Vitet e fundit, zjarret në pyje janë bërë një nga shqetësimet kryesore jo vetëm në vendin tonë por edhe në shumë vende të rajonit dhe më gjerë, për shkak të ndikimit negativ të tyre në ekosistemet pyjore, mjedis, shëndetin e njerëzve, ekonomi, etj. Për këtë arsye shume vende të botës bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të minimizuar impaktin e zjarreve në pyje nëpërmjet identifikimit/vlerësimit paraprak të sipërfaqeve pyjore që paraqesin rrezik të lartë të prekjes nga zjarret, menaxhimit me efikasitet të zjarreve në pyje, etj. Sistemet/instrumentat që përdoren gjerësisht për krijimin e hartave të rrezikut të prekjes së pyjeve nga zjarret nëpërmjet modelimit hapësinor të faktorëve kontribues janë GIS dhe Remote Sensing.
Modelimi i rrezikut të prekjes së pyjeve nga zjarret bazohet në një sërë parametrash kontribues të cilët influencojnë intensitetin dhe madhësinë e zjarreve, ku përfshihen faktorët klimatikë (temperaturat, rreshjet, lagështia e ajrit, shpejtësia e erës, etj), faktorët topografikë (pjerrësia, kundrejtimet, lartësia mbi nivelin e detit), faktori njeri (distanca e pyjeve nga qendrat e banuara, rrugët, lumenjtë, përdorimi/mbulesa e tokës, çështjet social-ekonomike, etj).
Modelimi hapësinor nëpërmjet teknologjisë GIS dhe Remote Sensing ofron potencial të lartë për të monitoruar parametrat/variablat e rrezikut të zjarreve në pyje, për të lokalizuar sipërfaqet me probabilitet të lartë për t’u prekur nga zjarret, per të identifikuar vendodhjen e zjarreve, intensitetin dhe madhësinë e tyre, etj, të dhëna këto mjaft të rëndësishme për menaxherët/inxhinierët e pyjeve pasi mundësojnë një proces efektiv të vendimmarrjes në parandalimin/menaxhimin e zjarreve në pyje duke reduktuar në minimum impaktet e shkaktuara nga zjarret në ekosistemet pyjore.
Të dhëna të tilla kanë rëndësi të madhe sidomos për vendet në zhvillim, sikurse është edhe vendi ynë, të cilat përballen me mangësi në infrastrukturë, në logjistikë, në staf të trajnuar dhe me experiencë, etj, duke mundësuar efikasitet me të lartë në përdorimin e burimeve/kapaciteteve të kufizuara për parandalimin/menaxhimin e zjarreve në pyje nëpërmjet përqëndrimit të kapaciteteve në sipërfaqet më të rrezikuara. Në këtë mënyrë rriten ndjeshëm aftesitë e këtyre vendeve për të reaguar si duhet në situata emergjence të shkaktuara nga zjarret në pyje.
Përveç impaktit negativ në ekosistemet pyjore, zjarret shkaktojnë edhe dëme të mëdha social-ekonomike duke rrezikuar/kërcenuar seriozisht jetën dhe pronën e njerëzve kur përhapen në zona të banuara. Prandaj, modelimi/vlerësimi hapësinor i rrezikut të zjarreve në pyje është i rëndesishëm dhe me shumë interes edhe për institucionet që merren me menaxhimin e emergjencave civile, pasi ofron informacion të vlefshëm për monitorimin e situatës, parandalimin dhe marrjen e masave mbrojtëse, reagimin e duhur dhe në kohe ndaj zjarreve, për të planifikuar rrugë evakuimi për popullsinë në rrezik, etj, duke reduktuar ndjeshëm rrezikun e zjarreve mbi popullsinë civile.
Duke patur parasysh situatën e rëndë të krijuar nga zjarret në vendin tonë, ku çdo vit shkaktohen dëme të konsiderueshme në pyje dhe jo vetëm, sugjeroj që institucionet të cilat administrojnë sipërfaqe pyjore por edhe institucionet që kanë përgjegjësi/detyrim menaxhimin e emergjencave civile, të bashkëpunojnë me ekspertë nga Fakulteti i Shkencave Pyjore për të trajnuar stafet e tyre në çeshtjet e sipërpërmendura pasi kjo gjë do t’ju mundësonte efikasitet më të lartë në përdorimin e kapaciteteve të tyre modeste për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve në pyje.
Prof. Asoc. Edmond Pasho
Fakulteti i Shkencave Pyjore, Departamenti i Pyjeve, UBT.