Peleti, efikasiteti dhe benefitet e tij në përdorim

Peletat e drurit janë lëndë djegëse e prodhuar nga ngjeshja e tallashit të drurit në makina speciale. Gjatë ngjeshjes druri nxehet dhe lignina e tij plastifikohet duke u transformuar në “ngjitës” natyral, që mban të bashkuar peletin ndërsa ai ftohet.

Peletat kanë formën e kalemave të vegjël, zakonisht me diametër 6 mm. Ka raste që ato prodhohen edhe me diametër 8 mm ose më shumë. Forma e tyre e rregullt dhe përmasat e vogla mundësojnë ushqimin e pajisjes ngrohëse me sistem automatik dhe të kalibruar. Kjo ka bërë që pas vitit 2000 të zhvillohet një gamë e gjerë sobash, kaldajash dhe sistemesh të tjera ngrohëse moderne.

  • Peletat paraqesin kapacitet të lartë energjie për shkak të dendësisë së lartë që kanë, rreth 1400 kg/m3 dhe përmbajtjes së ulët të lagështisë, më pak se 10%.
  • Ato janë ekologjike për shkak të bilançit neutral në çlirimin e dioksidit të karbonit, ndryshe nga çdo lëndë tjetër djegëse fosile (qymyri, nafta, solari, mazuti, gazi etj.).
  • Peletat nuk çlirojnë substanca të dëmshme, si psh. squfur, ndryshe nga lëndët djegëse fosile.
  • Përdorimi i tyre është i sigurtë në krahasim me lëndët djegëse të lëngshme dhe është i lehtë.
  • Ato kërkojnë sipërfaqe të vogël magazinimi dhe nuk kanë nevoje për pajisje speciale magazinimi (psh. tanker, cisterna etj.).
  • Kosto e prodhimit të energjisë nga peleta është më e ulët krahasuar me koston e energjisë së prodhuar nga nafta apo solari.


Peletat kanë kosto më të ulët transporti krahasuar me cisternat e lëndëve djegëse të lëngshme. Efiçenca termike e kaldajave me pelet është mbi 85%, më e lartë, krahasuar me çdo tip tjetër kaldaje.
Kostoja e mirëmbajtjes është më e ulët se e kaldajave të tjera dhe cikli i jetës është më i gjatë. Sasia e hirit që rezulton na djegia është 1÷2 %.

Kombinimi i efiçencës termike me avantazhet e sigurisë dhe ato ekologjike, i ka bërë peletat shumë të preferueshme për përdorim në zonat urbane. Kjo, sepse pavarësisht çmimit relativisht të lartë të kaldajës, kostoja totale e funksionimit të saj gjatë gjithë ciklit të jetës (rreth 20 vjet), rezulton më e ulët së çdo kaldajë tjetër.

Në Shqipëri ka disa kompani për prodhimin e pelletave me teknologji moderne. Ndër më kryesorët janë Alcani (Tiranë), Ardit (Korçë), EcoPelet (Durrës), Sollaku (Librazhd), Fa&BI (Elbasan), Dafinor (Shkodër), Malësia Valtur (Shkodër), Eni-D (Shkodër) etj.

Pjesa më e madhe e prodhimit është e destinuar për eksport, kryesisht në tregun italian dhe më pak në atë grek. Një pjesë e prodhimit konsumohet në vend, kryesisht nga institucionet publike si çerdhe dhe kopshte, shkolla dhe spitale. Kopshtet dhe shkollat e Tiranës zënë pjesën dërrmuese të institucioneve publike të vendit që përdorin pelet për t’u ngrohur.

Perspektiva e përdorimit të peletit në Shqipëri, nga studime të ndryshme, paraqitet shumë pozitive.

 

Prof. Asoc.  Dritan Ajdinaj
Departamenti i Industrisë së Drurit, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

 

Na Ndiqni në: