Photo: www.rubner.com

Materiale ekologjike për ndërtim – GLULAM

Trarët e shtresëzuar me bazë druri (eng. GLULAM – Glued Laminated Timber)  janë nga më të njohurit ndër materialet e ndërtimit me bazë druri. GLULAM-i prodhohet duke bashkuar kokë më kokë me lidhje finger-joint detale jo të gjatë druri, kryesisht halorë, të tharë në mënyrë industriale, duke formuar në këtë mënyrë një copë druri shumë më të gjatë. Copat e formuara në këtë mënyrë ngjiten më pas me njëra tjetrën duke aplikuar ngjitësat e duhur, më pas presohen dhe në fund, traut të ngjitur, i jepet seksioni dhe dimensionet e kërkuara.

Tra tipik GLULAM-i

Aftësia për të krijuar dizenjime inovative ndërsa ruan cilësinë dhe qëndrueshmërinë si dhe kostoja efektive e tij, e ka bërë këtë material një zgjedhje natyrale për shumë projekte të mrekullueshme.

Hannover (LIGNA), Gjermani

Avantazhet e tij mund të përmblidhen si më poshtë:

  1. Stabilitet dimensional dhe në deformim.

Për shkak se copa të shkurtra druri janë kombinuar për të formuar copa më të gjata, proçesi i lidhjes finger-joint minimizon përdredhjen dhe shtrembërimin që shoqëron drurin masiv, duke rezultuar kështu në një copë druri më të gjatë dhe më pak të deformueshme.

  1. Qëndrueshmëri e lartë

Glulam-i është më i qëndrueshëm se druri masiv në rastin e ekspozimit ndaj nxehtësisë dhe lagështirës. Kjo, sepse “përzierja“ e fibrave të drurit në gishtat e lidhjes dhe në copat e ngjitura, kundërvepron ndaj përdredhjes dhe shtrembërimit që mund të ndodhë në trarët konvencional. Gjithashtu, trarët glulam kontrollohen për përmbajtjen e lagështisë në disa pika përgjatë gjatësisë së tyre. Pjesët me lagështi të pa pranueshme zëvendësohen. Në të kundërt, lënda drusore konvencionale kontrollohet linearisht për lagështinë mesatare të të gjithë copës (traut) dhe ka raste që xhepat me lagështi të madhe të mos diktohen. Teknologjia finger-joint mundëson prodhimin e hapësirave strukturale shumë të mëdha, të cilat janë të pamundura me lëndën drusore konvencionale.

  1. Peshë e lehtë dhe avantazhe në kosto

Pesha për rezistencën specifike e një trau glulam është më e vogël se ajo e çelikut dhe e betonit. Kjo nënkupton se trarët glulam mund të zgjaten në distanca shumë të mëdha, me kërkesa minimale për suporte ndërmjetëse. Në vartësi të kushteve specifike të ngarkesës, një tra çeliku mund të jetë 20% më i rëndë se ekuivalenti i tij prej glulami që mban të njëjtën ngarkesë, kurse betoni i përforcuar është 600% më i rëndë. Strukturat më të lehta rezultojnë në një ekonomizim të ndjeshëm referuar kostos së themeleve të ndërtesës.

  1. Aplikim i shumanshëm dhe estetikë

Një nga avantazhet më të mëdha të glulam-it është se mund të prodhohet pothuajse në çdo formë dhe të ruajë përsëri të njëjtën aftësi në mbajtjen e ngarkesave. Mund të jetë me seksione uniforme ose të ndryshueshme, në varësi të rezistencës që kërkohet. Kjo e ka bërë këtë material numrin një për shumanshmërinë e përdorimit. Ai vlerësohet për qëndrueshmërinë, por edhe për pamjen estetike. Pamja dhe ndjesia pozitive që jep druri mundëson që elementët struktural prej glulami të një konstruksioni të ekspozohen për efekte estetike.

  1. Rezistencë ndaj zjarrit dhe substancave kimike

Kur druri i ekspozohet zjarrit ai i nënshtrohet një zbërthimi termik (piroliza) në gaze të djegshëm dhe një shtresë karboni (qymyri) formohet mbi sipërfaqen që digjet. Glulam-i digjet më ngadalë dhe në mënyrë më të parashikueshme. Kur seksionet e mëdha i nënshtrohen zjarrit, një shtresë karboni formohet rreth periferisë së traut, e cila e mbron pjesën e brendshme të tij duke kufizuar furnizimin me oksigjen. Ka shembuj të ndërtesave me konstruksion (strukturë) glulam-i që janë djegur plotësisht, duke lënë në këmbë vetëm strukturën prej e karbonizuar. Më pas, struktura është pastruar dhe inspektuar dhe e gjithë ndërtesa është rindërtuar mbi glulam-in egzistues. Glulam-i është rezistent ndaj substancave agresive kimike, duke e bërë shumë të përshtatshëm për magazinat e plehrave kimike, kripërave ose acideve.

  1. Lehtësi në montim

Ky material nuk kërkon aftësi të veçanta për t’u montuar nga specialistët dhe karpentierët që kanë eksperiencë me drurin konvencional. Strukturat e tij mund të ngrihen shpejt dhe thjesht, sepse çdo njësi është e shënuar sipas dokumentacionit të projektit. Pjesët bashkohen me anë të gozhdëve, vidave, bulonave, pllakave ose unazave prej çeliku, pa u ndikuar nga stina ose koha dhe se çdo montim dhe rregullim mund të bëhet lehtësisht me vegla dore. Si pasojë, koha për ngritjen e strukturës reduktohet ndjeshëm. Një strukturë glulam-i mund të mbajë ngarkesën e plotë menjëherë pas montimit.

  1. Përqasje pozitive ndaj mjedisit

Studimet kanë treguar se përveç se druri është material ndërtimi ekologjik dhe i riciklueshëm, por edhe se lidhja finger-joint e mbron edhe më shumë mjedisin, sepse arrin një rendiment më të madh përdorimi të lëndës drusore për çdo pemë të prerë. Referuar kapacitetit të tyre mbajtës, trarët glulam janë shumë efiçent për t’u prodhuar. Energjia e kërkuar për të prodhuar glulam-in nga një trup është vetëm një fraksion i asaj për të prodhuar çelikun ose betonin nga lëndët e para respektive. Duke përdorur glulam në fakt kontribuohet pozitivisht në stokimin e karbonit, krahasuar me sasinë e madhe të tij të emetuar nga prodhimi i materialeve të tjera.

 

Prof. Asoc. Dritan Ajdinaj
Departamenti i Industrisë së Drurit, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

Na Ndiqni në: