Produktet pyjore jodrusore, kërcënimet e tyre dhe masat për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Produktet e egra pyjore si tapë, rrëshirat natyrore, kërpudhat, bimët mjekësore, arrat dhe manaferrat kanë potencial të madh për të kontribuar në rritjen e gjelbër në Evropë dhe në arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Sipas një botimi nga Instituti Evropian i Pyjeve (EFI) dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO), Produktet pyjore jodrusore për njerëzit, natyrën dhe ekonominë e gjelbër luajnë një rol të rëndësishëm, sepse shkalla e përdorimit të tyre ka një potencial të gjerë në jetën e përditshme.

‘’Produktet e  egra pyjore janë një burim i madh i zgjidhjeve të bazuara në natyrë për ushqim, ilaçe, kozmetikë dhe qëllime industriale,” -shprehet zyrtari i lartë i pyjeve në FAO Sven Walter. Ato mund të kontribuojnë ndjeshëm në prioritetet e politikave të Evropës brenda Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe të ndihmojnë vendet të kalojnë drejt një bioekonomie të qëndrueshme dhe rrethore.

Por  vlera aktuale dhe e mundshme ekonomike e produkteve  të egra pyjore kalon kryesisht pa u vënë re në statistikat zyrtare dhe analizat e parashikimit. Sidoqoftë, vlera e tregut e produkteve pyjore jodrusore në Evropë, megjithëse kryesisht për vetëkonsum, është vlerësuar në 23 miliardë euro në vit, e ngjashme me vlerën totale të drurit të rrumbullakët të tregëtuar. Rreth 90% e familjeve evropiane konsumojnë rregullisht produkte pyjore të egra, ndërsa 26% mbledhin një lloj të paktën një herë në vit për vetëkonsum ose shitje. Evropa është gjithashtu një lojtar qendror në tregtinë ndërkombëtare të produkteve të egra pyjore, duke importuar 4.2 miliardë euro ose 50 përqind të importeve globale, dhe eksporton 3.4 miliardë euro ose 40 përqind të eksporteve globale.

Megjithëse  produktet pyjore jodrusore japin kontribute të rëndësishme për një  jetë të shëndetshme, stil dhe mjete jetese, në rajon ato përballen me disa rreziqe. Këto përfshijnë kërcënimet nga ndryshimet e klimës, mënyra e  përdorimit të tokës, vjelja e pakontrolluar, menaxhimi joadekuat dhe tregtia e paligjshme, së bashku me konkurrencën e ngushtë të tregut, duke i bërë këto burime të parinovueshme.

Kërcënimet ndaj produkteve pyjore të egra mund të zbuten duke përmirësuar njohuritë tona sistematike në lidhje me këto produkte, nga teknikat e vjeljes dhe kultivimit e deri te prodhimi, tregtia, shpërndarja dhe konsumi, si dhe futja e rregulloreve të përshtatshme për etiketimin dhe standartet e cilësisë. Kjo do të ndihmonte në menaxhimin e potencialit të produkteve  pyjore të egra, ruajtjen e natyrës dhe mirëqenien njerëzore.

Për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tyre nevojiten politika që synojnë mirëmenaxhimin e tyre, të cilat përfshijnë sigurimin e ruajtjes dhe furnizimin e qëndrueshëm me produkte  pyjore të egra, ndërtimin e zinxhirëve konkurues dhe të qëndrueshëm, promovimin e një qasjeje të qëndrueshme ndaj ruajtjes së natyrës dhe peizazhit, përmirësimin e mbështetjes financiare dhe rritjen e vëmendjes ndaj këtyre produkteve pyjore në formimin profesional.

Produktet ushqimore, mjekësore dhe produktet e tjera që rezultojnë nga burimet pyjore jodrusore do të kenë një potencial shumë më të madh në të ardhmen, prandaj duhet t’i menaxhojmë duke synuar zhvillimin e qëndrueshëm, duke hartuar politika dhe nxitur një zhvillim të mirë të tregut.

 

MSc. Enea Malaj
Departamenti i Pyjeve, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

Na Ndiqni në: