Photo: Eknbg - www.pixabay.com

Zbulohen viruse të panjohur që kanë mbijetuar për rreth 15 000 vjet në akull

Një grup shkencëtarësh kanë zbuluar viruse antike të ngrira në dy mostra akulli të marra nga pllaja Tibetiane në Kinë dhe shumica e tyre nuk janë të ngjashme me asgjë të parë deri më tani.

Gjetjet, të botuara pak ditë më parë në revistën Microbiome, erdhën nga bërthamat e akullit të marra në vitin  2015, për të cilat shkencëtarët thanë se filluan të ngrinin të paktën 14 400 vjet më parë.

“Këto akullnaja u formuan gradualisht dhe së bashku me pluhurin dhe gazrat, shumë, shumë viruse gjithashtu u depozituan në atë akull”, tha Zhi-Ping Zhong, autori kryesor i gjetjeve dhe studiues në Universitetin Shtetëror të Ohajos Byrd Polar dhe në Qendrën për Kërkime Klimatike.

Kur studiuesit analizuan akullin, ata gjetën kodet gjenetike të 33 viruseve. Nga 33, kodi gjenetik për katër viruset tregoi se ata janë pjesë e një familje virusesh që zakonisht infektojnë bakteret. Viruset e tjerë ishin të rinj, që do të thotë se nuk ishin identifikuar më parë.

Shkencëtarët kanë theksuar se nuk besojnë se viruset vijnë nga kafshët ose njerëzit, por nga toka ose bimët. Ata gjithashtu thanë se rreth gjysma i mbijetuan akullit.

“Këto janë viruse që do të lulëzojnë në mjedise ekstreme” – tha Matthew Sullivan, bashkëautor i studimit.

Sullivan tha se teknologjia e përdorur për të studiuar mikrobet dhe viruset brenda akullit do të çonte në kërkimin e sekuencave të ngjashme gjenetike në mjedise të tjera ekstreme të akullta, mesa duket në Mars.

 

Burimi: www.telegrafi.com

Na Ndiqni në: