Lepujt bëjnë pjesë në kategorinë e madhe të gjitarëve. Ata mund të konsiderohen si kafshë shtëpiake si dhe për prodhimin e mishit. Duhet patur parasysh se lepuri është një nga kafshët me konvertim të lartë të ushqimit të konsumuar. Në vendin tonë egzistojnë shumë pak ferma të mbarështimit të leupjve me qëllim prodhimin e mishit. Kjo përgjithësisht lidhet edhe me kulturën e të ushqyerit tonë, e megjithatë ka të dhëna se në zona të ndryshme lepuri mbarështohet në kushte ekstensive për përdorim vetjak. Në varësi të rracës, lepujt peshojnë nga 1 deri në 5 kilogramë. Skeleti i lepujve konsiderohet i brishtë prandaj gjatë manipulimit duhet treguar një kujdes i vecantë. Veshët përbëjnë një nga pjesët më të rëndësishme të lepurit duke qenë se ato kanë funksion termorregullues përveçse atij dëgjues. Ndryshe nga sa jemi mësuar, lepujt nuk duhet të kapen asnjëherë nga veshët duke qënë se kjo u shkakton atyre vuajtje të shumta për shkak të vaskularizimit dhe inervimit të madh. Këshillohet që lepujt të kapen tek pjesa e lëkurës së qafës duke qenë se kjo mënyrë u siguron atyre më pak dhembje dhe stres. Zemra e lepujve rreh 200-300 herë për minutë dhe njëkohësisht lepujt bëjnë 32-60 frymëmarrje për minutë. Rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja mund të ndryshojnë në varësi të kushteve në të cilat ndodhet individi.
Lepujt duhet të kenë në dispozicion ujë gjatë gjithë kohës duke qenë se janë gjitarë që konsumojnë një sasi të madhe uji në krahasim me peshën e tyre trupore dhe kur nuk kanë mundësi ta konsumojnë, ata ulin sasinë e ushqimit të marrë deri sa bëhen anoreksikë. Lepujt janë kafshë monogastrike (pra me një stomak) të konsideruara si barngrënës dhe kanë nevojë për një sasi të madhe fibrash në dietën e tyre. Pjesët më të rëndësishme të aparatit tretës janë koloni dhe cekumi (pjesë të zorrës së trrashë) ku ndodh fermentimi në sajë të mikrorganizmave që ndodhen aty.
Në natyrë lepujt jetojnë në tunelet e nëndheshme të ndërtuara nga ata vetë duke shpenzuar shumë kohë brenda tyre (figura 1). Kjo ndodh sepse shpesh lepuri është një pre’ e lehtë për kafshët gjuetare. Këto tunele ofrojnë kushtet optimale për jetesën e lepujve (temperaturë 16 – 180 C dhe lagështi 50 – 60%). Gjatë ditës lepujt qëndrojnë në tunelet e tyre në të cilat ka një hierarki të fortë e bazuar kryesisht tek mosha dhe pesha e individëve.
Tek kolonitë e lepujve ka gjithmonë një mashkull alfa dhe një beta i cili zë vendin e të parit në rastin kur i pari ngordh. Aktiviteti i lepujve zhvillohet përgjithësisht gjatë natës dhe ka të bëjë kryesisht me gjetjen e ushqimit i cili në më të shumtën e rasteve konsiston në barëra të butë, rrënjë ose zhardhokë të ndryshëm. Lepujt janë kafshë të ndrojtura inteligjente dhe të vetëdijshme për atë çka i rrethon duke qënë se njohin lepujt e tjerë ashtu si edhe njerëzit. Kur lepujt janë të shqetësuar ata ngrejnë veshët lart për të kuptuar më mirë situatën; e kundërta ndodh kur janë të qetë. Kur ndihen të kërcënuar lepujt mund të “ngrijnë” (palëvizshmëri tonike) për të shpërqëndruar kafshën gjuetare.
Kushtet e mbajtjes së lepujve janë shumë specifike duke qenë se lepujt konsiderohen si kafshë të ndjeshme. Aty ku është e mundur, lepujt duhet të mbahen në grupe deri sa të arrijnë pjekurinë seksuale (rreth 4 muaj) dhe të kenë të mundur të shprehin sjelljet e tyre. Ashtu si gjitarët e tjerë edhe lepujt kanë një kohë të caktuar të ndarjes ose shkëputjes nga nëna e cila është rreth 45-50 ditë. Kafazet e lepujve duhet të imitojnë sa më shumë kushtet natyrore, pra të jenë të mbyllura nga të gjitha anët duke lënë vetëm një anë të hapur. Lepujt të cilët mbahen të veçuar në kafaze duhet që të paktën të kenë kontakt vizual me lepujt e tjerë. Në mbarështimin intensiv të lepujve nuk duhet të mungojë kurrë hapësira për secilin lepur në mënyrë të tillë që lepujt të kenë mundësi për t’u çllodhur. Një nga elementët e tjerë që duhet patur parasysh është mikro dhe makroklima e papërshtatshme (në rastet kur mungon një ventilim i mire në vendin e mbajtjes). Si përfundim duhet thënë që trajnimi i mirë i stafit të mirëmbajtjes mund ta bëjë ndërveprimin me lepujt më paqësor dhe më pak të stresueshëm si për stafin ashtu edhe për kafshën.
Dr. Majlind Sulçe