Chewy - www.unsplash.com

Ovariohisterektomia në kafshët e shoqërimit

Ovariohisterektomia është heqja kirurgjikale e organeve riprodhuese (vezoret, brirët e mitrës dhe trupi i mitrës) tek kafshët femra. Ndërsa ovarioektomi konsiston në heqjen kirurgjike vetëm të vezoreve. Ndërhyrje të tilla kirurgjikale përfshijnë një larmi teknikash të dizenjuara për të ndryshuar aftësinë e kafshës për tu riprodhuar. Indikacioni kryesor për operacionin e traktit riprodhues tek kafshët femra është kufizimi i riprodhimit (për të parandaluar shtatzëninë).

Përpara ndërhyrjes kirurgjikale është e rëndësishme të kryhen ekzaminimet e nevojshme. Testet para operacionit varen pjesërisht nga mosha dhe shëndeti i përgjithshëm kafshës. Tek qentë e vegjël nevojiten teste minimale bazuar në ekzaminimin fizik. Në qentë apo mace të mëdha në moshë, është e nevojshme të kryhen analiza të përgjithshme hematologjike dhe biokimike para anestezisë. Ekzaminimi fizik duhet të përfshijë inspektimin në rajonin e ndërhyrjes, inspektimin e vulvës dhe gjendrave të qumështit. Ndëraq protokolle të shumta anestetike mund të përdoren për kirurgji në kafshë të shëndetshme.

Kjo ndërhyrje kirurgjikale rekomandohet në moshën 6 deri në 9 muajshe apo pas kalimit të estrusit të parë. Por ndërhyrja e ovarioektomisë kryhet edhe në moshat e rritura qoftë edhe kur kafshët janë shtatzanë. Zakonisht procedura kirurgjikale zgjat nga 45 minuta deri në një orë për t’u kryer në shumicën e rasteve, përfshirë kohën e nevojshme për përgatitje dhe anestezi. Tek qentë më të moshuar ose të racave të mëdha, procedura mund të zgjasë edhe më shumë.

Edhe shërbimi postoperator është shumë i rëndësishëm në kafshët e shoqërimit. Nevojitet lënia në gjendje qetësie në shtëpi, minimizimi i lëvizjeve apo vrapimit për dy javë pas operacionit. Gjithashtu mund të jepen medikamente për qetësimin nga dhimbja për disa ditë pas operacionit e të tjera.

 

Bledar Goxha
Departamenti i Moduleve Klinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: