Ministri kosovar i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci u prit sot në nga Rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku dhe stafi drejtues i këtij universiteti. Në këtë vizitë miqësore të zhvilluar në ambientet e kampusit universitar, dy palët diskutuan për mundësitë dhe fushat e bashkëpunimit në nivel institucional por edhe akademik me qëllim intensifikimin e partneritetit mes dy vendeve në tërësi dhe bashkëpunimit me universitetin në veçanti.
Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Sallaku ndërsa prezantoi shkurtimisht delegacionin kosovar me informacione për IAL-në që ai drejton, foli ndër të tjera për bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare, me ambicien për të rritur standartet në universitet dhe për ta çuar atë në nivele akoma më të larta. Ai tha se ky universitet tashmë është përfshirë në një proces ndërkombëtarizimi dhe në këtë kuadër bashkëpunimet konkrete me universitetet simotra përtej kufijve të Shqipërisë dhe jo vetëm, kanë rëndësi të veçantë në këtë qasje.
Duke përmendur disa nga sektorët e suksesshëm të bujqësisë kosovare si vreshtaria, ai i prodhimit të verës apo regjistri i fermave, Prof. Sallaku tha se shqiptarët duhet të mësojnë prej eksperiencës së Kosovës në këtë drejtim, ashtu sikundër edhe Kosova ka se ç’të mësojë prej shqiptarëve në sektorë të tjerë vitalë të bujqësisë.
Ai theksoi se Kosova mund ta konsiderojë UBT-në një partner të rëndësishëm, për vetë potencialet dhe kapacitetet që ofron ky universitet.
Ndërkaq, i kënaqur që ishte i ftuar në UBT, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës tha se ky takim pasoi pjesëmarrjen në simpoziumin shkencor “Vreshtaria dhe verëtaria në hapësirën mbarëshqiptare’’ si dhe mbledhjen mes dy qeverive, ku ndër të tjera palët u dakordësuan për një sërë marrëveshjesh që synojnë ta transferojnë sektorin e bujqësisë në të tjera dimensione, tha se vendi i tij dëshiron të shtojë bashkëpunimet në nivel akademik dhe shkencor dhe kjo për të maksimalizuar potencialin e resursve bujqësore apo për të ndihmuar në hartimin e politikave të mirëfillta zhvillimore për këtë sector.
Analizat e tokës, rajonalizimi i tokave prodhuese apo identifikimi më efikas i produkteve strategjike në vend, janë disa nga objektivat që ministri Peci synon t’i arrijë gjatë mandatit të tij. Ai shtoi gjithashtu se mes palëve mund të krijohet një memorandum bashkëpunimi për të konkretizuar idetë e përbashkëta.
Shkëmbimi i eksperiencave për sektorë të ndryshëm apo edhe për mësimdhënien, ishte një nga pikat e dakordësuara në parim mes dy palëve ndërsa më tej Prof. Sallaku sugjeroi që të mundësohen të tjera takime në të ardhmen ku mund të prezantohen konkluzione shumë më konkrete, sfidat kryesore dhe objektivat afatshkurtra e afatmesme.
Në fund të fjalës së tij, ministri Peci tha se e shikon me mjaft inters strategjinë e bashkëpunimit me UBT-në.