Alex Antoniadis - www.unsplash.com

Zhvillimi i akuakulturës së qëndrueshme në fokusin e fondacionit të Bill & Melinda Gates

Sipas Fondacionit “Bill & Melinda Gates’’ , i cili prej më tepër se 20 vitesh ka ndërmarrë iniciativa të ndryshme për të luftuar varfërinë, sëmundjet dhe pabarazitë nëpër botë, së fundmi ka shfaqur interes edhe në zhvillimin e akuakulturës së qëndrueshme, lidhur me rolin që ajo ka si furnizues me proteina esenciale. Këtë interes Fondacioni “Gates’’ e shfaqi gjatë zhvillimit të “North Atlantic Seafood Form’’, duke e vendosur theksin në bashkëpunimin ndërmjet prodhuesve industrialë dhe atyre në shkallë të vogël. Sipas zv/drejtorit për zhvillimin e bujqësisë, Samuel Thevasagayam, vizioni i tyre është “një botë ku çdo njeri të ketë mundësi të jetojë një jetë të shëndetshme dhe produktive”.

Sipas drejtuesve të fondacionit, në vendet në zhvillim, akuakultura ka një potencial të rëndësishëm për të furnizuar njerëzimin me produkte peshkore të kultivuara në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë arsye, fondacioni po bëhet pjesë e këtij zhvillimi nëpërmjet partneritetit me sektorin privat, për të ndihmuar zhvillimin e industrisë në vendet në zhvillim. Fondacioni ka nënvizuar katër qëllime në këtë fushë; rritja e prodhimtarisë, fuqizimi i grave, rritja e të ardhurave familjare dhe përmirësimi i të ushqyerit. Të gjitha këto do të çonin në plotësimin e asaj që fondacioni e quan “transformim i përgjithshëm i bujqësisë”.

Fondacioni “Gates’’ nënvizon së produktet peshkore mund të kontribuojnë në 9 nga 17 Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (Sustainable Development Goals) të hartuara nga Kombet e Bashkuara. Dekadën e fundit, prodhimtaria e produkteve peshkore ka ardhur duke u rritur dhe kjo falë kontributit të akuakulturës e cila tanimë kontribuon në rreth 52% të produkteve që konsumohen në të gjithë globin. Gjithashtu rreth 70% e kësaj prodhimtarie vjen nga prodhuesit në shkallë të vogël.

Sipas Thevasagayam, është mjaft e rëndësishme që në këtë proces transformimi që ato kërkojnë të nxisin, të kemi një bashkëpunim më të ngushtë të prodhuesve industrialë dhe të prodhuesve në shkallë të vogël.

Nëse këto dy hallka “do të bashkëpunojnë dhe do të sjellin zgjidhje inovative’’ për të transformuar sistemet e prodhimit të peshqve, atëherë ato do të kontribuojnë jo vetëm në rritjen e prodhimtarisë por edhe në rritjen ekonomike dhe në zinxhirin e vlerës.

Në një situatë ku më tepër se 60% e stoqeve të egra janë të mbipeshkuara, akuakultura përfaqëson një opsion të rëndësishëm për të zgjidhur këtë problematikë. Bill & Melinda Gates Foundation assisting sustainable aquaculture in developing markets (seafoodsource.com)

 

Elvis Kamberi
Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: