Photo: Alexas_Fotos - www.pixabay.com

Përgatitja e ushqimeve për derrat në fermë

Derri bën pjesë në grupin e kafshëve me aparat tretës të thjeshtë dhe volum të vogël. Ai konsumon ushqime me origjinë bimore dhe shtazore, kryesisht të tipit koncentrat; tret keq celulozën, nuk sintetizon disa proteina me vlerë të lartë biologjike të cilat duhet të shtohen në racion, reagon shumë dhe shpejt ndaj ushqimeve të pabalancuara (ul shtesën ditore, rrit shumë konsumin ditor të ushqimit, etj). Gjithashtu është mjaft selektiv përsa i përket ushqimeve me erë të rëndë apo të prishura të cilat nuk i konsumon as atëhere kur ka uri.

Ushqimi i derrave përpara përdorimit duhet t’i nënshtrohet detyrimisht përpunimit dhe bluarja është një ndër metodat e zakonshme të përpunimit të tij, e cila siguron reduktimin e madhësisë së kokrrizave, zmadhimin e sipërfaqes së drithit duke mundësuar një bashkëveprim më të madh me enzimat tretëse, përmirëson përzierjen dhe rrit efektivitetin e ushqimit.

A mund ta përgatisim vetë ushqimin në fermë?

Nëse vendosim ta përgatisim vetë ushqimin në fermë, ulim koston e prodhimit, rrisim elasticitetin e racionit sepse mund të përziejmë disa ushqime të ndryshme por duhet të kemi parasysh:

Së pari: Të kemi siguruar drithin, suplementet mineralo-vitaminike dhe premikset.

Së dyti: Të sigurojmë një racion të kombinuar, të përzierë mirë dhe të kontrollojmë cilësinë e tij

Së treti: Të jemi të vetëdijshëm se na duhet një menaxhim i mirë i kostos së ushqimeve, fuqisë punëtore dhe pajisjeve.

Si fillon puna për përgatitjen e ushqimit

    1. Përzierja është hapi i parë në përgatitjen e ushqimit. Përzierësit dhe koha e përzierjes së një partie ushqimi ndryshojnë shumë. Në përzierësit horizontalë kjo kohë është rreth 5 minuta. Përzierësit vertikalë dhe mullinjtë, harxhojnë 15 minuta kohë (rekomandohet përdorimi i mullinjve me rula sepse shpenzojnë rreth 28 % më pak energji). Drithërat që do të përzihen i nënshtrohen kontrollit teknik për përmbajtjen e lagështisë, të proteinave dhe gjithashtu bëhet prova e peshës, kontrollohet prania e myqeve dhe substancave të huaja. Më pas hidhen në perzierës sipas një radhe të caktuar, respektimi i së cilës ndikon mbi efektivitetin e përzierjes dhe uniformitetin e ushqimit. Në fillim hidhet gjysma e sasisë së drithit, më pas bëhet përzierja me substancat proteinike, vitaminat, lëndët minerale dhe aditivët ushqimorë dhe në fund në përzierje hidhet gjysma e sasisë së mbetur të drithërave.
    2. Efektiviteti i përzierjes. Bëhet kontrolli teknik i vazhdueshem i makinerive përzierëse si dhe analiza e përqindjes së kripës në disa kampione prej një partie të ushqimit të përzier. Ndryshimi në përmbajtjen e kripës midis kampioneve, merret si tregues i përzierjes me saktësi ose jo.
    3. Kontrolli i cilësisë. Ky kontroll është në varësi të madhësisë së aktivitetit dhe tonëve të ushqimit të përdorur.

Elementët që duhen kontrolluar dhe sa shpesh duhet bërë ky veprim.

Madhësia e kokrrës – Në çdo përzierës, një rol të dorës së parë në reduktimin e madhësisë së kokrrës, luan sita e bluarjes, madhësia e së cilës është në vartësi të llojit të drithit. Bazuar në tonazhin e përpunuar çdo vit, madhësia e kokrrizës duhet të kontrollohet për çdo 400 – 600 ton ushqim të përpunuar

 Cilësia e drithit nëpërmjet mjeteve praktike si të indikatorit të lagështisë dhe llampave me rreze ultraviolet, testohet 2 herë në vit.

Yndyrnat dhe vajrat– Problemi më i madh për burimet yndyrore është thartimi i tyre. Rekomandohet përdorimi i antioksidantëve si BHT, ethoxyquina etj, në rast magazinimi për një kohë të gjatë.

 Kontrolli i racionit– Për t’u siguruar se po prodhojmë një racion brenda normës, kontrollohet tonazhi i përdorur në çdo fazë të prodhimit. Gjithashtu duhen kontrolluar vazhdimisht për çdo 50 kg mish derri të shitur, çmimet e racionit dhe kostoja e tij.

 

Dr. Alma Llambiri
Departamenti i Shkencave Zooteknike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: