TeeFarm - www.pixabay.com

Shkencëtarët krijojnë embrione për të shpëtuar rinocerontin e bardhë verior

Disa shkencëtarë që po punojnë për të sjellë përsëri rinocerontin e bardhë verior që po zhduket, njoftojnë se kanë krijuar me sukses tre embrione shtesë të nënspecieve, duke e çuar totalin në 12 të tillë.

Një nga dy ekzemplarët e gjallë të mbetur në botë-femra Fatu e cila jeton me nënën e saj Najin në habitatin për mbrojtjen e kafshëve të egra ‘’Ol Pejeta’’ në Kenia- siguroi vezët për projektin, ndërsa spermatozoidi i përdorur për embrionet ishte nga dy meshkuj të ndryshëm të vdekur.

Konsorciumi shkencor Biorescue përshkroi në një deklaratë për shtyp pak ditë më parë se vezët u morën nga Fatu në fillim të korrikut para se të transportoheshin me avion në një laborator në Itali për fekondim, zhvillim dhe ruajtje.

As Fatu dhe as nëna e saj Najin nuk ishin në gjendje të bartnin shtatzani deri në fund, kështu që nënat zëvendësuese për embrionet do të zgjidhen nga një popullatë e rinocerontëve të bardhë jugorë.

Drejtori i ‘’Ol Pejeta’’, Richard Vigne tha për AFP-në se ai besonte në shanset e suksesit të projektit, ndërsa theksoi edhe rrisqet e larta që ekzistojnë.

“Askush nuk pretendon se kjo do të jetë e lehtë,” tha ai.

“Ne po bëjmë gjëra që janë të avancuara nga një perspektivë shkencore dhe po merremi me gjenetikën, me dy rinocerontët e fundit veriorë të bardhë të mbetur në planet,” tha Vigne.

“Ka shumë, shumë gjëra që mund të shkojnë keq,” tha ai ndërsa shtoi se të gjithë i kuptojnë sfidat që mbeten.”

Që nga viti 2019 Biorescue ka siguruar 80 vezë nga Najin dhe Fatu, por 12 embrionet funksionalë të gjitha vijnë nga rinoceronti më i ri.

Projekti është një përpjekje shumëkombëshe me shkencëtarë nga Instituti Gjerman Leibniz që mbështet “Shërbimin e Kafshëve të Egra” në Kenia dhe Ol Pejeta, dhe nga laboratori italian Avantea që siguron mbështetje për fekondim.

Rinocerozët kanë shumë pak grabitqarë natyrorë, por numri i tyre është zvogëluar nga gjuetia e paligjshme që nga vitet 1970. Rinocerontët modernë kanë bredhur në planet për 26 milionë vjet dhe vlerësohet se më shumë se një milionë ende jetonin në xhungla në mes të shekullit të 19 -të.

 

Burimi: www.msn.com

Na Ndiqni në: