Mbetjet e pesticideve në produktet ushqimore, një çështje për t’u konsideruar

Përdorimi i pesticideve mundëson rritjen e prodhimit bujqësor, por përveç anës pozitive që lidhet me rritjen e rendimentit të bimëve bujqësore dhe cilësisë së prodhimit, shoqërohet edhe me ndikime negative në mjedis dhe në shëndetin e njeriut, sidomos në rastet kur përdorimi i tyre kryhet në mënyrë të pakontrolluar nga specialistët e fushës. Kështu, del si domosdoshmëri përdorimi i kontrolluar dhe marrja e masave për reduktimin dhe/ose eleminimin e mbetjeve të tyre në mjedis.

Pesticidet ose produktet për mbrojtjen e bimëve (PMB) janë kimikate ose komponime kimike që përdoren për të kontrolluar ose dëmtuar parazitët ose dëmtuesit e bimëve bujqësore si dhe parazitët e kafshëve dhe njerëzve. Përdorimi i pesticideve në vendin tonë varion nga 350 në 400 ton/vit, me një tendencë në rritje vitet e fundit. Aktualisht, përdorimi kryesor i pesticideve vërehet në perimet në fushë dhe serra, në pemëtoret intensive dhe vreshta.

Përdorimi i pesticideve çon në mënyrë të pashmangshme në formimin e mbetjeve në bimë dhe tokë të cilat në kohë degradohen dhe bëjnë që të reduktohet përqëndrimi i tyre. Ky reduktim është i lidhur me llojin e lëndës aktive të pesticidit, bimën ku përdoret dhe kushtet klimatiko-tokësore ku ndodh procesi i degradimit.

Bazuar në shkallën e toksicitetit të pesticideve, janë përcaktuar ato nivele të mbetjeve të pesticideve që quhen mbetjet maksimale të lejueshme (MML) në produktet me origjinë bimore dhe shtazore të cilat janë të parrezikshme për jetën e njeriut. Mbetjet maksimale të lejueshme janë përcaktuar për çdo lëndë aktive të pesticideve dhe produkt me origjinë bimore dhe shtazore që konsumohen nga njerëzit. Vendi ynë ka miratuar të njëjtat normativa si dhe Bashkimi Europian (BE) në lidhje me MML-të.

Tregtimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale në kuadër të sigurisë ushqimore bën që këto t’i nënshtrohen analizës për mbetjet e mundshme të pesticideve në produkt. Në rastet kur këto mbetje janë mbi normat e lejuara ose MML, duhet që produktet ushqimore të mos konsumohen dhe të eleminohet, pasi rrezikojnë shëndetin e njeriut.

Në vendin tonë ekziston një kuadër ligjor mbi regjistrimin, importin, tregtimin, transportin, ruajtjen, magazinimin dhe përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve (PMB) dhe është pjesërisht i përshtatur me legjislacionin e BE-së. Bazuar në këtë legjislacion, në vendin tonë lejohen të tregtohen ato lëndë aktive të cilat janë të lejuara për tregtim së paku në një vend të BE-së. Përmbajtja e lëndeve aktive në formulim, kushtet e ruajtjes dhe përdorimit duhet të jenë në përputhje me përcaktimet në etiketën e produktit.

Krahas zbatimit të kërkesave ligjore në tregtim dhe përdorim të PMB-ve, vërehen në disa raste disa problematika të cijat po i citojmë në vijim.

  1. Tregtimi dhe përdorimi i pesticideve me më pak lëndë aktive sesa është përcaktuar në etiketën e formulimit tregtar të pesticidit.

Në këtë rast kemi të bëjmë me një mashtrim ekonomik pasi fermeri e ble pesticidin sipas çmimit që bazohet në % e lëndës aktive, dhe për shkak të përmbajtjes së ulët nuk jep efektin e duhur në mbrojtjen e bimëve duke ulur rendimentin e bimës bujqësore ku përdoret. Për pasojë, fermeri për të siguruar mbrojtjen e bimëve detyrohet të përdorë sasira më të larta të pesticideve ose përsëritje të trajtimit me pesticide, gjë e cila çon në rritjen e kostos së prodhimit të bimëve. Për më tepër, përdorimi i përsëritur ose me doza të larta i pesticideve çon në rritje të mbetjeve të tyre në mjedis, pra ndotje të tokës, ujit dhe të produkteve bujqësore duke cënuar sigurinë ushqimore të konsumatorëve. Kështu, kalimi i mbetjeve të pesticideve në ujë, produktet bujqësore dhe blegtorale, pra në zinxhirin ushqimor, do të cënojë sigurinë ushqimore të konsumatorëve pasi pesticidet janë substanca toksike dhe kanë efekte të dëmshme në shëndetin e njeriut.

Në kushtet kur pesticidet rezultojnë me përmbajtje më të ulët ose më të lartë të lëndës aktive ato nuk duhet të përdoren nga fermerët, pasi doza e përdorimit të tyre është përcaktuar bazuar në % e lëndës aktive të shënuar në etiketë.

  1. Tregtimi dhe përdorimi i pesticideve për të cilët tashmë është ndaluar përdorimi i mëtejshëm i tyre në vendet e BE-së.

Disa lëndë aktive të pesticideve si thiacloprid, imidakloprid, fenbuconazole dhe chlorpyrifos janë të ndaluara në BE, por fatkeqësisht tregtohen dhe përdoren akoma në vendin tonë sasi të importuara duke përbërë një rrezik të shtuar për konsumatorët. Për këto pesticide duhet të ndalohet përdorimi i mëtejshëm i tyre dhe asgjësimi i gjendjeve të mundshme fizike në vendin tonë pasi janë pesticide vrastare për mjedisin dhe njerëzit.

Ky fakt përbën një shqetësim serioz pasi kompanitë importuese të pesticideve mund të importojnë sasira të konsiderueshme të lëndëve aktive të cilat BE i ka ndaluar por ato vazhdojnë të tregtohen. Kështu, duhet që kur miratohet lista e PMB-vë që nuk lejohen të importohen por vetëm të tregtohen dhe përdoren në Republikën e Shqipëris, duhet të egzistojë një afat kohor përdorimi i mëtejshëm i tyre dhe sasitë që mbeten përtej këtij afati, duhen asgjësuar dhe në mënyrë absolute nuk duhet të përdoren.

  1. Mosrespektimi i afateve kohore në përdorimin e pesticideve nga fermerët.

Vërehet që fermerët nuk respektojnë afatin kohor nga aplikimi i fundit deri në vjeljen e produktit ose siç njihet “karenca” e pesticidit, e cila është koha e nevojshme që sasia e pesticidit të përdorur të reduktohet në nivelin e mbetjeve të lejuara (MML) nëpërmjet proceseve të degradimit. Nga mosrespektimi i karencës së pesticidit, sidomos për bimët bujqësore që konsumohen të freskëta si perimet dhe frutat, do të kemi mbetje të pesticideve në bimë më të larta se normat e lejuara duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.

  1. Mosrespektimi i dozave të përcaktuara në përdorimin e pesticideve nga fermerët.

Në disa raste fermerët përdorin doza më të larta se dozat e rekomanduara me qëllim për të siguruar një mbrojtje më të mirë të bimës nga sëmundjet dhe dëmtuesit. Një përdorim i tillë nuk siguron një mbrojtje më të mirë të bimës pasi doza e rekomanduar siguron një mbrojtje të plotë të bimës. Përdorimi i dozave më të larta çon vetëm në rritjen e sasisë së mbetjeve të pesticideve në bimë dhe në mjedis, si dhe në rritjen e kostos së prodhimit. Gjithashtu vërehen raste që fermerët për mungesë fondesh, përdorin doza më të ulta se doza e rekomanduar por nuk munden të sigurojnë një mbrojtje të mirë të bimëve e për pasojë detyrohen të ripërdorin pesticide. Ky ripërdorim shoqërohet me rritjen e mbetjeve të pesticideve në bimë dhe në mjedis, si dhe në rritjen e kostos së prodhimit. Pra të dy rastet, si dozat më të larta dhe dozat më të ulta nuk duhet të aplikohen sipas preferencës por duhet të përdoren ato doza që rekomandohen për një pesticid të dhënë.

  1. Analiza të pakta të mbetjeve të pesticideve në produktet ushqimore.

Duhet që institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore të kryejnë në vijimësi analiza mbi mbetjet e pesticideve. Për të analizuar mbetjet e pesticideve në produktet ushqimore që tregtohen në vendin tonë, duhet të merren mostra në mënyrë rastësore dhe të vijueshme në treg të produkteve me origjinë bimore dhe shtazore. Analiza e mbetjeve të pesticideve sidomos në perime dhe fruta është shumë e rëndësishme pasi perimet dhe frutat konsumohen në mënyrë të vijueshme, në sasira të konsiderueshme dhe janë pjesë e dietës ushqimore për të gjithë konsumatorët.

Për më tepër konsumi i tyre i freskët mbart një rrezik të shtuar të mbetjeve të pesticideve pasi koha që ndan përdorimin e një pesticidi në fushë nga koha e konsumit, shpesh nuk është e gjatë dhe e mjaftueshme për degradimin e tyre. Në disa raste është raportuar tregtimi i perimeve, ku përmbajtja e mbetjeve të pesticidive është mbi normat e lejuara, por edhe kur këto nuk e kalojnë kufirin për një pesticid të vetëm, ato përmbajnë më shumë se një pesticid dhe shuma e mbetjeve të pesticideve është e konsiderueshme. Institucionet përgjegjëse të cilat lidhen me përdorimin e pesticideve, kontrollin e produkteve ushqimore dhe sigurinë ushqimore duhet të reagojnë në mënyrë të menjëhershme duke mos lejuar tregtimin e mëtejshëm të produkteve me mbetje pesticidesh dhe eleminimin e tyre.

Për të siguruar një mbrojtje të mirë të bimëve bujqësore nga sëmundjet, dëmtuesit dhe barërat e këqija si dhe për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve, rekomandohen:

-Përmirësimi i informacionit për përdoruesit e pesticideve dhe ndërgjegjësimi

-Përdorimi i pesticideve lehtësisht të degraduesheme ose me një karencë të shkurtër për të shmangur mbetjet e tyre në produkt

-Respektimi në përdorim i karencës së pesticidit, përqindjes së lëndëve aktive përbërëse dhe dozave të rekomanduara për aplikim

-Ndalimi i plotë i pesticideve të dëmshëm

-Promovimi i “kontrollit të integruar” të sëmundjeve dhe dëmtuesve në bujqësi, si dhe promovimi i bio-bujqësisë

-Monitorimi i vazhdueshëm i mbetjeve të pesticideve në produktet ushqimore etj.

 

Prof. Dr. Ferdi BRAHUSHI
Departamenti Agromjedisit dhe Ekologjisë, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: