Rritja e përdorimit të energjive të rinovueshme ka për qëllim plotësimin e kërkesës globale të energjisë dhe në të njëjtën kohë, zëvendësimin e karburanteve fosile. Kërkesa në rritje për prodhim të energjisë elektrike nëpërmjet paneleve dhe celulave fotovoltaike do të çojë në rritjen e kërkesës së sipërfaqes tokësore duke i ndryshuar kështu tokës funksionin bazë, atë prodhues dhe lindjen e një konflikti socio-ekonomik. Në të njëjtën kohë, siguria ushqimore kërcënohet nga ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe një popullsie gjithnjë e në rritje.
Të gjitha këto kanë rezultuar në një rritje presioni ndaj një burimi të kufizuar siç është toka dhe kryesisht toka bujqësore. Një zgjidhje ndaj kësaj sfide, është marrja e prodhimit bujqësor dhe energjisë në të njëjtën kohë dhe hapësirë, nëpërmjet sistemit të ashtuquajtur sistemi agrofotovoltaik (APV) ose agrovoltaik, si një mundësi për kombinim sinergjik midis energjive të rinovueshme dhe prodhimit bujqësor.
Çfarë është një sistem agrovoltaik?
Sistemi agrovoltaik është një sistem ku kombinohet prodhimi i energjisë fotovoltaike dhe i kulturave bujqësore në të njëjtën siperfaqe. “Bashkëjetesa” e paneleve fotovoltaike dhe e kulturave ka të bëjë me shfrytëzimin e dritës në mënyrë të tillë që të përftohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën hapësirë prodhim energjie dhe prodhim bujqësor.
Ky sistem gjithashtu siguron edhe krijimin e një mikroklime për kulturat, më pak sasi uji e larguar përmes evapo-transpirimit (nga toka dhe bimët) dhe kështu, kursim të burimeve ujore që përkthehen në reduktim të kostove të prodhimit.
Historiku i sistemeve agrovoltaike
Armin Zastrow dhe Adolf Goetzberger janë pionerët e sistemit agrovoltaik. Ky sistem u përdor fillimisht në 1981 me qëllim maksimizimin e produktivitetit të tokës. Kjo ide lindi si një metodë për zgjidhjen e problemit të konkurrencës së tokës për përdorim prodhues dhe për prodhim energjie elektrike nga energjia diellore.
Propozuar në 1981, ky sistem është implementuar masivisht në Japoni që nga 2004 dhe ka pasur gjithashtu një përhapje të gjerë në Azi dhe në Europë. Në Austri dhe më pas në Itali, sistemi u aplikua në fusha në 2007 dhe gjatë viteve 2009-2011 u implementua në Francë dhe Gjermani.
Zhvillimi dhe tendenca e kësaj teknologjie gjatë viteve të fundit vazhdon dhe qëndron tepër dinamike. Sot, pothuajse është e përhapur në të gjitha rajonet në të gjithë globin. Kapaciteti i instaluar është rritur në mënyrë eksponenciale, nga 5 megawatt pik (MWp) në rreth 2.8 gigawatt pik (GWp) në 2020. Kjo rritje u bë e mundur falë edhe programeve financuese qeveritare si në Japoni (që prej 2013), Kinë (2014), Francë (që prej 2017) dhe SHBA (që prej 2018).
Burimi: Development of agrivoltaics form 2010 up to today. © Fraunhofer ISE
Avantazhet e agrovoltaikëve
- Kombinim harmonik i sistemeve fotovoltaike (PV) me bazament në tokë me bujqësinë;
- Përfitime potenciale shtesë për bujqësinë si mbrojtja kundër dëmtimeve nga breshëri, dëmet e shkaktuara nga ngrica dhe nga thatësira;
- Kosto më e ulët e përfitimit të energjisë elektrike, krahasuar me sistemet e vogla fotovoltaike (PV) të çative të objekteve.
- Diversifikim burimesh të të ardhurave të fermës.
Sfidat e agrovoltaikëve
- Identifikimi dhe përcaktimi i hapësirave potenciale agrovoltaike si ‘zona të veçanta’ në harta dhe plane;
- Krijimi dhe vendosja e tarifave nxitëse në përputhje me rregulloret përkatëse për sistemet e vogla agrovoltaike (< 750 kWp)
- Stimulimi përmes projekteve i sistemeve të mëdha agrovoltaike (> 750 kWp),
- Krijimi dhe implementimi i një programi agrovoltaik;
- Inkurajimi i grupeve të ndryshme të interesit (publikë dhe privatë) për ndërtimin, identifikimin e vendeve të përshtatshme dhe zgjedhjen e kulturave të përshtatshme.
Përfitimet e agrovoltaikëve
Agrovoltaikët ofrojnë mundësi të shumta për sinergji midis fotovoltaikëve dhe bujqësisë, si:
- Reduktimi i nevojave për ujitje deri në 20%;
- Mundësi të mbledhjes së ujit të reshjeve për qëllime ujitjeje;
- Përdorimi i strukturave mbajtëse të PV për vendosjen e rrjetave mbrojtëse;
- Optimizimi i disponueshmërisë së dritës për prodhimet bujqësore përmes sistemeve të gjurmimit të rrezeve diellore;
- Efiçensë e lartë modulare përmes ftohjes konvektive;
- Rritje e të ardhurave të fermave.
Gjatë ditëve të nxehta temperaturat e ajrit janë shumë të larta. Në këtë mënyrë PV asistojnë bimët për të kryer proçesin e fotosintezës. Kjo gjë ndodh përsa kohë drita e diellit është e disponueshme dhe PV janë të mirëpozicionuar dhe vendosur në lartësi të mjaftueshme mbi bimë ose kultura bujqësore. Prodhimi bujqësor dhe prodhimi i energjisë janë në një përfitim reciprok.
Përmes kësaj teknologjie kjo ide po bëhet gjithnjë e më e arritshme dhe e dobishme për shumë arsye. Përdorimi i APV mund të kontribuojë gjithashtu në zhvillimin rural të qëndrueshëm, gjenerimin e energjisë elektrike për vetëkonsum në ferma dhe reduktim të kostove të energjisë elektrike.
Prof.Asoc. Etleva Jojiç & Msc. Aleksandër Peqini
Departamenti i Shkencave Agronomike, Fakulteti Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT