Photo: www.collegeatlas.org

UBT hap studimet universitare Duale në Zootekni për t’i paraprirë zhvillimit të blegtorisë në vendin tonë.

Prirje të zhvillimit të blegtorisë në vendin tonë.

Bujqësia me nënsektorët e saj (blegtoria, hortikultura, bimët e arave, peshkimi dhe akuakultura industria agroushqimore, agroturizmi dhe zhvillimi rural zënë peshën më të madhe në ekonominë e vendit me rreth 21% të GDP-së dhe përbëjnë përparësi kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit. Zhvillimi afatgjatë i të gjithë këtyre nënsektorëve të ekonomisë tonë është faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit tonë. Nga ana tjetër, të gjithë këto sektorë hyjnë ndër sektorët më kryesorë, për nga përputhja e politikave dhe arritja e standarteve në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE. Shkencat bujqësore dhe ato të jetës në tërësi, zhvillohen me shpejtësi dhe fitojnë një karakter gjithnjë e më ndërdisiplinor. Këto shkenca po përjetojnë një “Revolucion” të vërtetë për shkak të zhvillimeve të shpejta në biologji molekulare, bioteknologji, mikrobiologji, bioinformatikë, dixhitalizim dhe teknologji informacioni, etj.

Sektori i blegtorisë zë aktualisht rreth 52% të prodhimit bujqësor në vendin tonë, krahasuar me rreth 42% që zinte ai në vitin 1992 dhe rreth 35 % në vitet 80-të, cka tregon një prirje në rritje. Disa karakteristika, të sotme, kryesore të zhvillimit të sektorit të blegtorisë dhe nënsektorëve të lidhur me të në vendin tonë, po i shtjelloj më poshtë.

Struktura e fermës blegtorale. Në këndvështrimin e strukturës së sektorit të bujqësisë dhe, në mënyrë të vecantë, të blegtorisë në vendin tonë, është rritur numri i fermave blegtorale të mëdha dhe të mesme. Pjesa dërmuese e sektorit të blegtorisë përbëhet nga fermat familjare dhe ato të mesme, si dhe gjendet në zonën rurale të vendit. Për rrjedhojë, zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë është i pandarë nga zhvillimi i integruar i zonave rurale. Megjithatë, po rritet numri i fermave të mesme dhe të mëdha, cka po stimulohet edhe nga rritja e mbështetjes financiare, të brendshme dhe nga fondet e BE. Rritja e fondeve për bujqësinë dhe blegtorinë është një premisë e rëndësishme për rritjen e madhësisë së fermave (në 10 vitet e fundit madhësia e fermës është rritur me rreth 15%, një rritëm ky ende i ulët).

Teknologjitë e prodhimit në blegtori. Në blegtorinë tonë intensive në fermat e mëdha dhe pjesërisht ato të mesme janë futur teknologji më moderne të mbarështimit, të importuara nga vendet e zhvilluara, sidomos në fermat e mëdha të gjedhit të qumështit, shpendëve dhe të prodhimit të mishit të derrit. Zbatimi ose puna me këto teknologji moderne kërkon njohuri të thella jo vetëm klasike zooteknike, por edhe në manaxhimin e fermës, si dhe ruajtjen e shëndetit të tufës dhe të mjedisit. Ndërkohë që në fermat familjare mbarështimi në tërësi i kafshëve bujqësore, është akoma tradicional, spontan dhe thuajse jashtë ekpsertizës zooteknike dhe ekonomike, përjashtuar disa aspekte të mbarështimit si inseminimi artificial, blerja e përzierjeve ushqimore nga fabrikat e ushqimeve të blegtorisë, për të cilët pronarët e ekonomive familjare mund të kërkojnë këshillim teknik.

Cilësia dhe siguria e produkteve blegtorale si ushqime për njeriun është zhvillimi më i rëndësishëm i dy dekadave të fundit dhe ai është sot në epiqendër, jo vetëm të blegtorisë por edhe të gjithë sektorit të bujqësisë. Prandaj, sot flitet jo më për bujqësi vecmas, por për bujqësi dhe ushqim. Prodhimi i mjaftueshëm i ushqimeve shtazore për njeriun dhe cilësia e siguria e tyre janë qëllimi kryesor i prodhimit blegtoral dhe i zhvillimit të sektorit të blegtorisë. Kjo është prirja kryesore e zhvillimit që ka ndryshuar, ose, më saktë, ri-dimensionuar gjithë sektorin e blegtorisë, sidomos në dy dekadat e fundit. Organizata Botërorë e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) shpalli, që para dy dekadash, “Revolucionin në blegtori – Livestock Revolution”, në kuadër të inisiativës globale “The Next Food Revolution. 2020 – Vision for Food, Agriculture, and the Environment”. Kjo sfidë do të vazhdoj të mbetet edhe në të ardhmen, tani edhe në kuadër të “Green Economy”. Kjo prirje e zhvillimit do të thellohet edhe në sektorin e blegtorisë të vendit tone. Zhvillimi i suksesshëm i blegtorisë për të prodhuar sasi të mjaftueshme të ushqimeve shtazore për njeriun, me cilësi të lartë dhe të sigurta, kërkon knoë hoë, formime profesionale e shkencore si dhe kompetenca e aftësime që janë gati të pakrahasueshme me ato të 20 viteve më parë.

Popullsia në Shqipëri po ndërgjegjësohet me shpëjtësi për cilësinë dhe sigurinë e ushqimit. Gjatë 15 viteve të fundit edhe në Shqipëri janë ngritur dhe po konsolidohen intitucionet përgjegjëse për cilësinë dhe sigurinë e ushqimeve për popullsinë. Sot vendi ka një sistem të ngritur të sigurisë ushqimore (AKU, Inspektoriatet, ISUV, drejtoritë rajonale, njësitë dhe inspektoriatet e bashkive), i cili është i shtrirë nga niveli qendror (agjencitë qendrore) deri në nivelin lokal (strukturat e bashkive). Por, që sistemi të jetë i plotë, ai duhet të përfshij hallkat paraardhëse, pikërisht ato që lidhen me prodhimin e produktit në fermë, ku prodhohet produkti blegtoral primar. Ato janë zhvilluar vetëm në vitet e fundit dhe përbëjnë sfidën më të madhe në fushën e sigurisë së produkteve blegtorale, për shkak se teknologjitë që zbatohen në fermë (prodhimi, konservimi dhe përpunimi i ushqimeve për kafshët, shtesat ushqimore, teknologjitë e të ushqyerit, të përmirësimit gjenetik, kushtet e mbajtjes në mjedise/stalla, impiantet dhe kushtet në repartet e mjeljes,  mekanizimi dhe automatizimi në stallë, gjendja e sëmundjeve alimentare, gjendja shëndetsore e tufës, ngarkesa mikrobike, etj) janë faktorët kryesorë që determinojnë cilësinë dhe sigurinë e produkteve blegtorale primare, pra përpara se sa ato të hyjnë në përpunim ose përdoren për konsum në gjendje të freskët. Prandaj, organizmat e ndryshme interacionale (si BE, FAO, etj) kanë adaptuar manuale apo standarte të teknologjive apo praktikave të mira në ferma blegtorale për prodhimin e produkteve të sigurta blegtorale (si HACCP në fermë).

Sot, në vendet e zhvilluara, institucionet apo agjencitë që veprojnë në fushën e blegtorisë, që mbështesin fermerët, kanë adaptuar dhe divulguar në formë broshurash apo manualësh praktik, sistemet e plota të sigurimit të cilësisë së prodhimit të produkteve blegtorale në fermë. Specialistët mbështesin fermerët për të bërë edhe një vetvlerësim të fermës së tyre në funksion të cilësisë dhe sigurisë së qumështit, mishit, vezëve dhe mjaltit. Në vendin tonë akoma nuk ka filluar implementimi i sistemeve të vet-vlerësimit të sigurimit të cilësisë së produkteve blegtorale në fermë nga vet fermeri ose manaxheri apo konsulenti i tij. Por, ky process do të filloj shumë shpejt edhe tek ne, aq më tepër që përfitimi i mbështetjes financiare nga skemat e BE është i pamundur pa zbatuar sisteme standarte që garantojnë sigurinë e produkteve blegtorale primare që prodhon ferma blegtorale. Për të zbatuar sistemet e vlerësimit të sigurisë dhe cilësisë së produkteve blegtorale primare, fermat e mëdha në vendet e zhvilluara duhet kenë punonjësin ose njësinë e brendshme të vlerësimit të cilësisë, ndërkohë që ato të mesme duhet të kenë të kontratuar ekspert apo agjenci që e realizon këtë proces.

Mirëqënia dhe mbrojtja e kafshëve prodhuese kanë marrë dimensione të reja dhe ato bëjnë pjesë në kriteret bazë të vlerësimit të cdo teknologjie a teknike të re që përdoret në sektorin e blegtorisë. Edhe ky zhvillim ka kushtëzuar aftësime dhe kompetenca të reja në formimin professional e shkencor të specialistëve /ekspertëve zooveterinarë dhe menaxherëve që punojnë në sektorin e blegtorisë.

Skemat e mbështetjes financiare edhe për sektorin e blegtorisë në vendin tonë kanë filluar të aplikohen që nga viti 2007. Me marrjen e statusit të vendit kandidat të BE, kanë filluar të lëvrohen fonde të BE edhe për skemat e subvencionit për fermat. Me fillimin e negociatave këto fonde të BE do të rriten. Për më tepër, bujqësia dhe ushqimi përbëjnë ndër fushat/kapitujt kryesorë të negociatave për marrjen e statusit të vendit anëtar të BE. Për rrjedhojë, pjesa dërmuese e fondeve të BE orientohen në këtë sektor. Por, kriteret e përfitimit të fondeve nga fermat janë në një nivel shumë të lartë edhe në këndvështrimin teknik, për të përmbushur kërkesat e mirëqënies së kafshëve, cilësisë dhe sigurisë së produkteve primare që ato prodhojnë si ushqime për njeriun, mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqënies së kafshëve si dhe mbrojtjen e mjedisit. Implementimi i skemave të mbështetjes dhe aplikimi i fermerëve në to kërkon edhe një nivel të lartë profesional zooteknik dhe ekonomik të këshillimit, jo vetëm në fazën e aplikimit, por edhe në atë të zbatimit.

Ndikimet e blegtorisë në mjedis përbëjnë një zhvillim që ka ardhur duke u thelluar me shpejtësi. Blegtoria është prodhuesi kryesor i metanit, si një faktor i rëndësishëm ndotës i mjedisit. Nga ana tjetër, eleminimi i nutrientëve të pashfrytëzuar, sidomos azotit, fosforit, kaliumit dhe nutrientëve të tjerë në plehun e fermave blegtorale, përbën jo vetëm një humbje, në këndvështrimin zooteknik dhe ekonomik, në shfrytëzimin e ushqimeve të kafshëve, por edhe një faktor të rëndësishëm ndotës të tokës, ujit, pra të mjedisit në tërësi. Prandaj, sot, fermat blegtorale në vendet e BE monitorojnë rregullisht bilancin e nutrientëve në varësi të drejtimit të prodhimit blegtoral (qumësht, mish, vezë). Së këtejmi, vlerësimi i ndikimit në mjedis është një ndër kriteret bazë në zhvillimin dhe implementimin e sistemeve, teknologjive e teknikave të llojeve të ndryshme në sektorin e blegtorisë. Kjo prirje zhvillimi është aktuale edhe për fermat blegtorale në vendin tonë dhe kërkon kompetenca e aftësime të reja në formimin e specialistëve/ekspertëve të blegtorisë.

Prirjet e tregut të punës në sektorin e blegtorisë.

Pesha e konsiderueshme që zë sektori i blegtorisë në bujqësisnë dhe gjithë ekonominë tonë është e lidhur edhe me një treg të konsiderueshëm të punës që lidhet, direkt dhe indirekt, me veprimtarinë e sektorit të blegtorisë, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik.

Hapësira e tregut të punës në sektorin privat. Sic u tha më lart, struktura e sipërmarrjes në këtë sektor mbizotërohet nga fermat e vogla familjare. Megjithatë, po rritet numri i fermave të mesme dhe të mëdha, cka po stimulohet edhe nga rritja e mbështetjes financiare, të brendshme dhe nga fondet e BE. Rritja e fondeve të BE për bujqësinë dhe blegtorinë është një premisë e rëndësishme për rritjen e madhësisë së fermave blegtorale, modernizimin teknologjik të tyre, rritjen e prodhimtarisë e të sigurisë së produkteve blegtorale, si dhe drejtime të tjera të zhvillimit të lidhura me këtë sektor.

Nisur nga përvoja e vendeve të tjera dhe nga fakti që ky sektor është prodhuesi produkteve shtazore, që zënë, bashkë me ato të peshkut, rreth gjysmën e ushqimit të njeriut, si dhe nga profili i të ushqyerit me mbizotërim të ushqimeve shtazore (qumësht dhe nënprodukte të tij, mish dhe nënprodukte të tij, vezë dhe me pak peshk) të popullsisë së vendit tonë, duket se pesha që do të zë ky sektor, brenda bujqësisë së vendit tonë, do të vazhdoj të rritet. Nga ana tjetër, sic u shtjellua me lart, veprimtaria e këtij sektori por ndërthuret, gjithnjë e më shumë, me hallkat e zinxhirit dhe sigurisë së produkteve shtazore primare, me industrinë e ushqimeve dhe inputeve të tjera për blegtorinë, agroturizmin, mjedisin, si dhe veprimtaritë e tjera të investimeve financiare bankare të lidhura me blegtorinë.

Duke u nisur nga të gjitha këto prirje të zhvillimit të sektorit të blegtorisë, duket se ky sektor gëzon potencial për të krijuar një treg më të madh pune në vendin tonë, i cili kërkon kualifikime bashkëkohore profesionale shkencore. Për më tepër, ky treg pune në sektorin privat do të konsolidohet më tej krahas implementimit, në sipërmarrjet e këtij sektori, të standarteve të BE që lidhen më vlerësimin e monitorimin e cilësisë, sigurisë së produkteve, ndikimin në mjedis si dhe ato të mbështetjes financiare, për të cilat fermat dhe sipërmarrjet do të kenë më shumë nevojë për asistencën e specialistëve që kanë formimin universitar në fushën e zooteknisë, mbrojtjes së shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve të fermës, si dhe cilësisë e sigurisë së produkteve blegtorale primare. Por, aktualisht tregu i punës në sektorin privat, nuk është i mirë strukturuar për të thithur numër të mjaftueshëm të diplomuarish, sidomos në shkencat zooteknike. Përgjithësisht, sektori privat akoma nuk është ndërgjegjësuar për nevojën e specialistëve, sidomos të fushës së zooteknisë. Vetëm fermat shumë të mëdha punësojnë specialistët zooteknikë jo vetëm të nivelit Master, por edhe të nivelit Bachelor. Në vendin tonë akoma nuk është e zakonshme që drejtuesi i një ferme të madhe apo të mesme, bujqësore apo blegtorale, të jetë i kualifikuar në nivelin Bachelor (rreth 3% e fermerëve në vendin tonë kanë arsim të lartë, 34% kanë kryer arsimin e mesëm profesional, ndërsa rreth 60% janë me arsim të detyruar ose vetëm atë fillor). Gjithashtu, akoma nuk ka incentiva nxitëse të mjaftueshme për të rinjtë e diplomuar në nivelin Bachelor, për të krijuar ferma apo biznese të tjera në këtë sektor.

Hapësira e tregut të punës në sektorin public. Përafrimi i kuadrit ligjor dhe nënligjor rregullator të vendit tonë me atë të BE në fushën e bujqësisë, blegtorisë, si dhe cilësisë dhe sigurisë në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor kanë filluar të japin efektet në organikat e strukturave dhe institucioneve qendrore, rajonale dhe vendore të manaxhimit, inspektimit dhe expertizës edhe në sektorin e blegtorisë dhe të nënsektorëve të tjerë të lidhur me to. Kjo do të coj në zgjerimin e tregut të punës në sektorin publik për të diplomuarit në fushën e zooteknisë. Megjithatë, ende ekzistojnë mospërputhje dhe mangësi të konsiderueshme në kuadrin aktual rregullator që i përket këtij sektori (sidomos në ligjin e blegtorisë, ligjin e Shërbimit Veterinar, ligjin e zhvillimit rural, ligjin e ushqimit si dhe listën kombëtare të profesioneve), të cilat kanë përcaktime jo të plota që cënojnë karakterizimin e fushës ekspertizës së të diplomuarve në programet e shkencave zooteknike, Bachelor dhe Master.

Për vlerësimin afatgjatë të prirjeve të zhvillimit të tregut të punës edhe në këtë sektor mund të na shërbej si referëncë përvoja e vendeve të reja të BE, meqënëse bujqësia, blegtoria, mjedisi dhe siguria ushqimore janë sektorët/nënsektorët ekonomik të vendit tonë që përfitojnë dhe do të përfitojnë mbështetjen më të madhe financiare nga BE. Përvoja e vendeve të BE me një madhësi të krahasuesshme me vendin tonë (p.sh. Lituania, Sllovenia, Letonia), tregon se tregu i punës në sektorin privat dhe atë publik mund të thithë një numër të moderuar të të diplomuarve në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve universitare në drejtimin e zooteknisë, i cili është i shkallës së një grupi prej rreth 20-30 studentë/vit.

Studimet universitare Duale në Zootekni si një përgjigje ndaj zhvillimit afatgjatë të blegtorisë.

Zhvillimet demografike në vendin tonë kanë cuar në uljen shumë të shpejtë të numrit të nxënësve dhe maturantëve, në mënyrë të vecantë në rrethe dhe rajonet rurale të vendit. Kjo është reflektuar edhe me një prirje të uljes së numrit të maturantëve që aplikojnë dhe regjistrohen edhe në disa programe studimi në shkencat bujqësore tradicioale, përfshirë edhe programet e studimeve në fushën e zooteknisë. Në mënyrë të vecantë, vihet re ulja e numri të studentëve të rretheve dhe zonave rurale të vendit, nga ku duhet të vinin pjesa më e madhe e studentëve, motivimi i të cilëve ndoshta do të ishte ndoshta më i madh dhe ata mund për të punësoheshin më shumë, sepse ata jetojnë në rajonet ku janë fermat bujqësore, blegtorale dhe biznese të tjera të lidhura me to. Nga ana tjetër, janë ulur shumë prurjet nga shkollat e mesme profesionale, edhe pse 8 shkolla të mesme profesionale kanë programe të bujqësisë dhe blegtorisë dhe rreth 11 të tjera kanë programe të ekonomisë dhe turizmit. Ndoshta për studentët e zonave rurale e largëta një rol luan kostoja e jetesës që kanë studentët në Tiranë, ndërkohë që tarifa e studimeve në nivelin Bachelor është thuajse e pa konsiderueshme.

Këto prirje në numrin e maturantëve si dhe në hapësirën e tregut të punës, në sektorin privat dhe publik të lidhur me blegtorinë, janë udhërrëfyese për përshtatjen e ofertës akademike në këtë drejtim studimi, me synimin që të diplomuarit të kenë formimin teorik dhe praktik profesional që kërkon zhvillimi afatmesëm dhe ai afatgjatë i këtij sektori, si dhe ata të kenë mundësi të punësohen sa më herët në fushën profesionale për të cilën kanë investuar tre vite studimesh universitare.

Shumë studime mbi punësimin e të diplomuarve në vendin tonë dhe në vendet e tjera të Ballkanit, tregojnë se formimi praktik është ndër treguesit e rëndësishëm për punëdhënësit në rekrutimin e të rinjve. Për këtë arsye, një ndër rrugët e rëndësishme që rekomandohet për rritjen e shkallës së punësimit të të diplomuarve është forcimi i formimit praktik si dhe integrimi i të rinjve që gjatë kohës së studimeve në tregun e punës të fushës/sektorit përkatës.

Modelet e studimeve universitare që e realizojnë më mirë ndërlidhjen e studimeve universitare në auditor me praktikën, si dhe janë më të suksesshme në rritjen e shkallës së punësimit të hershëm të të diplomuarve edhe në fushën e bujqësisë, janë studimet universitare të integruara me praktikën, sidomos “Arsimi i lartë Dual” (si forma më e avancuar), ku formimi universitar është rezultat i kombinimit, thuajse në mënyrë të barabartë, i formimit teorik me atë praktik direkt në sipërmarrje. Ky model i arsimit të lartë universitar është më i zhvilluar në Gjermani, por ai është i përhapur edhe në vendet e tjera europiane, sidomos në universitetet e shkencave të aplikuara, si Austria, Zvicra, Finlanda, Hollanda, Danimarka, Sllovenia, etj.

Me qëllim gjetjen e rrugëve për rritjen e shkallës së punësimit të të diplomuarve në fushën e zooteknisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës ka ndërmarrë, së bashku me dy universitete të BE (University of Applied Sciences Nürtigen-Geislingen -NGU, Gjermani, dhe Savonia University of Applied Sciences – Savonia UAS, Finlandë), disa universitete shqiptare (U. i Korcës, U. i Prishtinës” Prishtinë, U. Mitrovicës), si dhe 7 institucione të tjera partnere të tregut të punës (Work Life Partner – WLP), projektin Erasmus CBHE “Dual Curricula – Study and Work Practice in Agriculture and Food Safety / DualAFS”.

Objektivi kryesor i këtij projekti Erasmus është riorganizimi i programit aktual të studimit të ciklit të parë Bachelor në Zootekni në Universitetin tonë dhe i programit Bachelor “Agrobisnes” në Universitetin të Korcës, në formën e programeve të studimeve të integruara me praktikën, të përafruara me arsimin e lartë profesional Dual, mbështetur kryesisht në përvojën e universiteteve partnere në projekt, si dhe të disa universiteve të tjera kryesisht të Gjermanisë, Austrisë, Finlandës, Zvicrës, Hollandës, Danimarkës, etj. Aktualisht janë riorganizuar këto dy programe studimi Bachelor, ku formimi profesional në fermë/biznese do të zë 7 muaj nga 3 vite studimi, ose rreth 22 % të të gjithë numrit total të krediteve (40 ECTS nga 180 ECTS). Ky model i bën fermat dhe buzneset e përzgjedhura bashkë-kontributorë në formimin praktik të studentëve.

Senati i UBT dhe ai i Universitetit të Korcës i kanë miratuar këto programe të riorganizuara, në formën e programeve pilot, dhe ato përbëjnë programet “pionere” të arsimit universitar Dual në fushën e bujqësisë në vendin tonë. Faktorët e tregut të punës, duke filluar nga fermat, bizneset, shoqatat e fermerëve, institucionet qendrore dhe rajonale publike e kanë mirëpritur këtë model dhe po i japin një mbështetje të madhe UBT dhe Universitetit të Korcës për realizimin e modelit DUAL në drejtimet e Zooteknisë dhe Agrobiznesit.

Maturantët e gjimnazeve dhe ato të shkollave profesionale do të kenë një mundësi të re, për të studjuar në programe Duale në drejtimin e Zooteknisë në UBT.

 

Prof. Dr. Myqerem Tafaj,
Departamenti i Shkencave Zooteknike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mejdisit, UBT.

Na Ndiqni në: