paulbr75 - Pixabay.com

Materiale ekologjike për ndërtim, binarët në formë “I“

a – me OSB (faqja) dhe LVL (2 kapëset)                     b – me dru

Binarët ‘‘I” janë binarë strukturalë me rezistencë shumë të lartë, të cilët përdoren në ndërtesa banimi ose tregtare. Në sajë të aplikimit të lidhjeve finger-joint, shtrirja e tyre aktualisht ka shkuar deri në 20 metra (Oakëorth Timber Engineering – Angli) dhe varet vetëm nga kufizimet e transportit.

Prodhimi i tyre është ekonomik dhe konsiston në kombinime me anë të ngjitësave fenolikë, të produkteve me bazë druri. Dy kapëset, të cilat theksojnë formën “I“, duhet t‘u rezistojnë sforcimeve në përkulje, tërheqje dhe shtypje, prandaj kërkohen të prodhohen nga material i fortë dhe i paepshëm, si LVL ose dru masiv cilësor pa nyje. Faqja vertikale, e cila duhet të transmetojë sforcimet në prerje, preferohet të jetë prej materiali me performancë të mirë në prerje dhe stabilitet të lartë dimensional, si kompesatë, LVL, OSB ose edhe prej druri masiv cilësor. Kombinimi i materialeve të mësipërme si dhe i lidhjeve ‘‘finger-joint‘‘ si në kapëse ashtu edhe në faqe, krijon një tra të lehtë, i cili është i fortë dhe i qëndrueshëm.

Meqenëse faqja vertikale paraqet rezistencë të lartë në prerje, është e mundur që asaj t’i bëhen vrima ose hapësira të ndryshme, ku mund të kalojnë instalime elektrike, hidraulike, termike etj. Kjo, në mënyrë kategorike, nuk lejohet për kapëset.

Forma e binarëve “I“ ndjek të njëjtën llogjikë si ajo e profileve “I“ të çelikut. Sforcimet e mëdha të përkuljes në majë dhe fund të seksionit të binarit duhet të ekuilibrohen nga rezistenca e lartë e drurit në këto pozicione, kurse në qendër të seksionit, ku sforcimet në përkulje janë më të vogla, kemi një sasi të vogël materiali, pra seksion më të vogël se në dy ekstremet. Rezultati është një seksion me rezistencë të lartë në përkulje dhe prerje, i paepshëm dhe dukshëm me peshë të lehtë.

Binarët në fjalë janë të përshtatshëm për suportet e dyshemeve në ndërtesa banimi, meqenëse ofrojnë rezistencë të lartë, uniformitet dhe stabilitet dimensional dhe janë të lehtë për t’u montuar. Raporti rezistencë/peshë i bën këta binarë idealë për distanca (shtrirjeje) të gjata. Kjo aftësi për t’u zgjatur ofron fleksibilitet në dizajn dhe krijon mundësi që ky material të aplikohet edhe në shtylla dhe mure mbajtës, me konfigurime të ndryshme.

Konstruksion dyshemeje ose tavani me binarë  “I”

Nga ana tjetër, këta binarë nuk janë të përshtatshëm për t’u ekspozuar ndaj kushteve klimaterike, ndonëse një ekspozim i shkurtër gjatë ndërtimit është i pranueshëm. Ata prodhohen kryesisht nga drurë halorë të klasës së qëndrueshmërisë 4 (jo të qëndrueshëm), prandaj nëqoftëse nuk janë të imprenjuar, nuk janë rezistentë ndaj termiteve dhe degradimit biologjik. Gjithashtu këta binarë kanë rezistencë të vogël ndaj zjarrit.

Përmbajtja e lagështisë së tyre në dorëzim është 8 ÷ 10%, kurse pas montimit shkon deri në 14%. Pesha varion nga 3 ÷ 9 kg për metër linear, kurse përmasat, si në lartësi ashtu edhe në trashësi, janë në varësi të prodhuesve. Të dhënat inxhinierike janë specifike për çdo prodhues. Në tabelën e mëposhtme jepen përmasat e serive të binarëve të markës BCI Joist, të kompanisë Angleze Oakworth Timber Engineering.

Përmasat e binarëve “I”, marka BCI®

Në këtë kategori hyjnë edhe trarët kapriatë, të cilët shfrytëzojnë avantazhet e lidhjes ‘finger-joint‘ për t’u prodhuar në shtrirje dhe hapësira, të cilat janë të pamundura për materialin e zakonshëm drusor. Rezistenca dhe qëndrueshmëria e tyre përcaktohen nga materiali drusor dhe cilësia e lidhjes ‘finger-joint‘.

Konstruksion (tavani) me tra kapriatë

Zakonisht janë trarë me seksion të vogël dhe gjejnë përdorim në prodhimin e kapriatave, ku lidhja ‘finger-joint‘, përveç aplikimit të bashkimeve fundore për të prodhuar traun, përdoret edhe për bashkimin e diagonaleve lidhëse me trarët e kapriatës.

Lidhja e diagonaleve në kapriata trarësh finger-joint

 

Prof. Asoc. Dritan Ajdinaj
Departamenti i Industrisë së Drurit, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

 

Na Ndiqni në: