Pak historik mbi agrumet në botë

Periudha e kultivimit të agrumeve humbet në epokat parahistorike. Përveç legjendave, konfirmimi i lashtësisë janë mozaikët e gjetur në shumë vatra origjine. Rast tipik është mozaiku i Pompeit (para shkatërrimit të Pompeit viti 79 p.e.r dhe muzeu i Luvrit (Paris) i gjetur në shek. XII p.e.r. Fjala citri është gjetur në hieroglifet e përkthyera në gjuhën koptike, që do të thotë portokall i thartë.

Nga gërmimet arkeologjike në Babiloninë jugore janë zbuluar fara agrumesh që u përkasin viteve 4000 p. e. r. Nga ana tjetër, egziston edhe hipoteza që agrumet në Babiloni mund të jenë endemike ose sjellë nga ushtarët e Aleksandrit të Madh nga Azia (shek. IV. p.e.r.). Botanistët grekë të Aleksandrit pohojnë se agrumet në shek. IV p.e.r janë gjetur në Persi. Ndërsa, referenca më e hershme e lashtësisë së agrumeve në Indi, i përket koleksionit të shek. VIII p.e.r. Në Kinë të dhënat e para të besueshme i përkasin periudhës 2200 vjet p.e.r. Në këtë kohë, portokalli njihej mirë në atdheun e tij, Kinën jugore.

Mendohet që nga Kina të jetë transportuar në Indi dhe nga India është dërguar në Egjipt e Siri prej arabëve. Në vitet 1200 – 1300 p.e.r, mandarina është njohur në Japoni. Ndërsa rreth vitit 1800 u soll në Angli, Maltë e Greqi (viti 1829). Amerika është një vatër e re me agrume. Kristofor Kolombo në vitin 1493 çoi shumë specie agrumesh në Amerikën e Jugut (Haiti) dhe që më pas u përhapën si në veri ashtu edhe në jug të Amerikës (në Amerikën veriore, qëndrore dhe jugore).

Në lindjen e afërt agrumet i përhapën grekët, që më vonë u aklimatizuan në gjithë pellgun mesdhetar (në fillimin e erës së re). Dokumentime të shek. të I-rë të erës së re afirmojnë se romakët i kanë kultivuar agrumet në hapësira speciale, nën dhé në enë qeramike. Pas 14 shekujve edhe italianët, francezët (galët), holandezët e rusët, ndërtuan “sera” të nëndheshme për kultivimin e agrumeve (oranxhetë e para). Dokumentohet se qitro (C. medica) është specia e parë që ka arritur në Europë. Udhëtarë dhe misionerë kanë ndihmuar shumë në përhapjen e agrumeve, sidomos kur u bë e njohur dobia e frutave të freskëta si ilaçi më i mirë kundra skorbutit, murtajës, malaries etj.

Në bibël nuk ka referim mbi agrumet, megjithatë në monedhat samaritane, në emblemë ishte vendosur fruti i qitronit. Disa qindravjeçarë më vonë u shfaq në Mesdhe portokalli i thartë (C. aurantium) dhe limoni, sjellë nga arabët në periudhën e ekspansionit të parë të tyre në perëndim. Portokalli i thartë prej kohësh njihej nga arabët dhe ata e quanin atë “nareng’’. Mjeku dhe shkrimtari i mrekullueshëm uzbekistanas, Avicenna, që jetoi në gjysmën e parë të shek. XI, krijonte medikamente në të cilët shtonte lëng portokalli të thartë.

Rrëfimi më i hershëm për limonin vërehet në analet kineze të shek. XII, ku përshkruhej fruti “li – mung” me pohimin që ai është sjellë në Kinë nga jashtë. Arabët e quanin atë “limun” duke e huazuar nga India. Pothuajse nuk ka dyshim që qitroni dhe portokalli i thartë janë sjellë nga arabët jo vetëm në Berberi por edhe në Spanjë. Portokalli i ëmbël (C. Sinensis) u bë i njohur në Europë, 17 shekuj më vonë se qitroni, afërsisht në fillim të shek. XV.

Njohja e vërtetë e europianëve me portokallin e ëmbël filloi me udhëtimet e Vasko de Gamës, kur më 1498 arriti për herë të parë në Mombas, në bregun lindor të Afrikës. Sulltani arab vendas i dërgoi si dhuratë fruta të ndryshme dhe midis tyre edhe portokaj të ëmbël të mëdhenj për kurim. Kur disa kohë më vonë banorët e Francës, Italisë, Hollandës u njohën më afër me frutat e portokallit të ëmbël, shumë prej tyre u kuruan me këtë bimë nga ethet.

Fjala “orang” rrjedh qartë nga arabishtja “nareng”, me humbjen e bashkëtingëllores së parë dhe transformimin e fjalës në modelin francez, ato filluan t’i quanin “orange dolce” dmth, portokalli i ëmbël. Portokalli mori edhe një emërtim tjetër “portogale”, që e lidh këtë bimë me udhëtimet e portugezëve në Indi dhe Azinë juglindore. Edhe në ditët e sotme në Azinë e vogël, Iran e Irak, portokallin e quajnë “portokall”.

 

Prof.As. Adriatik Çakalli
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

 

Na Ndiqni në: