Nis konferenca ndërkombëtare “UNIVERSITETET E SË ARDHMES”

U zhvillua sot në UBT konferenca ndërkombëtare “Universiteti i së ardhmes’’, krijimi i 4 zyrave të reja të transferimit të teknologjisë në universitetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës dhe Korçës për promovimin e inovacionit dhe punës së të rinjve: Pronësia intelektuale, bashkëpunimi kërkimi shkencor-ndërmarrje, SPIN OFF-e dhe STARTUPS-e.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin rektorë e zv/rektorë të universiteteve shqiptare dhe atyre italiane, zv/ministra të kabinetit qeveritar shqiptar, përfaqësues të diplomacisë italiane në vendin tonë, pedagoge/ë, studente/ë, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë & Industrisë, nga agjensia italiane AICS etj. Synimi i konferencës ishte fillimi i një procesi të përbashkët për të krijuar zyrën e transferimit të teknologjive për 4 universitetet shqiptare, një risi e domosdoshme për vijueshmërinë me sukses të punës në IAL.

Rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku në cilësinë edhe të mikpritësit të këtij eventi, në çelje të tij u shpreh i kënaqur për mundësinë e fillimit të këtij projekti të rëndësishëm ERASMUS por që është shumë më tepër se kaq, përsa i përket objektivave dhe qëllimit që ai ka.

“Përveç dimensioneve kryesore të jetës së një universiteti, mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, misioni i tretë i fokusuar kryesisht në një shndërrimin e universitetit në një qendër të ofrimit të shërbimeve ka qenë dhe vazhdon të jetë motoja kryesore e ekipit drejtues të UBT’’- theksoi Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe për këtë arsye sipas tij, ky IAL ka zgjeruar rrethin e institucioneve, organizatave apo bizneseve ku mund të ofrohen shërbimet.  Ai shtoi se misioni i tretë i universiteteve, ai i ofrimit të shërbimeve është një nga aspektet më të rëndësishme për UBT.

Objektivi për ta realizuar sa më mirë këtë mision, u theksua edhe nga përfaqësuesit italianë në këtë konferencë, të cilët ndër të tjera thanë se nëpërmjet këtij projekti synojnë të nxisin krijimin e sipërmarrjeve të reja nga studentet/ët.

I pranishëm në këtë konferencë, zv/ambasadori Italian A.Petrangeli theksoi rëndësinë e projekteve ERASMUS apo edhe të tjera projekteve të ngjashme të cilat sipas tij ndër të tjera shtojnë bashkëpunimet mes dy vendeve, sidomos në ndihmë të të rinjve.

‘’ Është e rëndësishme –shtoi ai- të krijojmë një urë lidhëse ndërmjet botës së punës, kërkimit shkencor dhe institucioneve shtetërore, pasi duhet investuar më shumë për të rinjtë apo studentet/ët që dalin të diplomuar nga këto auditore’’- theksoi zv/ambasadori Italian.

Më tej ai theksoi se ky është një zinxhir i rëndësishëm që shërben edhe për të forcuar më tej shoqërinë shqiptare, unviversitetet dhe jo vetëm, sepse universitetet janë e ardhmja e vendit dhe forcimi i këtyre strukturave ndikon jo vetëm në shoqëri por edhe në ekonominë e vendit.

Theksi në çështjet e arsimit të lartë, i cili është në fokus të strategjisë së MAS, u vu edhe nga numri dy i kësaj ministrie, Albana Tole. Ajo tha ndër të tjera se procesi i ndërkombëtarizimit të unviersiteteve është një koncept relativisht i ri por mjaft i  rëndësishëm për rritjen e standarteve në universitete për mësimdhënien, kërkimin shkencor apo edhe për shërbimet.

‘’Ky proces- tha ajo- do të frenojë edhe largimin e studentëve nga vendi’’.

 

Edhe zv/ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici ndërsa u shpreh optimist për këtë projekt ambicioz për të cilin solli rast të ngjashëm krijimin e Qendrave të Transferimit të Teknologjive Bujqësore në vend, tha se MBZHR dëshiron t’i japë një shtysë serioze punësimit në tërësi dhe punësimit të të rinjve në veçanti.

‘’Universiteti, biznesi, shteti- tha ai, duhet të jetë një trinom që do ta shtojë edhe më tepër bashkëpunimin në të ardhmen’’.

Për projektin e krijimit të 4 zyrave të reja të transferimit të teknologjisë në universitetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës dhe Korçës, mbështetur fuqimisht jo vetëm nga ambasada italiane në vend por edhe nga universiteti CIHEAM i Barit, u sollën eksperienca të ngjashme të këtij të fundit dhe sugjerime për atë se çfarë mund të bëhet më tepër në këtë drejtim.

Biagio Di Terlizzi, zv/drejtor i CIHEAM Bari ndërsa foli për këtë universitet tha se Shqipëria është pjesë e CIHEAM që prej 1992 me studente/ë të shumtë që kanë studiuar e studiojnë aty. Sipas tij është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me ministritë përkatëse për ta promovuar edhe më shumë këtë format, këtë projekt i cili pa dyshim u shërben më së shumti të rinjve.

‘’Kontributi ynë lind në ofrimin e mundësive, kapaciteteve apo në krijimin e një netëork-u (rrjeti) mesdhetar etj’’- tha ai.

Një sërë tematikash u diskutuan në konferencë dhe në këtë kuadër Rektori i universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, R. Zisi u ndal tek pronësia intelektuale për të cilën tha se është një mekanizëm i shtuar në universitet.

“Mbrojtja e të drejtës intelektuale- tha ai,  është pjesë përbërëse e zhvillimit të një shoqërie dhe ka një rëndësi të madhe për universitetet’’.

Ndërkaq Benita Stavre, zv/rektorja e Universitetit ‘Fan S. Noli’ Korçë u ndal tek forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kërkimit dhe biznesit për inovacionin dhe konkurrencën e sistemit të biznesit shqiptar. Ajo tha se është i domosdoshëm fuqizimi i bashkëpunimit mes universiteteve dhe biznesit me qëllim forcimin e inovacionit e jo vetëm.

 

 

Lidhur me projektin ‘’ Universiteti i së ardhmes”

Katër universitete shqiptare i janë bashkuar procesit të zhvillimit të Misionit të Tretë, krahas punës kërkimore dhe mësimdhënies, që do t’i çojnë drejt standardeve të Universiteteve Europiane, duke investuar në mbrojtjen dhe vlerësimin e rezultateve të punës kërkimore në universitete, në bashkëpunimin punë kërkimore-ndërmarrje dhe në krijimin e Start Ups dhe Spin-offs.

Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ i Durrësit, Universiteti ‘Ismail Qemali’ i Vlorës dhe Universiteti ‘Fan S. Noli’ i Korçës, falë mbështetjes së CIHEAM Bari dhe Universitetit të Barit ‘Aldo Moro’, janë të përfshirë në një proces të rritjes së kapaciteteve për të inkurajuar qëndrimin në vend të të rinjve dhe mbajtjen në vend të talenteve. Hapat e para të këtij rrugëtimi janë hedhur tashmë përmes projektit Erasmus+TTO4FOOD, ku përfshihen si partnerë edhe Universiteti i Teknologjisë (CUT) i Qipros dhe spin-off universitar Sinagri srl.

Qëllimi përfundimtar i këtij procesi ambicioz është krijimi i Zyrave të Transferimit të Teknologjive (TTO) në të katër universitetet shqiptare për të forcuar Misionin e Tretë të tyre (procesi i Bolonjës). Kjo përfshin në veçanti, zhvillimin e shërbimeve për krijimin e spin-off-eve dhe startup-eve, njohjen dhe shfrytëzimin e patentave, zhvillimin e kapaciteteve intelektuale dhe rregulloreve për mbrojtjen e pasurisë intelektuale dhe një bashkëpunim më të fortë mes universiteteve, institucioneve kërkimore dhe ndërmarrjeve private.

Ndërkohë që në Evropë, sidomos në Itali, vitet e fundit janë rritur investimet për Transferimin e Teknologjive, duke sjellë rritjen e numrit të patentave, licencave, spin-off-eve dhe startup-eve, në universitetet shqiptare nuk ka ende njësi të specializuara për këto aktivitete.

Për këto arsye Konferenca Ndërkombëtare ‘Universiteti i së Ardhmes’ ka për objektiv të nxisë bashkëpunimin dhe diskutimin e misionit të tretë të Universitetit për të inkurajuar inovacionin dhe ndryshime në universitetet shqiptare nëpërmjet krijimit të Zyrave për Transferimin e Teknologjive.

Na Ndiqni në: