ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE TË LIDHURA ME VETERINARINË

Nga Prof. Gani MOKA(FMV -UBT)

Përveç shëndetit të kafshëve, shërbimi veterinar po fokusohet gjithnjë e më shumë drejt shëndetit publik veterinar dhe sigurisë ushqimore. Kjo tendencë po reflektohet edhe në legjislacionin tonë veterinar, zhvillimi i të cilit bazohet kryesisht në burimet e jashtme të legjislacionit. Si bazë e furnizimit të këtij burimi, shërbejnë disa organizata ndërkombëtare veterinare, apo të lidhura në mënyra dhe masa të ndryshme me veterinarinë, të tilla si OIE-ja (Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve), FAO (Organizata e Bujqësisë dhe Ushqimit), OBT- ja (Organizata Botërore e Tregëtisë), OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë), etj.
1. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)
OBSH (WHO) është organizatë e Kombeve të Bashkuara, e specializuar të operojë në drejtim të mbrojtjes dhe përmirësimit të shëndetit në shkallë globale. Për këtë qëllim, ajo miraton standarde ndërkombëtare në bashkëpunim të ngushtë me organizata të tjera (OIE, FAO, OBT, PAHO, etj), veçanërisht në sferën e zoonozave, sigurisë ushqimore dhe të rezistencës antibiotike.
Qendra e OBSH-së ndodhet në Gjenevë të Zvicrës. Vendi ynë është anëtar me të drejta të plota të kësaj organizate. Ajo ka flamurin dhe stemën e saj.
Flamuri, stema dhe selia e OBSH-së në Gjenevë
Nё sistemin e OKB-së, OBSH-ja ёshtё autoriteti i drejtimit dhe koordinimit tё shёndetit në përgjithësi. Ajo pёrgjigjet pёr:
▪ Sigurimin e lidershipit tё shëndetit global, lidhur me platformat e kёrkimit shkencor, vendosjen e normave dhe opsioneve politike, si dhe me strategjitë për problemet e shëndetit.
▪ Monitorimin dhe vlerësimin e tendencës botёrore tё shёndetit, duke punuar pёr arritjen e objektivave në bashkёpunim të ngushtё me ekspertёt.

▪ Kontributin ndaj SHPV-së dhe SHP-së, pёrmes survejancёs dhe kontrollit tё zoonozave (emergjente ose jo, me origjinё ushqimore, nga kafshёt apo mjedisi), të bioterrorizmit dhe tё rezistencës antibiotike, nëpërmjet zyrave të saj rajonale.
Në funksion të fushave që mbulon, OBSH-ja mban lidhje bashkёpunuese me shumë
universitete dhe qendra kёrkimore-shkencore të botës.
2. Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve (OIE)
OIE-ja, është një organizatë ndërkombëtare e pavarur dhe ndërqeveritare, me mbi 180 shtete anëtare (midis të cilave edhe Shqipëria). Me qendër në Paris, ajo përcakton dhe koordinon ndërkombëtarisht rregullat dhe standardet për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, duke miratuar standardet e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, të shëndetit publik veterinar dhe të sigurisë ushqimore. Këto standarde formulohen dhe shprehen tek:
– Kodi Ndërkombëtar i Shëndetit të Kafshëve Terrestrale
– Manuali i Testeve Diagnostike dhe Vaksinave për Kafshët Terrestrale – Kodi Ndërkombëtar i Shëndetit të Kafshëve Akuatike
– Manuali i Testeve Diagnostike dhe Vaksinave për Kafshët Akuatike
Qëllimi kryesor i OIE-së është informimi i shteteve anëtare rreth situatës epidemiologjike të çdo vendi dhe marja e masave veterinare për parandalimin e sëmundjeve infektive e zoonotike, që rrjedhin nga tregëtia ndërkombëtare e kafshëve dhe produkteve shtazore. Ajo menaxhon një sistem të gjerë informacioni për sëmundjet e kafshëve, mbi bazën e të cilave zhvillon standarde sanitaro-veterinare të pranueshme në tregtinë ndërkombëtare të kafshëve e produkteve shtazore. Ajo madje ka mandatin e përmirësimit të shëndetit të kafshëve në shkallë botërore.
OIE-ja u krijua në Paris me 25 janar 1924 me emërtimin Zyra Ndërkombëtare e Epizootive, si rrjedhojë e marrëveshjes së 28 shteteve, nga nevoja për masa mbrojtëse kundër disa sëmundjeve të rënda epizootike, që po e dëmtonin së tepërmi Europën (në 1872, murtaja shkaktoi ngordhje të shumta deri në shfarosje të gjedhit në Europën Qendrore). Përballë kësaj situate katastrofike, të gjitha qeveritë europiane u alarmuan dhe morën masa drastike, çka kulmoi me krijimin e OIE-së. Në vitin 2003 emërtimi u ndryshua në “World Organization for Animal Health”, por akronimi OIE (“Office International des Epizooties”) u ruajt në respekt të zyrës së parë kundër epizootive.
Organizimi i OIE-së i nënshtrohet disa rregullave; shteti që dëshiron të anëtarësohet, njofton përmes kanaleve diplomatike Ministrinë e Punëve të Jashtme Franceze (meqenëse qeveria franceze ka zyrtarizuar krijimin e OIE-së në vitin 1924 dhe kjo ministri disponon marrëveshjen ndërkombëtare të krijimit). Çdo vend anëtar përfaqësohet pranë OIE-së me delegatin e tij zyrtar, i caktuar nga qeveria përkatëse. Normalisht delegatët janë veterinerë të kualifikuar dhe/ose punonjës

të nivelit të lartë të shërbimit civil. Si rregull, ai është drejtori ose shefi zyrtar i veterinarisë (CVO- ja). Në mënyrë të përmbledhur, delegati ka të drejtë:
▪ Të marë pjesë me të drejtë vote, në Sesionin e Përgjithshëm të Komitetit Ndërkombëtar (Asambleja e Përgjithshme), i cili është autoriteti më i lartë i OIE-së dhe mblidhet në muajin maj të çdo viti, në Paris.
▪ Të marë dhe të shfrytëzojë informacionin e dërguar në OIE nga shtetet e tjera anëtare, lidhur me shëndetin e kafshëve të vendeve respektive. Këtu përfshihet edhe aksesi me informacionin tekniko-shkencor, veçanërisht me raportet e Komisioneve Rajonale të OIE-së, e specialistëve të tyre, e grupeve të punës, si dhe e grupeve ad-hoc.
▪ TëmarëpjesënëaktivitetetrajonaledhendërkombëtaretëOIE-sëdhet’iraportojë asaj rregullisht për situatën epizootike të vendit të tij, dy herë në vit (çdo javë kur ka shfaqje të një sëmundjeje emergjente).
▪ Votimi i delegatëve në mbledhjen e Sesionit të Përgjithshëm të Komitetit Ndërkombëtar bëhet i fshehtë, sipas principit demokratik “një vend, një votë”.
Stema dhe selia e OIE-së në Paris
Detyrat apo funksionet e OIE-së lidhen me misionin e saj kryesor që është hartimi, miratimi, shpërndarja dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare në fushën e veterinarisë, për shëndetin e mirëqenien e kafshëve, SHPV, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e mjedisit nga njëra anë, si dhe për tregëtinë ndërkombëtare të kafshëve e produkteve shtazore, nga ana tjetër. Përgjithësisht, detyrat e OIE-së kanë të bëjnë me:
▪ Marjen e informacionit mbi situatën epizootike të sëmundjeve të kafshëve dhe zoonozave nga çdo vend anëtar, si dhe shpërndarjen e këtij informacioni (vendet anëtare kanë obligimin e raportimit të situatës epidemiologjike lidhur me sëmundjet e Listës së OIE-së).
▪ Analizën dhe shpërndarjen e menjëhershme të informacionit, përmes publikimit dhe njoftimit zyrtar, me anën e sistemit Alert dhe internetit.

▪ Zbatimin e klauzolës për tregëtinë e kafshëve dhe produkteve shtazore, të Marrëveshjes së OBT-së për Masat Sanitare dhe Fitosanitare (SPS), duke miratuar standardet, guidat dhe rregullat ndërkombëtare të tregëtisë dhe sigurinë e saj. Ky detyrim rrjedh nga fakti se OIE-ja është organizatë reference e OBT-së.
▪ Garantimin e transparencës së statusit të sëmundjeve të kafshëve në shkallë botërore.
▪ Kryerjen e ekspertizës dhe nxitjen e solidaritetit ndërkombetar për kontrollin e
sëmundjeve të kafshëve.
▪ Përmirësimin e kornizës ligjore dhe menaxhimin veterinar në shkallë globale, në drejtim të shëndetit e mirëqenies së kafshëve, SHPV-së dhe sigurisë ushqimore.
▪ Nxitjen e rritjes ekonomike dhe reduktimin e varfërisë në vendet e botës së tretë apo në tranzicion, përmes përmirësimit të shëndetit të kafshëve, zhvillimit të blegtorisë dhe tregëtisë së produkteve shtazore, çka rrit aksesin e tregjeve të vendeve në tranzicion.
▪ Përmirësimin dhe fuqizimin e cilësisë së shërbimeve veterinare, duke përcaktuar standardet përkatëse të cilësisë, të përfshira në Kodet Ndërkombëtare të Shëndetit të Kafshëve. Në këtë aspekt, OIE-ja publikon 4 lloje standardesh, të ndara në 2 grupe:
– Standarde të tregëtisë (“Kodi Ndërkombëtar i Shëndetit të Kafshëve Terrestriale”, apo shkurt Kodi Terrestral dhe “Kodi Ndërkombëtar i Shëndetit të Kafshëve Akuatike”)
– Standarde biologjike (“Manuali i Testeve Diagnostike dhe Vaksinave për Kafshët Terrestrale”, si dhe “Manuali i Testeve Diagnostike për Kafshët Akuatike”).
3. Organizata e Bujqësisë dhe Ushqimit (FAO)
FAO është një organizatë e Kombeve të Bashkuara, me qendër në Romë. Ajo është krijuar në 1945 në Quebek të Kanadasë dhe sot numëron 180 shtete anëtare, ndërmjet të cilave edhe Shqipëria, e anëtarësuar në vitin 1973. Aktualisht, është agjensia më e madhe dhe më e specializuar në fushën e bujqësisë, ushqimit, blegtorisë, pylltarisë, peshkimit dhe zhvillimit rural.
FAO ka pёr mandat:
▪ Pёrmirёsimin dhe rritjen e nivelit tё t’ushqyerit e standardeve tё jetёs, nxitjen e prodhimit bujqёsor, luftёn kundёr varfёrisё, si dhe krijimin e kushteve mё tё mira tё popullsisё rurale.
▪ Nxitjen e zhvillimit tё qëndrueshёm tё bujqёsisё dhe sektorit rural, rritjen e prodhimit agroushqimor, si dhe sigurimin e ushqimit.

Në bashkëpunim me organizma të tjera simotra (me OBSH-në, BE-në, OIE-në, etj), FAO harton dhe miraton Kodekset Alimentare, nëpërmjet Komisionit të Kodeksit Alimentar (KKA). Kodekset përcaktojnë standardet e cilësisë dhe sigurisë ushqimore, nё formёn e kodekseve ose ligjeve. KKA-ja ka 165 anëtarë (ka përfaqësues edhe Shqiperia) dhe në bashkёpunim me FAO-n, ka për qёllim:
▪ të pёrcaktojë standardet ushqimore, pёr mbrojtjen e shёndetit tё konsumatorëve dhe aplikimin e praktikave tё rregullta nё prodhimin, tregëtimin dhe pёrdorimin e ushqimit, përmes instalimit të sistemit HACCP, etj.
▪ të hartojë standardet ISO dhe të hartojë e publikojë standardet ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë së ushqimeve për konsum human, në formën e kodekseve alimentare (kodet e ushqimit) me fuqi ligjore.
Selia në Romë dhe stema e FAO-s
Kodeksi Ushqimor (Codex Alimentarius) përmban të gjitha standardet ndërkombëtare ushqimore të njesuara dhe të miratuara ndërkombëtarisht, për cilësinë dhe sigurinë ushqimore. Kodekset alimentare miratohen nga FAO me OBSH-ja, si dhe shtetet anëtare të tyre. Kodeksi përmban:
▪ Udhëzime dhe rekomandime në formën e kodeve praktike.
▪ Standardet e të gjitha ushqimeve kryesore, ato gjysëm të përpunuara dhe lëndët e
para ushqimore që përdoren nga konsumatori.
▪ Kushtet teknike për respektimin e standardeve dhe rregullave higjienike të ushqimit, sikurse normat e lejuara mikrobiologjke, kushtet teknike të aditivëve ushqimore, mbetjet e pesticideve dhe mbetjet tokso-kimiko-farmakologjike, ndotësit e ndryshëm, etj.
▪ Metodat e analizave laboratorike dhe të mostrimit.

Standardet dhe kufijtë maksimalë për mbetjet e pesticideve apo të medikamenteve veterinare në ushqimet e destinuara për konsum human, i komunikohen zyrtarisht ministrive përkatëse të linjës të cdo vendi anëtar të FAO-s dhe OBSH-së.
4. Organizata Botërore e Tregëtisë (OBT)
OBT-ja e ka zanafillën nga GATT-I (Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat e Tregëtinë, në 1947), ndërsa marrëveshja për krijimin e saj u nënshkrua nga 113 vende, në Marakesh të Marokut në vitin 1994 dhe hyri ne fuqi me 1 janar 1995. Me qendër në Gjenevë, sot OBT numëron 140 vende anëtare dhe mbulon mbi 97% të tregëtisë botërore. Shqipëria është anëtarësuar në vitin 2001.
OBT-ja është e vetmja organizatë ndërkombëtare që merret me tregëtinë e lirë. Nëpërmjet Marrëveshjes Sanitare e Fitosanitare (M-SPS), ajo e njeh OIE-në si organizatë reference për zbatimin e standardeve veterinaro-sanitare të tregëtisë ndërkombëtare të kafshëve e produkteve me origjinë shtazore. Në këtë mënyrë parandalohet përhapja e sëmundjeve në kafshë dhe kontrollohen zoonozat. Ajo mbulon të gjitha shërbimet dhe zgjidhjet e mosmarrëveshjeve në fushën e tregëtisë, si dhe harton strategjitë e politikave tregëtare. Sistemi i saj ligjor bazohet tek marrëveshjet (ka rreth 30 të tilla), të cilat shoqërohen me angazhime apo protokolle për fusha të ndryshme specifike. Marrëveshjet përdoren gjërësisht në tregëtinë botërore.
Marrëveshjet ose konventat veterinare, përfaqësojnë akte me vlerën e instrumenteve ligjore, të cilat disiplinojnë dhe lehtësojnë marrëdhëniet mes shteteve në fushën e tregëtisë së kafshëve dhe produkteve të tyre. Ato janё marrёveshje shtetërore të lidhura mes dy shteteve, qё përgjithësisht nёnshkruhen nga personalitete tё larta qeveritare (deri nivel Presidenti), qё synojnë ndalimin e hyrjes sё sёmundjeve tё kafshëve dhe zoonozave nga territoret respektive tё njëri-tjetrit. Qёllimi i tyre ёshtё shkёmbimi i informacionit tё ndёrsjelltё periodik dhe emergjent mbi situatёn epizootike tё sёmundjeve infektive e zoonozave tё listёs sё OIE-së, si dhe zgjidhja e problemeve nёpёrmjet kontakteve e bisedimeve zyrtare. Shërbimi veterinar shqiptar ka nёnshkruar mbi 20 konventa bilaterale me shtete tё huaja, kryesisht ato fqinje, me tё cilat kryen shkёmbime tregëtare dhe tekniko-shkencore.
Konventat pёrmbajnë çёshtje tё tilla, si:
▪ Zgjidhja e mosmarrëveshjeve nёpër PIK-e, apo organizimi i takimeve zyrtare dypalёshe sa herё shfaqen probleme reciproke. Në këto takime pёrcaktohen pikat e kalimit kufitar dhe kontrollit veterinar, modalitetet e kontrollit, modelet e çertifikatёs veterinaro- sanitare, masat karantinore nё PIK-e, kushtet e ngarkesave, etj.

▪ Aktivitetet e ndryshme tekniko-shkencore (konferenca, seminare, simpoziume), shkёmbime eksperiencash dhe shkencëtarësh, trajnime, botime, shkëmbim literature, vizita ekspertësh, etj.
▪ Dёrgimi reciprok i buletineve veterinare nё afate tё caktuara kohe, si dhe informaione reciproke e komunikime të rregullta telefonike, e-mail, faks, etj.
Konventat nёnshkruhen dhe ratifikohen nga qeveritё, madje shpesh edhe nga parlamentet e palëve dhe hyjnё nё fuqi pasi nёnshkruhen reciprokisht nga qeveritё përkatëse. Baza ligjore e lidhjes së konventave veterinare pasqyrohet në legjislacionin veterinar ndërkombëtar te OIE-së, BE-së, OBT-së, si dhe në atë kombëtar.
Një marrëveshje me shumë rëndësi në fushën veterinare është Marrëveshja Sanitare dhe Fitosanitare (M-SPS), e cila hyri në fuqi qysh me krijimin e OBT në 1 janar 1995. Objekti i saj bazë është zbatimi i rregullave të sigurisë ushqimore dhe i mbrojtjes së shëndetit të kafshëve e bimëve nga vendet anëtare. Ajo inkurajon fuqishëm vendet anëtare, që t’i bazojnë rregulloret e tyre sanitaro-veterinare mbi standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga OIE-ja dhe të përshkruara në Kodet përkatëse. Mosnënshkrimi i M-SPS ndalon anëtarësimin në OBT, madje edhe në BE.
Stema dhe selia qendrore e OBT në Gjenevë
Një tjetër organizatë autoritare që operon në kontinentin amerikan është Organizata Panamerikane e Shëndetit (PAHO). Ajo bashkëpunon me organizatat e tjera ndërkombëtare, përgjithësisht për problematikat veterinare dhe të SHPV-së në veçanti. Misioni i saj për SHPV- në konsiston në programet prioritare për parandalimin dhe kontrollin e zoonozave, sëmundjeve me origjinë ushqimore, për sigurinë ushqimore, për nxitjen e shëndetit e prodhimit të kafshëve, si dhe për mbrojtjen e mjedisit.

Na Ndiqni në: