Agropylltaria nuk është një koncept i ri i panjohur për popullsinë por një teknologji e re që pritet të zbulohet më mirë.
Si koncept, agropylltaria njihet prej disa vitesh por në praktikë nuk gjen një përdorim të madh. Teorikisht për agropylltarinë mund të gjenden dhe të lexohen shumë informacione por nuk dihet shumë për të përsa i përket zbatimit në praktikë.
Studimet e kryera vitet e fundit kanë treguar se investimet më të mëdha në agropylltari, do të shërbenin si një fokus i shtuar për bujqësinë e jo vetëm, pasi agropylltaria në vetëvete është një sistem intensiv i mbarështrimit të tokës që synon marrjen e përfitimeve optimale nga bashkëveprimet që krijohen kur drurët dhe shkurret kombinohen me kulturat bujqësore ose ndërthuren me blegtorinë.
Kombinimi i këtyre elementëve do të sillte mirëfunksionimin e një sistemi të gjatë dhe multifunksional, pasi në një sistem agropylltyror mund të gjesh çdo gjë, duke filluar nga shumëllojshmëria e drurëve të mbjellë ku preferohen llojet me rritje të shpejtë siç është paulonia. Ndërkaq plepat, shelgjet dhe drurët pyjorë duhet të mbillen anës rrugës duke krijuar në këtë mënyrë, një mbrojtje shumë të mirë për erozionin dhe erërat e forta. Gjithashtu edhe për ndryshimet e shpeshta të klimës, në zonat e mbjella me kultura bujqësore, rekomandohen që me hapësirat e konsiderueshme të mbillen dhe drurë frutorë por gjithmonë duhet të mendohet për të krijuar hapësirat e duhura, pasi në momentin që do të merren produktet bujqësore nevojiten hapësira të nevojshme për mekanizmat që do të përdoren për të vjelë këto produkte dhe kështu duhet të përdoret një skemë paraprake për mbjelljen e këtyre produkteve.
Sistemi i agropylltarisë do të sjellë me rritjen e përdorimit të tij në vendin tonë edhe rritje të benefiteve nga sektori i bujqësisë por edhe të mira në rritje për mjedisin pasi agropylltaria është një administrues i mirë i tokës dhe është e vetmja që rrit përdorimin e produkteve me origjinë bio. Gjithashtu vënia në praktikë dhe zbatimi i agropylltarisë rrit dhe biomasën dhe brenda të njëjtës sipërfaqeje toke, ka mundësi prodhimi të kulturave të ndryshme.
Ferma pyjore duhet të jetë pjesë e trajnimeve në çdo vend ku ka interes dhe persona që dëshirojnë vërtetë të merren me agropylltari. Është e rëndësishme të zhvillohen seminare informuese për çdo individ që ka interes të jetojë mes gjelbërimit ku produktet bujqësore të jenë të certifikuara dhe ku blegtoria të shihet si një urë lidhëse për produktet dhe nënproduktet që vijnë prej saj.
Sigurisht që për të krijuar një fermë pyjore duhet të investohet në dije dhe në vlerë monetare ndaj është e rëndësishme që për të shijuar më a pas edhe përfitimet e shumta, duhen ndërmarrë nisma të tilla. Teknologjia e agropylltarisë tashmë është një koncept relativisht i njohur jo vetëm nga ekspertë të fushës, por është e domosdoshme që nëpërmjet teknikave të duhura të vihet më shumë në përdorim.
Bujqësia, blegtoria dhe pylltaria mund të kombinohen shumë mirë së bashku vetëm nëse do të nisë të aplikohet më shumë agropylltaria.
Florinda Gjeçi
Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.