Shkencëtarët kanë zbuluar se bimët, ashtu si njerëzit, kanë një “orë të brendshme”, që nënkupton se ato janë në gjendje të tregojnë kohën. Por çfarë do të thotë kjo dhe a mund ta përmirësojë bujqësinë një fakt i tillë?
Mediat e huaja që citojnë ekspertë, shkruajnë se bimët kanë qeliza të njohura si gjenet e orës cirkadiane të cilat u mundësojnë atyre të masin ritmet ditore dhe ato sezonale. Duke kuptuar se si funksionon ky proces, mund të arrihet në shtimin e kokrrave për rendimente të larta dhe në sistem bujqësor më të qëndrueshëm.
“Ne zbuluam se bimët rriten shumë më mirë kur ora e tyre e brendshme përputhet me mjedisin ku ato rriten” –shpjegon prof. Alex Webb nga Universiteti i Cambridge në raportimin e bërë në prill të këtij viti.
Në studimin e kryer, shkenëtarët i bazuan vëzhgimet e tyre në një terren/serrë të vogël lulëzimi dhe zbuluan se furnizimi ritmik i dritës që gjendet në ciklin ditor dhe gjatë natës, çon në evolucionin e orëve cirkadiane. Këto orë modulojnë shumicën e fiziologjisë, fotosintezës, metabolizmit dhe zhvillimit të bimëve.
Kjo është ajo që shkencëtarët e quajnë “kronokulturë”. Sipas prof Webb, përgjigjet e bimëve ndaj dëmtuesve janë të optimizuara. Ato janë më rezistente ndaj dëmtuesve në kohën e ditës kur dëmtuesit janë aktivë.
Nëse do të kuptonim se sa e rëndësishme apo e dobishme mund të jetë ky proces për bujqësinë, mediat ndërkombëtare shkruajnë se gjenet që kontrollojnë ritmet cirkadiane në të gjitha kulturat kryesore, janë të ngjashme dhe kanë shumë përparësi.
Sistemi cirkadian mund të kontribuojë në rregullimin e lulëzimit, biomasës, fotosintezës, përdorimit të ujit, reagimeve të stresit të temperaturës dhe mbrojtjes së patogjenit, të cilat janë përbërës të rëndësishëm të rendimentit në kulturat bimore.
Studimi zbuloi se me njohurinë e “orës së brendshme” të bimëve dhe aftësinë për ta ndryshuar atë përmes modifikimit gjenetik, ciklet e ndriçimit dhe ngrohjes mund të përputhen me fabrikimin për “rritje shumë efikase”.
Studimi i bimëve gjithashtu paraqet një ide të ngjashme e cila mund të zbatohet në mjekësinë njerëzore, tek kronomjekësia.
“Në bujqësinë vertikale, kronokultura mund të japë kontroll të plotë mbi të korrat. Ne mund të krijojmë bimë specifike të kulturave me orë të brendshme të përshtatshme për t’u rritur në ambiente të mbyllura dhe të zgjedhim ciklet e dritës dhe temperaturës për to”, thotë profesori Webb.
Shkencëtarët besojnë se njohja e orëve të brendshme të bimëve mund të ndihmojë gjithashtu në zvogëlimin e dëmtimit të dëmtuesve dhe ofron një mundësi për kronokulturën për ta bërë prodhimin e ushqimit më të qëndrueshëm.
burimi: www.euronews.com