Mbetjet në Shqipëri, kërcënim i vazhdueshëm për mjedisin dhe shëndetin publik

Ngrohja e motit dhe lëvizja e njerëzve drejt bregdetit ose drejt vendeve të preferuara larg qyteteve, rishfaq në sy të publikut nje plagë të vjetër, atë të hedhjes vend e pa vend të plehrave ose mbetjeve të të gjtha llojeve. Megjithëse kohë epidemie globale, në Shqipëri, plehrat dalin në skenë dhe vazhdojnë të jenë “kërcënim i vazhdueshëm për mjedisin dhe shëndetin publik”.

Anët e rrugëve, përrenjtë, lumenjë dhe brigjet e tyre janë të ndotur me mbetje inerte ose urbane duke ndotur territorin dhe degraduar ujrat, pasurinë më të çmuar të vendit. Ujërat e ndotur përdoren për bujqësinë, industrinë, kafshët dhe njerëzit duke u kthyer kështu në kërcënim serioz për shëndetin publik. Reaksioni zinxhir i ndikimeve nuk kursen as botën e gjallë dhe as natyrën.

Rreziku nga plehrat njihet mirë, studimet në Shqipëri nuk mungojnë, megjithatë nuk ka një vlerësim të dëmit ekonomik, mjedisor dhe shëndetësor të shkaktuar prej tyre. Situata mbetet problematike prej dekadash për shkak se nuk është perceptuar nga publiku dhe institucionet kërcënimi nga plehrat ndërsa njihet pak ose aspak rrisku dhe dëmi i shkaktuar prej tyre.

Në fakt, rrisku dhe dëmi është i konsiderueshëm, i maskuar dhe i paimagjinueshëm. Depozitimet e materialeve rezistente ndaj degradimit në shtratin e lumenjve kanë ndryshuar grykëderdhjet e tyre duke iu dhënë formën e kraterit të vullkanit. Pastrimi dhe rehabilitimi ka kosto të papërballueshme dhe do të kërkojë dekada kohë. Ndërkaq gjallesat dhe shëndeti i njerëzve janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të substancave të rrezikshme rezistente dhe toksike ose kancerogjene të pranishme tek mbetjet urbane të përhapura në mjedis nëpërmjet kontaktit ose zinxhirit ushqimor.

Mekanizmi i bioakumulimit të substancave të qëndrueshme me toksicitet të lartë dhe kancerogjene, është i njohur shkencërisht por pak i njohur nga publiku. Me fjalë të tjera substancat helmuese kanë mundësinë të kalojnë dhe përqendrohen në organizmin e njeriut dhe shfaqin efekte të renda shëndetësore të pakthyeshme, të cilat bëhen të kuptueshme pas një kohe ekspozimi disavjeçare.

Kur efekti shfaqet, dëmi është bërë dhe në shumë raste ka pasoja fatale për shëndetin e njerëzve. Gjithashtu, depozitimi i mbetjeve në mjedis të hapur krijon vatra të rrezikshme për përhapjen e patogjenëve dhe sëmundjeve të rrezikshme për njerëzit nëpërmjet vektorëve siç janë kafshët, shpendët dhe insektet. Njerëzit rrezikohen nga konsumi i produkteve shtazore kur kafshët shtëpiake janë kontaminuar nga kontakti ose konsumi i plehrave.

Evropa e ka paguar nga mbetjet dhe ujërat e zeza me humbjen e gjysmës së popullsisë, ndaj dhe sjellja e tyre me mbetjet është më e kujdesshme por pretendimet për zhvillimin e turizmit në një situatë të tillë vihen në dyshim. Ne duhet të kuptojmë dhe të ndërgjegjësohemi, të ndryshojmë sjelljen, të reagojmë dhe kërkojmë zgjidhje, ndërsa vendimmarrësit duhet t’a adresojnë me prioritet problematikën e ndotjes nga mbetjet.

 

Prof. Dr. Seit Shallari
Përgjegjës i Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

 

Na Ndiqni në: