Që nga viti 2000 prodhimi i rrushit është rritur në mënyrë të konsiderueshme, nga 79 000 tonë në vitin 2000, në 205 000 tonë në vitin 2016, dhe skemat e subvencionimit në fund të viteve 2000 i kanë dhënë një shtysë rritjes së kultivimit dhe prodhimit. Prodhimi i verës gjithashtu është rritur në mënyrë drastike nga 7 mijë tonë në vitin 2000 në 18 mijë tonë në vitin 2014 (të dhënat më të fundit të disponueshme). Pavarësisht kësaj, prodhimi i verës në Shqipëri është relativisht i ulët krahasuar me potencialet.
Ndëkohë importet janë rritur gjatë dekadës së fundit dhe eksportet kanë mbetur të ulëta, kështu që deficiti tregtar është i lartë. Ekziston potenciali për të zëvendësuar importet dhe për të përfituar edhe nga turizmi/tregu në rritje, nëse do të vazhdojë të ketë përmirësim cilësie dhe efiçence në nivelin e prodhimit dhe përpunimit të rrushit (për të garantuar cilësinë, disa kantina vere po investojnë për vreshta të tyret, kurse të tjerat kryesisht vendosin marrëdhënie afatgjata me fermerët).
Zinxhiri i vlerës i verës konsiderohet si sektor me përparësi duke pasur parasysh potencialin për zëvendësimin e importit dhe lidhjen specifike me (agro) turizmin. Objektivi i këtij studimi të radhës nga AASF, një program I financuar dhe zhvilluar nga BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) në bashkëpunim dhe me mbështetje nga qeveria shqiptare, i cili ka nisur aktivitetin në vitin 2016, është të japë një panoramë të përgjithshme të sektorit vreshtave dhe verës në veçanti, duke analizuar zhvillimet e fundit dhe gjendjen aktuale, dhe duke përfshirë mundësitë, kufizimet dhe vështirësitë, me fokus të veçantë në nevojat/potencialet për investime.
Ky studim informon institucionet financiare dhe palë të tjera të interesuara për mbështetjen e sektorit të verës për mundësitë kryesore të financimit në këtë sektor. Këto mundësi përfshijnë mbështetjen për investimet në mbjelljen ose rimbjelljen e vreshtave, me përparësi kultivarët autoktonë të rrushit dhe të pajisura me sisteme ujitjeje e makineri të veçanta për vreshtat; pajisje dhe ambjente që lidhen me pasvjeljen, duke përfshirë arkat plastike shumëpërdorimshe e mjediset e magazinimit; linjat e thjeshta përpunimi në mbështetje të përpunimit në fermë, mundësisht të kombinuara me turizmin në fermë; plotësimin e teknologjisë për kantinat ekzistuese të verës (depozita, linja ambalazhimi në shishe, duke përfshirë linjat e paketimit në kuti me qese); ndërtimin/rinovimin e qilarëve; laboratorët e brendshëm/të integruar për kantina vere të mëdha me cilësi të lartë dhe mjediset për turistët në kantinat e verës, duke përfshirë sallat e degustimit, restorantet dhe akomodimet.
Gjithashtu, ekziston nevoja për financime afatshkurtra. Ekziston një diferencë kohore ndërmjet momentit që kryhen shpenzimet dhe shitjet, si në nivelin e përpunuesit, ashtu edhe në nivel ferme. Për këtë arsye, ekziston një hapësirë kohore për kredi afatshkurtra për përpunuesit dhe fermerët, të cilat mund të mbulohen nga bankat. Investimet në sektorin e verës mund të konsiderohen në kontekstin e potencialit për zhvillimin e turizmit.
Kështu që për mbështetje mund të konsiderohen dy lloje projektesh që konkretisht janë; mjediset për turizmin (duke përfshirë sallat e degustimit, restorantet dhe hotelet) për kantinat e verës të madhësisë mesatare dhe ato të mëdha duke pasur si objektiv prodhuesit e verës së cilësisë së lartë dhe mbështetja për projektet e vogla për prodhimin e verës, mundësisht të kombinuara me turizmin ose kantinat e vogla të verës në zona me orientim turistik. Mbështetja mund të kombinohet me skemat e mbështetjes së IPARD II (masat e diversifikimit) ose me skemat e subvencionimit nga qeveria (p.sh., skema e 100 fshatrave turistikë).
AASF
https://aasf.com.al/