Pse duhet treguar kujdes nga zjarret për ullinjte e vjetër shekullorë

Fenomeni i zjarreve në pyje, sidomos në sezonet e nxehta të vitit, duket se është kthyer në një ogur permanent tashmë anembanë rruzullit, si edhe në vendin tonë. Shqetësimi i vazhdueshëm i ekspertëve mjedisorë për ngrohjen globale dhe efektin serrë dekadën e fundit, duket se nuk po sjell ndonjë ndryshim pozitiv në politikbërje, me fokus në këtë drejtim.

Njerëzimi tashmë “po mësohet” me këtë fenomen. saqë të jep përshtypje të pazakontë kur nuk referohet prezence e tij në zona të caktuara nga viti në vit. Kohë pas kohe, masat dhe politikat për mbrojtjen mjedisore bëhen edhe më strikte, por fokusi dhe vëmendja përher ka qenë i adresuar ndaj pyjeve, kullotave dhe fashave pranë zonave të banuara.

Në kontekstin e vlerësimit mjedisor të habitateve apo të kompesimit të vlerave të tyre, pyllëzimi me fidanë të rinj dhe ristrukturimi i popullatave të specieve bimore të dëmtuara, duket se “mbulon” deri diku dëmin e errozionit, por kjo nuk mund të thuhet asesi për dëmin e parikuperueshëm nga rreziku zhdukjes së egzemplarëve shekullorë të ullirit.

Mosha dhe vlerat historike që ato mbartin, nuk mund të zëvendësohet dhe kompesohet me asnjë formë dhe praktikë, ndaj qasja për evidentimin e statusit të tyre të ruajtur nga shteti dhe masat për ruajtjen e tyre duhet të jetë e veçantë.

Ullinjtë shekullorë dhe vlerat që ato përfaqësojnë?

Në përgjithësi kur flitet për të dhëna të hershme, qoftë të antikitetit apo të një natyre tjetër, sidomos për vepra arti por dhe pjesë historie të diskutueshme, mendohet se më së shumti referencat historike dhe studimore janë nga të kërkuesve të huaj.

Kjo nganjëhere për faktin e pamundësisë shteruese të aktivitetit të studjuesve tanë, për një fakt të vëzhguar në kohë, e në raste të tjera nga arsye objektive e subjektive. Sidoqoftë, në rastin e studimeve mbi historikun e ullinjëve të vjetër shekullor në Shqipëri, duket se nuk është rasti, pasi egzistojnë të dhëna të shumta dhe dokumente të bollshme të studjuesve tanë, që vërtetojnë më së miri këtë argument.

Ulliri në Shqiperi është mjaft i vjetër, aq sa edhe në vendet e tjera të mesdheut. Si bimë/pemë, ai ka një status të veçante, vend dhe rëndësi në kulturën dhe artin popullor. Në aspektin kulturor, mjaft zakone jane te lidhura ngusht me kete pemë “të shenjtë dhe bujare”.

Sipas traditës, në duvakun e nuses vendosej një kurorë, me degëza ulliri të lidhura me gjurmish, simbol bekimi i lumturisë dhe begatisë së familjes së re. Në lidhje me lashtësinë dhe hershmërinë e saj si pemë, në trojet tona, arkeologët shqiptar kanë zbuluar pjesë të pemës së ullirit, enë dhe fara olivastre të derdhur në mburoja luftëtarësh, basoreliefe, si në; Amantia, Bylis, Apolonia, Ardenica, Cerje, etj., te cilat dëshmojnë për egzistencën e saj, 5-6 mijë vitet e fundit.

Në Shqipëri ka shume pemë ulliri që kanë moshë mbi 2000 vjeçare. Mbi të gjitha dy vatra janë më të rëndësishme; Zona përreth Tiranës dhe ajo e Vlorës, ku spikasin egzemplarë shekullore 3000 vjeçarë, lehtësisht të dallueshëm. Ndërmjet variteteve vërehen karakteristika morfologjike që i dallojnë njëri prej tjetrit. Sidmos forma e kurorës, hapja e degeve, forma e gjetheve, forma dhe madhesia e frutave, koha e pjekjes, përmbajtja dhe cilesia e vajit, etj.

 

Prof.As. Adriatik Çakalli
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, Universiteti Bujqësor, Tiranë.

Burimi: Ullinjtë e vjetër të Shqipërisë (H. Ismaili & B. Gixhari).

Na Ndiqni në: