www.unsplash.com

Peshqit kërcorë, specia e rrezikuar e ujërave tona

Në jo pak raste shumëkush mund të ketë qenë dëshmitar në ngjarje reale të rënies në rrjetë të peshkaqenëve në brigjet shqiptare, e jo të paktë janë ata që e kanë parë e dëgjuar një ngjarje të tillë nëpërmjet mediave të ndryshme në vend. Por të paktë janë ata që e dinë se transmetimi apo publikimi i të tilla lajmeve jo gjithmonë është korrekt dhe bëhet ashtu siç duhet.

Këtë problematikë ngre INCA (Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri) e cila së bashku me partnerët mesdhetarë të WWF Med dhe WWF Itali, në mbështetje dhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, shprehin shqetësimin e tyre për mënyrën e raportimit të çështjeve që kanë të bëjnë me prezencën dhe kapjen e peshkaqenëve. Ata kërkojnë vëmendjen e medias së shkruar, vizive dhe sociale për të trajtuar me korrektësi njoftimet e paraqitura.

Sipas tyre ky raportim, ndonëse rrjedh si pasojë e mungesës së informacionit nga institucionet respektive në informim dhe më tej në ndërgjegjësim të komunitetit të peshkatarëve së pari dhe më pas të medias dhe komunitetit për llojet e specieve që janë prezente në ujërat shqiptare dhe në rëndësinë që ata kanë jo vetëm si pjesë e biodiversitetit, por dhe si informacion statistikor për peshkimin e tyre, nuk duhet neglizhuar për të prodhuar me to lajme apo kronika që shkojnë në drejtim të gabuar të informimit dhe ndërgjegjësimit.

Lajmet mbi peshkimin e peshkaqenëve shpesh janë në dëm jo vetëm të specieve të kapura, të cilat në shumicën e tyre janë specie të rrezikuara dhe që kanë status mbrojtjeje rajonale apo botërore, por dhe të vetë peshkatarëve të prezantuar në këto kronika apo njoftime. Këto organizma bëjnë me dije se bazuar në kuadrin ligjor për peshkimin, ku përfshihen edhe speciet e peshkaqenëve, kapje të tilla (qofshin dhe rastësore) janë të dënueshme, por gjithashtu edhe zbarkimi i tyre në tokë dhe akoma më tej shitja apo servirja e tyre nga/për restorantet.

INCA thekson se shpesh u është bërë reklamë praktikave të gabuara të kapjes së peshkaqenëve dhe për më tepër zbarkimit në tokë, shitjes dhe servirjes së tyre në/nga restorante. Gjithashtu një kronikë ose njoftim i reklamimit të kapjes së peshkaqenëve, do të kërkonte dhe një njohje më të thelluar për të tilla specie pasi ato janë cilësuar si të rrezikuara dhe peshkatarët kanë detyrim ligjor për ruajtjen e tyre në mënyrë rigoroze dhe jo kapjen e apo zbarkimin në tokë të këtyre specieve. Në këtë kontekst, informacion më i detajuar si për rregullat e peshkimit apo të llojeve të rrezikuara të tyre ofrohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (drejtoria e zhvillimit të peshkimit) dhe nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (drejtoria e zhvillimit të politikave të mbrojtjes së mjedisit – mbrojtja e biodiversitetit).

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri vë në dukje gjithashtu se nëse nuk disponohet dhe shfrytëzohet informacioni i duhur, gazetarët dhe media do të bëhen jo thjesht nxitës të ndëshkimit të peshkatarëve, por më tepër nxitës të praktikave të gabuara dhe keqinformimit të publikut.

Për këtë arsye kërkohet ndërgjegjësim nga mediat që të kuptojnë më mirë faktin se këto specie janë të veçanta (peshkaqenët) dhe si të tilla në rastin më të mirë, duhet të mbrohen duke nxitur mënyrat e mira të trajtimit të tyre në rastet e kapjeve rastësore dhe në rastin më të keq (nga peshkatarët), jo vetëm të mos zbarkohen në breg dhe të konsumohen pa dijeni të autoriteteve përkatëse, por minimalisht të realizojnë regjistrimin e këtyre specieve sipas kërkesave të ligjit për peshkimin. Gjithashtu INCA kërkon që mediat të mos bëjnë reklamën e gabuar të procesit të peshkimit të peshkaqenëve që është në shkelje të ligjit dhe që ndëshkohet me gjoba për peshkatarët dhe ata që e kërkojnë për konsum këtë produkt por dhe që mediat vizive dhe veçanërisht ato online të mos përhapin panik në publik për prezencën e tyre në ujërat tona, pasi peshkaqenët kanë qenë dhe do të jenë pjesë e deteve që lagin brigjet tona.

Për sa u tha më sipër, është e domosdoshme të ndiqen të gjithë rregullat e parashikuara për mbrojtjen e këtyre llojeve të rrezikuara dhe të ndërgjegjësimit të komunitetit mbi rëndësinë e tyre dhe jo raportimi i tyre si trofe gjahu.

 

Emirjeta Adhami
Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri

Na Ndiqni në: