Kultivues të ullirit, është koha për ti kushtuar vëmendje, ‘Ecuria biologjike e mizës së ullirit(B.oleae) në ullishte’

Pse duhet mbrojtur fruti  nga miza e ullirit? 

  • Humbet prodhimin si rezultat i rrëzimit të parakohshëm të kokrrave;
  • Dëmtohet tuli i frutit nga larvat;
  • Prishet cilësia e vajit shkaktuar nga rritja e aciditetit;
  • Humbet cilësia e ullirit për tavolinë.

Insekti i rritur është një mizë me gjatësi 4 -5 mm, ka një palë krah dhe përgjithësisht është ngjyrë mjalti. Koka ështe me ngjyrë të verdhë në të cilën evidentohet shumë qartë sytë në ngjyrë të gjelbërt në blu. Krahët janë transparent me njollë ngjyrë kafe në pjesën apikale, pjesa e barkut ka ngjyrë gështenjë të hapur.Femrat diferencohen nga mashkulli nga ovopozitori dhe për dimensione më të mëdha në pjesën e barkut.

Veza ka formë cilindrike të zgjatur me gjatësi zakonisht 1mm.

Ajo vendoset kryesisht nën lekurën e frutit në një thellësi 1-3 mm.

Vezët vendosen zakonisht tek ullinjtë që kanë arritur një peshë 0.5-0.8 gr në vartësi të kultivarit.

 

Larvat, pa këmbë dhe me ngjyrë të bardhë të turbullt kalojnë tre stade përpara se të pupëzojnë. Stadi larvar zgjat rreth dy javë në vartësi të temperaturës. Koka është pothuajse e padukshme dhe dallohen vetëm mandipulat e transformuara, të cilat larva i përdor për ngrënien e tulit të frutit dhe për të lëvizur.

Pupa është eliptike me gjatësi 4-5 mm dhe me ngjyrë kafe të errët. Në fillim ka ngjyrë të verdhë.

Ecuria biologjike e mizës së ullirit për kushtet e vendit tonë 

  • Plotëson 3-4 brezni në vit;
  • Organi i prekjes është fruti;
  • Aktiviteti i vendosjes së vezëve fillon nga mesi i qershorit duke vazhduar deri në korrik;
  • Si rezultat i temperaturave të larta gjatë muajit korrik-gusht pëson frenim;
  • Rifillon vendosjen e vezëve në dhjetëditëshin e tretë të muajit gusht dhe vazhdon gjatë muajve shtator-tetor dhe në ditët e para të nëntorit;
  • Jetëgjatësia e insektit të rritur i kalon 6 muajt;
  • Periudha e vezëvendosjes varion nga 25-100 ditë duke patur shpeshherë periudha ndërprerje 5-6 muaj;
  • Insekti i rritur vendos disa qindra vezë;
  • Periudha e inkubacionit të vezëve varion nga 2-4 ditë në verë dhe 10-16 ditë në dimër;
  • Stadi i pupës zgjat nga 10-14 ditë në temperatura 25oC deri në tre muaj kur temperaturat zbresin nën kufirin e zhvillimit (7oC);
  • Kushtet klimatike luajnë një rol përcaktues në rregullimin e numrit të breznive. Normalisht çdo brezni zgjat 25-30 ditë;
  • Në vite të veçanta mund të zhvillohen edhe 4-5 brezni në vit;
  • Miza e ullirit dimëron si insekt i rritur ose si pupë në tokë.

 

Demostrim fushor për luftën biologjike ndaj mizës së ullirit


Për më shumë : Grackat ekologjike (Eco-Trap) për kontrollin e mizës së ullirit (Bactrocera oleae).

Përse duhet monitoruar miza e ullirit?

 

Prof. Dr. Shpend Shahini
Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

 

 

Na Ndiqni në: