Përshtatur nga kopertina e Raportit të BE-se për Ekonominë Blu 2021

Për profesionistët e së ardhmes në “Ekonominë Blu”

Thirrje të dedikuara për aplikime për financim të përgjithshëm prej 448 milion eurosh u mundësuan në mbështetje të strategjisë së komisionit për “Rritjen Blu”, gjatë periudhës 2020-2021. Të tilla thirrje kishin për qëllim të promovonin rritjen e qëndrueshme në sektorët e lidhur me detin dhe transportin detar nëpërmjet menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve detare, për një ekosistem detar të shëndetshëm, produktiv, të sigurtë dhe fleksibël ndaj ndryshimeve, në mënyrë të spikatur në përputhje me rregulloret mbi ndryshimet e klimës, sigurinë ushqimore, shëndetin human, mirëqenien dhe ekonominë.

Në mënyrë specifike, këto thirrje për financim kishin për qëllim të jepnin një shtytje ndaj “Ekonomisë Blu” nëpërmjet: Përmirësimit të integruar të njohurive rreth impaktit reciprok mbi ndryshimet e klimës në ekosistemet detare dhe resurset biologjike, për të menaxhuar efektivisht aftësitë për të përballuar dhe minimizuar efektet e ndryshimeve të klimës; mbrojtjes dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të ekosistemeve bregdetare dhe detare, së bashku me resurset biologjike për të siguruar përmirësim në të ushqyer dhe shëndet; minimizimin e rrezikut në investime dhe krijimin e shtysave të inovacioneve blu në tokë dhe det, për të zhvilluar zinxhirë vlerash të bazuar në produktet bio dhe për të hapur tregje të reja; zhvillimin e territoreve inteligjente dhe të mirëlidhura me njëra-tjetrën në hapësira tokësore dhe detare dhe fuqizimin e kërkimit shkencor ndërkombëtar dhe kooperimeve inovative rreth deteve dhe oqeaneve, në promovimin mbarëbotëror të qëndrueshëm të “Ekonomisë Blu”.

Ndër fushat e ndryshme me emërues të përbashkët “Organizmat e Gjallë Detarë”, financimi nga BE-ja u përdor në iniciativa të ndryshme, për të rritur konkurrencën në praktikat e sigurimit të ushqimeve me origjinë detare, duke eliminuar mundësitë e krijimit të mbetjeve në Evropë (nëpërmjet detyrimeve gjatë zbarkimit nga peshkimi) në aktivitetet e peshkimit, ashtu si edhe fuqizimi i praktikave të akuakulturës (prodhimi primar, përpunimi dhe shpërndarja).

Në lidhje me biodiversitetin detar, H2020 ndihmoi në projektimin lidhur me rehabilitimin dhe kthimin në gjendjen e mëparshme, nëpërmjet subvencionimeve që sjellin integrimin efektiv të rikthimit në gjendjen e mëparshme të biodiversitetit, duke krijuar lidhje me rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës, ashtu si edhe vlerësimin e duhur në benefitet për rikthimin në gjendjen e mëparshme të zonave të caktuara, të cilat mundësojnë observime në terma afatëgjatë dhe shkëmbime potenciale të praktikave më të mira.

Një “Ekonomi Blu” e qëndrueshme është e një rëndësie të lartë për Bashkimin Evropian, me potenciale të larta për rritjen dhe inovacionin, së bashku me impaktin pozitiv ne aspektin social dhe mjedisor. Megjithate, ekziston një mungesë e theksuar e profesionistëve të mirëtrajnuar dhe personave me aftesi të larta kualifikimi në industritë e “Ekonomisë Blu”. Për më tepër, kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19 ka shtuar sfidat dhe nivelin e veshtirësisë për të përballuar të tilla sfida.

Shqetësime të tjera të lidhura me zhvillimin e karrierës në “Ekonominë Blu” përfshijnë: Komunikimin dhe kooperimin midis sferës së edukimit (qendrat e trajnimit, universitetet dhe akademia) dhe asaj të përfaqësuar nga industria; atraktiviteti dhe ndërgjegjësimi i oportuniteteve në karrierë në “Ekonominë Blu” si dhe kultura e përgjithshme e mbështetur në literaturën rreth njohjes së oqeanit.

Në 2020, Komisioni Evropian publikoi Axhendën Evropiane për Aftësitë, në mënyrë që të krijohej një konkurrencë e drejtë dhe e qëndrueshme. Në këtë axhendë u vendosën objektiva ambiciozë për përmirësimin e aftësive ekzistuese dhe trajnimin në profesione të reja, të cilat duhet të arrihen në një periudhë 5-vjeçare.

Të 12 masat e planifikuara fokusohen në përftimin e aftësive të nevojshme për punë në të gjitha vendet partnere të BE-së, kompanitë dhe partnerët socialë, të cilat bashkëpunojnë për ndryshim, duke fuqizuar njerëzit që të përfshihen në përqasjet e të mësuarit gjatë gjithë jetës (ku një buxhet i dedikuar nga BE shërben si katalizator për të shkyçyr investimet publike dhe private, në krijimin e të tilla aftësimeve).

Këtu përfshihet zhvillimi i një seti njohurish themelore mbi “rritjen blu”, monitorimin statistikor në mbështetje të vazhdueshme nga dixhitalizimi i promovuar dhe i zhvilluar nga plani i veprimit për edukimin digjital dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit.

Fondi Evropian për Peshkimin dhe Teknologjitë Detare, duke u mbështetur në zhvillimin e “karrierës blu”, ka qëllim të krijojë platforma për kooperimin midis biznesit dhe edukimit, në nivel lokal/rajonal apo ndërkombëtar, nëpërmjet projekteve rilevante.

Ai është në kërkim të vazhdueshëm të zhvillimit dhe implementimit të masave konkrete për të mbushur boshllëqet në aftësim, zbutur papunësinë dhe rritur atraktivitetin e “Karrierës Blu” midis studenteve dhe profesionistëve të rinj. Përveç aktiviteteve tradicionale të lidhura ngushtë me detin (si peshkimi, akuakultura dhe navigimi), “ekonomia blu” është duke u diversifikuar në aktivitetet emergjente si energjitika në oqeane apo bioteknologjitë detare dhe siguria në det, të cilat kërkojnë aftësi të reja për të qenë të fuqizuara në komunitetet e “ekonomisë blu”, shkolla, organizata dhe universitete.

Një prej universiteteve të Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet në pararojë në krahasim me universitetet e tjera, është Universiteti Bujqësor i Tiranës. Departamenti i akuakulturës dhe peshkimit, duke përshtatur kurrikulën e vendeve të përparuara e me traditë si Italia e Kroacia, ka mundësuar që vitet e fundit të ketë një kurrikul (Biologji Marine dhe Akuakulturë) në përputhje me strategjinë e “rritjes blu” të BE-së.

Edhe pse një vend kandidat për në BE, 10-vjearin e fundit është bërë një progres i vecantë në sektorët e peshkimit dhe akuakulturës. Tashmë mbetet vetëm një bashkëpunim midis industrisë dhe sferës akademike, si ai i sugjeruar nga Komisioni Evropian. Studentët dhe profesionistet e së ardhmes në akuakulturë, peshkim dhe bioteknologji dtare do të jenë pjesëmarrësit në revolucionin drejt “ekonomisë blu” të qëndrueshme.

 

Prof. Asoc. Dr. Rigers Bakiu
Përgjegjës i Departamentit të Akuakulturës dhe Peshkimit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Pjesë e materialit është shkëputur nga një raport i Maj-it 2021 i titulluar “European Commission (2021). The EU Blue Economy Report. 2021. Publications Office of the European Union. Luxembourg”

Na Ndiqni në: