Në kushtet e zgjerimit dhe të intensifikimit të kultivimit të ullirit po shfaqen problematika të ndryshme fitosanitare të cilat po kërcënojnë zhvillimin e qëndrueshëm të ullishteve tona.
Në këtë kontekst është e rëndësishme të zbatohen kritere që duhen respektuar për të siguruar prodhim të integruar të ullirit, e cila është një mënyrë prodhimi me cilësi të lartë duke i dhënë përparësi teknikave të kultivimit të sigurta nga ana ekologjike që ulin në minimum përdorimin e kimikateve sintetike me qëllim për të rritur sigurinë për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.
Tashmë në kushtet e kultivimit intensive të ullirit është e rëndësishme të zbatohen teknikat biologjike, gjenetike, bujqësore, fitopatologjike me qëllim për të përmirësuar bilancin e fermës dhe për të rritur cilësinë e prodhimit.
Nisur nga shqetësimi i fermerëve për shfaqjen e disa problematikave akute në ullishtet e zonës së Konispolit organizuam një ekspertizë fushore për diagnostikimin e këtyre problemeve.
Çfarë rezultoi në ullishtet e monitoruara në Konispol:
- Lagështi e tepërt.
- Lartësia e trungut nga toka shumë e ulët (30-40 cm) si premisë për të krijuar lagështi ajrore të tepërt si favorizues të sëmundjeve të ndryshme patologjike.
- Vaditje e tepërt dhe shpërndarje në qafën e rrënjës.
- Sasia e tepërt e plehrave azotike dhe koha e hedhjes së tyre tepër e vonë, duke favorizuar në mënyrë të tejskajshme zhvillimin vegjetativ.
- Kurorë e madhe dhe me dendësi, duke favorizuar sëmundjet kërpudhore e bakteriale.
Nga problematikat e mësipërme të cilat janë kryesisht të karakterit agroteknik në agrumishtet e zonës Konispol janë shfaqur këto probleme:
1 – Plasaritje masive e lëvores dhe e trungut si rezultat i mos respektimit të agroteknikës e cila ka çuar në çrregullime fiziologjike.
2 – Plasaritje e trungut deri ne indet drunore
3 – Prekje masive nga tuberkulozi i ullirit (Pseudomonas savastanoi) duke shkaktuar:
- tharje të pjesëve me tumore,
- dobësim të bimës,
- rrëzim masiv të gjetheve nga syri palloit (Spilocea oleagina. Cast), e cila ka çuar deri në tharje të degëve të reja.
Çfarë rekomandojmë për kultivuesit e fermerët e ullirit
- Kullimi të jetë i mirë dhe i shpejtë.
- Të shmanget lagështia e tepërt dhe ndenje të ujrave me qëllim që të mos kemi asfiksim të rrënjëve.
- Përdorimi i plehrave azotike në sasinë dhe në kohën e duhur.
- Kontrolli i tuberkulozit të ullirit dhe i syrit të palloit.(për më tepër klikoni në faqen e internetit UBGREEN)
Prof. Dr. Shpend Shahini
Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.