekonomik dhe për të treguar mbi mundësitë dhe mjetet që duhen përdorur në reduktimin e këtij fenomeni. 

Problemi kryesor që shqetëson këtë Këshill ka qenë dhimbja e shfaqur gjatë këtij dëmtimi (fraktura ose devijimi i sternumit) e cila, ka implikim kryesor në mirëqënien e shpendëve dhe pastaj kjo ndikon në uljen e prodhimit të vezeve.

Megjithëse deri më tani është përdorur metoda e palpimit (me prekje) dhe deri diku ka zbuluar një numër të rasteve sërish ajo ka qenë e pa mjaftueshme për ta zbuluar fenomenin në tërësi. Kështu që nga të dhënat e studimeve të tjera tregohet se pulat për vezë vuajnë nga dëmtimi i sternumit deri në masën 97%. Kjo është një e dhënë dramatike që dëmton jo vetëm shëndetin dhe mirqënien e shpendëve por edhe uljen e ndjeshme të prodhimit të vezëve. 

Shumë studime të kryera në vënde të ndryshme për të përcaktuar prevalencën e frakturave të sternumit kanë treguar se ato variojne nga 11,6 % deri në 97%.

Ende nuk dihen shkaqet e vërteta të frakturave të sternumit në shpendët për vezë por mendohet se goditjet, përplasjet me elementët ose paisjet brenda strehimit të tyre janë një shkak i fortë potencial. Por gjithashtu, mendohet se përveç goditjeve edhe faktorë të tjerë sikurse kontraksionet e fuqishme muskulore etj., mund të shkaktojnë frakturën e sternumit.

Pas frakturave fillojnë fazat e shërimit duke filluar me formimin e kallos dhe duke vazhduar me fazat e tjera deri në shërim, por kjo bën që teknika e palpimit të mos jetë në gjendje të zbulojë të gjitha rastet. Prandaj propozohen teknikat imazherike dhe posaçërisht ajo radiografike e cila është në gjendje të zbulojë pothuajse 100% të gjitha rastet.

Studime të tjera tregojnë per implikimin e faktorëve metabolike në shfaqjen e frakturave në kockën e sternumit tek pulat për vezë. Kështu, racionet e pabalancuara në lëndë minerale (më së shumti raporti Ca: P), pamjaftueshmëria e thithjes së tyre nga aparati tretës apo mungesa e mikroelementit Selen (Se) mund të jenë shkaqe potenciale.

Gama aktuale e pulave të prekura ndryshon shumë dhe ka të ngjarë të jetë e varur nga një sërë faktorësh ku ndër të tjera përfshihen: mosha, mjedisi i rritjes, të ushqyerit, linja gjenetike, sistemi i strehimit. Megjithëse zogjtë me dhe pa thyerje mund të sillen në mënyrë të ngjashme, thyerjet normalisht mund të identifikohen lehtësisht duke i palpuar pulat në rajonin e sternumit. Besohet se, veçanërisht kur janë të freskëta dhe në një gjendje ku copat e kockave nuk janë të immobilizuara, por në pjesë të veçanta, shkaktojnë dhimbje te pula dhe ulin cilësine e jetës (pra cënojnë mirqënien e saj) dhe produktivitetit. Efektet e produktivitetit duket të jenë veçanërisht të mëdha në pulat më të mëdha se 50 javëshe.

 

Periudha e pjellorisë së vezëve

Megjithëse nuk e dimë shkaktarin e saktë të thyerjeve të kockes se gjoksit, konsensusi shkencor është se pulat mund te përplasen me orendi në mjedisin e tyre që çon në thyerje. Përplasjet ndodhin në të dyja sistemet: me kafaze ose pa kafaze, ku shkaqet mund të jenë paniku ose trafiku me densitet të lartë, gjate muzgut, kur pulat lëvizin lart drejt shtizave ose rampave. Përplasja e shpejtë e krahut

gjatë panikut ose kur pulat përpiqen të rifitojnë pozicionin e tyre gjatë dhe pas uljes janë gjithashtu shkaqe të dyshuara. 

Disa rekomandime specifike përfshijnë:

  • Të zvogëlojë panikun:
  • Prodhuesit gradualisht duhet të fillojnë të ecin nëpër lokale/kapanonet e pulave me rroba me ngjyra të ndryshme, nga drejtime të ndryshme dhe në kohë të ndryshme të ditës. Prodhuesit

fillimisht duhet të lëvizin ngadalë dhe kur pulat të ambientohen, mund të fillojnë të lëvizin më shpejt dhe në mënyrë më të rregullt. Në rastin ideal, kjo duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur, si gjatë rritjes dhe / ose brenda javës së parë pas popullimit te lokaleve/kapanoneve.

  • Ndriçim i mjaftueshëm për të lejuar lëvizje të sakta të pulave sidomos në sistemet gjysëm të lira dhe të lira ose pa kafaze.

Pula moderne hibride janë dukshëm më të rënda dhe me një sipërfaqe krahësh relativisht më të vogël se të afërmit e tyre të egër, duke e bërë fluturimin të vështirë. Përveç kësaj, prodhimi i lartë i vezës demineralizon skeletin, duke e bërë kockën e gjoksit veçanërisht të ndjeshme ndaj deformimeve kur ushtrohet presion mbi të gjatë mbledhjes se tyre dhe frakturave gjatë uljeve të çkujdesura.

Metodat e zbulimit te frakturave te sternumit ne pula

 

Dëmtimi i sternumit në pulat për vezë shaktohet nga shumë faktorë të ndryshëm si: faktorët gjenetikë, kushtet e sterhimit, të mbarështimit, të ushqyerit etj.

Dëmtimi i sternumit shoqërohet jo vetëm me ulje të konsiderueshme të produktivitetit, por edhe me uljen e cilësisë së mirëqenies së kafshëve të cilat janë të sanksionuara në direktivat e BE për pulat e prodhimit të vezëve: COUNCIL DIRECTIVE 1999/74/EC e 19 Korrikut 1999.

Disa nga metodat që përdoren për zbulimin e dëmtimit të kockës së sternumit në pulat për vezë janë: Teknika e palpimit (me prekje), Teknika e diseksionit (me hapje dhe zbulim i kockës së gjoksit), Teknika e imazherisë me ultratinguj apo ECHO, teknika e imazherisë me reze X apo e radiografisë, teknika e Tomografise kompjuterike CT apo e skanerit dhe teknika e Rezonancës magnetike apo RMI.

Teknikat imazherike janë teknika të sakta, të thjeshta, të shpejta, të sigurta, jo stresuese për shpendet dhe mbi të gjitha të padëmshme për shëndetin e tyre dhe të konsumatorit, krahasuar me metodat e palpimit dhe diseksionit.

Tenika e palpimit (me prekje), të cilat shpesh shpendëve që janë të dëmtuar ju shkaktojnë dhimbje dhe stres më të madh dhe shpendët me dëmtime më të vogla nuk i dallon dot dhe kështu shtohet numri i shpendëve me patologji ne gjendje “të fshehtë”. Kjo kërkon personel të super trajnuar dhe me një përvojë shumë të gjatë, por gjithsesi subjektiviteti i kësaj metode mbetet vërtet shumë i lartë.

Nga ana tjetër, duke qenë se pularitë mbarështojnë një numër shumë të lartë shpendësh, pra me dhjetra e qindra mijra pula pothuajse është e pamundur që të realizohet teknika e imazherisë ne çdo shpend të kompleksit. Në këtë kuptim teknika e palpimit ka një rëndesi thelbësore pasi është e thjeshtë dhe e shpejtë dhe pa shumë kosto ekstra, vetëm se kërkon personel të trajnuar mirë dhe në mënyrë të vazhdueshme duke e shoqëruar edhe me modele të gatshme 3D të sternumeve të plastifikuar me shkallë të ndryshme të frakturave me qëllim që punonjësit të realizojnë palpimin por duke u konsultuar direkt me modelin 3D.

Teknika e Diseksionit (vlerësimi i kockës së gjoksit pas ngordhjes apo therjes) e cila është një metodë e saktë dhe e sigurt por kjo teknikë nuk vlen kur shpendët janë të gjallë. Edhe në aplikimin e kësaj metode kërkohet personel i trajnuar dhe për më tepër kujdesi dhe koha gjatë kryerjes së ekspertizës është vërtet shumë e lartë që e bën të vështirë realizimin me saktësi dhe korrektësi të një numri të madh shpendësh.

Në këtë pikpamje teknikat imazherike janë shumë më superiore se sa teknikat e palpimit dhe të diseksionit.

Teknika e ekografise realizohet me paisje ECHO të lëvizshme ose portrabile dhe me sonda të përshtatshme për shpende. Edhe xheli që përdoret është i veçante pasi trupi i shpendëve është i mbuluar me pupla dhe përputhja e sondës nuk është aq perfekte në krahasim më lëkurën e kafshëve. Në momentin që sonda vendoset në njërën anë të muskujve pektorale fillon dhe levizet nga përpara prapa për të dalluar imazhet e kockës së sternumit. Imazhet tregojne mjaft qartë për devijime apo edhe për fraktura dhe natyrisht edhe numrin e tyre dhe vendin e saktë. Në këtë kuptim kjo teknikë është shumë e saktë por kërkon shumë kohë, kërkon personel të trajnuar posaçërisht për këtë paisje dhe rendimenti është i ulët.

Teknika e radiografisë është një teknikë shumë e mire, e saktë dhe e shpejtë. Bazohet në përdorimin e rezeve X që emetohen nga një paisje e veçantë. Tani janë në përdorim edhe paisje të lëvizshme dhe dixhitale që mund të transportohen në ambientet e fermës.

Në momentin që shpendi fiksohet me një mbajtëse të përshtatur enkas për këtë procedure lëshohet tufa e rezeve ”X” dhe në ekranin e kompjuterit del imazhi nga sternumi. Nëse ka frakturë duket mjaft qartë. Si teknikë është shumë e saktë, e shpejtë por që kërkon paisje të kushtueshme, personel të trajnuar dhe ambient për tu mbrojur nga rezatimi.

Nga sa theksuam me sipër në kushtet e prodhimit më e përshtatshjma ngelet teknika e palpimit.

Rekomandime

 

  • Respektimin e dietave ushqimore strikte sipas moshave dhe nivelit të prodhimit.
  • Respektimin e numrit të shpendëve nëpër kafaze me qëllim eleminimin e fenomentit të mbipopullimit. Në këtë mënyrë shmanget edhe konkurenca midisa pulave por edhe traumatizimiet me njëra – tjetrën.
  • Eleminimin e zhurmave të panevoshme ose levizjeve të pakontrolluara të cilat shaktojnë trembje dhe levizje të pakontrolluara që mund të rezultojnë me fraktura më vonë.

 

Prof. Asoc. Dr. Sokol Duro

Departamenti i Moduleve Morfofunksionale, Fakulteti i Mjekesise Veterinare

UBT, Tirane 10.01.2022

Na Ndiqni në: