Përdorimi i drurit për ndërtimin e shtëpive është karakteristikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithëse ekzistojnë materiale më rezistente, si tulla dhe betoni, shtëpitë prej druri vazhdojnë të jenë elementi i preferuar në sektorin e ndërtimit amerikan. Në këtë artikull informativ do t’ju tregojmë 7 arsye se përse amerikanët preferojnë shtëpi prej druri.
Origjina
Në fund të shekullit të 16-të dhe në fillim të shekullit të 17-të, evropianët, veçanërisht britanikët, mbërritën në Amerikën e Veriut, lëvizje që çoi në nevojën e ndërtimit të shumë shtëpive në një kohë shumë të shkurtër.
Përdorimi i drurit ishte ideal sepse lejonte që ndërtimi i shtëpisë të ishte më i shpejtë sesa përdorimi i çimentos dhe tullave. Shtëpitë prej druri filluan si një nevojë për të ndërtuar shtëpi shpejt por përfunduan duke u bërë një shenjë dalluese e identiteti për amerikanët.
Lehtësi për sigurimin e lëndës së parë
Në Shtetet e Bashkuara ka pyje të mëdha nga ku merret materiali drusor.
Për këtë arsye, është shumë e lehtë të gjendet ky material.
Druri është gjithashtu i lehtë për t’u punuar, riparuar dhe për t’u ruajtur në kushte relativisht të mira që nuk kërkojnë investime të mëdha.
Gjendja e tregut dhe ekonomia
Në rrjedhën logjike të pikës së mësipërme, bollëku i madh i drurit në Shtetet e Bashkuara lejon që çmimet të jenë dukshëm më të ulta se materiali i përdorur në vendet e tjera, si tulla dhe çimento.
Lëvizshmëria
Një numër i madh studimesh tregon se amerikanët kanë një lëvizshmëri të lartë.
Përllogaritet se ata e ndërrojnë shtëpinë e tyre mesatarisht deri në pesë herë. Këtë gjë e favorizon edhe fakti se ata ndërtojnë shtëpi prej druri me çmime të përballueshme dhe me ritme të shpejta.
Lëvizshmëria e lartë ndikon në zhvillimin e ndërtimeve të shpejta në terma kohore dhe me materiale relativisht jo shumë të shtrenjta.
Taksimi
Në varësi të politikave fiskale të ndjekura nga secili shtet në veçanti, taksat për ndërtesat prej druri janë më të ulëta në krahasim me taksat për ndërtesat prej çimentoje, llaçi dhe betoni.
Lehtësi në ndërtim
Me pak njohuri bazë, secili mund të ndërtojë një shtëpi prej druri. Jo shumë kohë më parë, në Shtetet e Bashkuara shtëpitë prej druri ishin në shitje në formë pakete, ku blerësi mund të realizonte vetë ndërtimin e saj. Sigurisht që elementët konstruktivë janë të prodhuar konform normave dhe rregullave dhe shoqërohen me dokumentacionin teknik përkatës në të cilin paraqitet edhe procedura korrekte që duhet ndjekur për realizimin e ndërtimit.
Kjo mënyrë shitjeje merr si të mirëqenë faktin që blerësi ka disa njohuri bazë dhe aftësi teknike. Të punosh drurin, sidoqoftë është një gjë zbavitëse, të fal kënaqësi dhe një mënyrë për t’u larguar nga rutina e përditshme.
Siguria
Në ndryshim nga ndërtimet me tulla, ndërtimet me dru janë të afta të përballojnë me sukses tërmete me intensitet të ulët ose tornado të lehta.
Në raste të veçanta kur ndërtimet prej druri bëhen në zona klimaterike dhe sizmike me aktivitet të theksuar, ndërtimi prej druri bëhet mbi një bazament betoni që shërben edhe si vendstrehim.
Në rastet e dëmtimit nga tërmetet ose tornadot, rikonstruksioni i një ndërtese prej druri është më i lirë se rikonstruksioni i një ndërtese me tulla dhe çimento.
Dr. Erald Kola
Departamenti i Industrisë së Drurit, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.
Mbi te gjitha keto , te jetosh ne nje shtepi prej druri eshte me e shendetshme se sa e ndertuar me materiali te tjera.