AbsolutVision - www.pixabay.com

Mbetjet dhe mënyrat e trajtimit të tyre

Shqipëria ka një problem të vazhdueshëm në lidhje me trajtimin e mbetjeve në shkallë vendi. Pavarësisht përmirësimit të trajtimit të mbetjeve kryesisht në zonat e mëdha urbane dhe administrimit të këtyre të fundit nga bashkitë e krijuara pas reformës territoriale të vitit 2014, përsëri kosto e këtij trajtimi në raste është e papërballueshme për njësitë vendore.

Në 6 vite (2013-2019), niveli i prodhimit të mbeturinave ka ardhur në rritje me pothuaj 20% ndërsa niveli i trajtimit të tyre është rritur në mënyrë të konsiderueshme kur në vitin 2019 , janë hedhur jashtë vendeve të grumbullimit rreth 8 herë më pak mbetje se në vitin 2013. Të njëjtin ritëm pozitiv ka patur edhe rritja e sasisë së mbeturinave të përdorura për prodhim energjie (rreth 10 herë) apo i atyre të ricikluara.

Trajtimi i mbetjeve është një procedurë e cila kërkon fonde publike për t’u përballuar. Si aktorët publikë ashtu edhe ata privatë, duhet që të përballojnë kosto për grumbullimin, trajtimin e mbetjeve, kosto të cilat duhet të paguhen më shumë nga prodhuesit më të rëndësishëm të këtyre mbetjeve (principi ndotës-pagues).

Megjithë përpjekjen e vendeve të zhvilluara për të konsideruar mbetjet si burime ekonomike dhe jo si kosto nëpërmjet procesit të riciklimit, sasitë e ricikluara të mbeturinave në vendet e BE dhe të përdorura për energji, nuk kalojnë 2/3 e sasisë totale të mbeturinave dhe në Shqipëri për vitin 2019 kjo sasi ishte 21%.

Diskutimi rreth përdorimit të mbetjeve për qëllime energjitike në Shqipëri është i hershëm dhe shumë shpesh i përdorur për qëllime të cilat nuk kanë të bëjnë as me çështje mjedisore dhe as me efektivitet ekonomik. Si fillim duhet theksuar se aktualisht në BE, rreth 45% (2018) e mbetjeve, përdoren për përftim energjie ndërsa në Shqipëri kjo sasi është shumë më e vogël, më pak se 1% për vitin 2019 dhe asnjëherë më e lartë se sa 3% e mbetjeve totale.

Diskutimi mbi përdorimin e mbetjeve për energji mbështetet në kostot e inceneratorëve dhe jo në përfitimet nga këta të fundit. Shumë shpesh këto kosto konsiderohen si abuzive duke harruar që në të vërtetë ky është një shërbim dhe për çdo shërbim duhet paguar. Llogaritja e kostove për ndërtimin e një inceneratori është shumë e vështirë megjithëse ekzistojnë disa formula empirike të cilat llogarisin se një incenerator me kapacitetin e përafërt me atë të Tiranës, kushton rreth 295 milionë USD. Në një industri si kjo e inceneratorëve duhet të kemi parasysh se jo gjithmonë teknologjia më e lirë është ajo më e mira dhe që ruan të pacënuara standardet mjedisore.

Edhe kosto që duhet të paguajë shoqëria për trajtimin e këtyre mbetjeve është e lartë. Kështu në vendet e BE, pagesa për ton mbetje të inceneruara shkon nga 30-40 Euro/ ton deri në më shumë se 80 Euro për ton. Sigurisht këto vlera duhet të merren në kushtet kur diferencat në të ardhurat mesatare midis Shqipërisë dhe këtyre vendeve janë të rëndësishme megjithatë duhet që të marrim në konsideratë faktin se kjo teknologji ka një nivel kostosh bazë të cilat janë pak të lidhura me vendin në të cilin instalohet teknologjia.

Në përfundim mund të themi se procesi i përdorimit të mbetjeve për prodhim energjie nëpërmjet djegies është një opsion i trajtimit të mbetjeve i cili duhet të përdoret pasi janë bërë të gjitha përpjekjet për riciklimin apo kompostimin e mbetjeve (të cilat nënkuptojnë një ndërgjegjësim shumë më të rëndësishëm të popullsisë dhe ndarje në burim të mbetjeve dhe kosto më të rëndësishme përpunimi), por pavarësisht të gjithave, prodhimi i energjisë nga mbetjet nëpërmjet djegies, është një mundësi e cila krijon shumë më pak probleme mjedisore se sa djegia në gjendje të lirë, groposja apo akoma më keq depozitimi abuziv.

 

Prof. Asoc. Dr. Fatmir Guri
Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Na Ndiqni në: