JACLOU-DL - www.pixabay.com

Inseminimi artificial në bushtra

Informacion i përgjithshëm

 Në kushtet e shtimit të interesit për mbarështimin e kafshëve të shoqërimit ka ardhur në rritje dhe interesi për inseminimin artificial të bushtrave. Ka shumë arsye që një pronar të përzgjedhë inseminimin artificial ndaj ndërzimit natyral. Ndër arsyet kryesore është fakti se mashkulli dhe femrat jetojnë larg nga njëri-tjetri.

Përmirësimi i racave dhe kërkesat për raca të veçanta (gjuetie, vrapimi, nuhatje, force, etj), kanë intensifikuar përpjekjet për inseminimin artificial. Inseminimi artificial gjithashtu mund të zgjidhet për shkak të një diference të madhe midis madhësisë së mashkullit dhe femrës gjatë ndërzimit natyral dhe eksperiencës për t’u riprodhuar.

Shpesh ndodh që mashkulli ose femra mund të refuzojnë çiftëzimin. Agresiviteti ndaj partnerëve dhe pronarëve është një tjetër arsye. Gjithashtu inseminimi artificial i bushtrave shmang transmetimin e sëmundjeve veneriane apo infeksioneve të tjera gjatë ndërzimit natyral.

Disa raca si Doberman dhe Pinschers (meshkuj) shfaqin gjakderdhje prostatike pas ekspozimit ndaj një bushtre në afsh. Për realizimin e inseminimit artificial në bushtra përdoret materiali biologjik i freskët dhe i ngrirë. Pavarësisht avantazheve të inseminimit artificialnë në bushtra ekzistojnë edhe disa disavantazhe, si kostoja për marrjen, përpunimin dhe ruajtjen e materialit. Nevoja për pajisje speciale dhe eksperiencën e duhur të specialistëve që do t’a aplikojnë.

Në këtë përshkrim të shkurtër informues për të interesuarit që dëshirojnë t’i riprodhojnë bushtrat e tyre me këtë metodë, duke u ofruar disa njohuri bazë mbi aktivitetin riprodhues të bushtrave dhe inseminimin artificial trans-cervikal me spermë të ngrirë.

Disa të dhëna për ciklin estral në bushtra.

 Bushtrat janë kafshë monoestrale sezonale. Ato zakonisht shfaqin një afsh në vit gjatë sezonit të pranverës. Varësisht nga racat, kushtet e mbarështimit dhe pozicioni gjeografik, bushtrat mund të shfaqin dy cikle në vit (pranverë dhe vjeshtë). Cikli i pranverës është më fertil kurse ai i vjeshtës më pak fertil.

Racat trupmëdha dhe në zonat e ftohta shfaqin vetëm ciklin pranveror. Pjekuria seksuale (cikli i parë estral) tek bushtrat e reja është e lidhur me racën. Sot njihen më shumë se 200 raca qensh, të cilët janë të grupuar sipas peshës tupore (qen trupvogël, mesatar dhe trupmadh), sipas rolit që luajnë (sportiv, komunal, gjuetie etj). Në përgjithësi bushtrat e shfaqin afshin e parë në moshën 10- 12 muajshe, kurse në racat me trup të madh deri në 24 muaj. Bushtrat mund të futen në riprodhim (inseminohen ose ndërzehen) qysh në afshin e parë. Cikli estral zgjat mesatarisht 6 muaj dhe kalon nëpër këto faza.

1. Proestrusi. Kjo fazë zgjat mesatarisht 9 ditë dhe karakterizohet me një klinikë të qartë edhe për mbajtësin e bushtrave. Sekrecionet sero-hemoragjike nga vulva e bushtrës janë prezente gjatë gjithë proestrusit. Edema e vulvës është gjithashtu një tjetër shenjë klinike e kësaj faze. Bushtra nuk e pranon mashkullin për ndërzim nëse është në kontakt me të (thjesht e tërheq). Gjatë kësaj faze kemi një sërë ndryshimesh që lidhen me sjelljen e kafshës, organeve gjenitale dhe profilit hormonal. Profili hormonal dominohet nga estrogjenet. Citologjia vaginale ka prezencë të qelizave parabazale, intermediale, superficiale (nga fundi) eritrocite dhe neutofile.

2. Estrusi (afshi).  Ashtu si për speciet e tjera, afshi është faza kulmore e ciklit estral. Zgjat mesatarisht 9 ditë dhe ka disa shenja tipike si eksitimi seksual dhe pranimin e mashkullit për ndërzim. Gjatë afshit kemi ndalimin e gjakderdhjes, ndodh maturimi i folikulave, ovulimi dhe maturimi i ovulave. Bushtrat zakonisht ovulojnë 4-10 folikula Grafi. Në këtë fazë realizohet inseminimi artificial ose ndërzimi natyral. Profili hormonal i estrusit karakterizohet me pikun e HL, nivel në ulje të estrogjenit dhe rritje të nivelit të progesteronit. Citologjia vaginale dominohet nga qelizat superficiale (të keratinizuara > 90 %), bakterie dhe shumë pak eritrocite (dita e parë dhe e dytë).

3. Metaestrusi/diestrusi. Kjo fazë zgjatë rreth 90 ditë. “Fati” fiziologjik i kësaj faze është i lidhur me fekondimin gjatë inseminimit ose ndërzimit. Nëse bushtra fekondohet, (diestrusi/metaestrusi) përkon me fazën e barsmerisë e cila pasohet nga pjellja. Nëse bushtra nuk fekondohet, (diestrusi/metaestrusi) përkon me pseudobarrsmëri e cila pasohet me pseudopjellje. Profili hormonal dominohet nga niveli i lartë i progesteronit. Citologjia vaginale dominohet nga qelizat me bërthamë (intermediale dhe parabazale), ulet ndjeshëm prania e qelizave superficiale (< 20 %).

4. Anestrusi (faza e qetësisë seksuale). Zgjatja e kësaj faze është e lidhur me statusin që ka bushtra në metaestrus/diestrus. Kur bushtra është pseudobarrëse, anestrusi zgjat 70-90 ditë, kur bushtra është barrëse, anestrusi zgjat rreth 130 ditë. Profili hormonal është në nivelin bazal. Citologjia vaginale dominohet nga qeliza intermediale dhe parabazale.

Inseminimi artificial me spermë të ngrirë në azot të lëngshëm (metoda trans-cervikale).

 Për realizimin me sukses të kësaj metode kërkohet një bazë materiale si më poshtë: materiali biologjik (pajeta 0.5 ml), kateter për depozitimin e spermës tek bushtra (kateter tip Forly), hollues sperme (TRIS), ujë i ngrohtë, termometër, shiringë, lubrifikant, garza, doreza etj. Para inseminimit bëhet ekzaminimi gjinekologjik i bushtrës për statusin që lidhet me saktësinë e afshit dhe interpretimin e gjetjeve klinike, hormonale apo citologjisë vaginale që na orientojnë për momentin e IA.

Kur ky moment është përcaktuar nga inseminatori fillon procedura e inseminimit. Spermotubëza nxirret nga kontenieri me azot të lëngshëm (-1960 C) dhe shkrihet në ujë të ngrohtë me temperaturë 700 C për disa sekonda. Për një inseminim duhen 4 biotubëza 0.5ml (2.0 ml spermë). Materiali thithet me një shiringë ku i shtohen edhe 3 ml TRIS (totali 5 ml). Bëhet përgatitja e bushtrës për inseminim duke e vendosur në një stativ me pjesët e pasme të ngritura.

Pastrohet pjesa perineale, lubrifikohet dhe bëhet kalimi i kateterit ‘’Forlyderi’’ në fundin e vaginës. Kateteri ka dy kanale, njëri për kalimin e materialit gjenetik dhe tjetri për kalimin e ajrit. Maja e kateterit për depozitimin e spermës është 2-3cm më e gjatë. Ky depërton në qafën e mitrës dhe pozicionohet drejt mitrës. Kanali tjetër mbushet me rreth 30 ml ajër dhe merr formën e një balloni i cili pengon kthimin e spermës jashtë. Bashkojmë kateterin ‘’Forly’’ me shiringën me materialin gjenetik dhe i inokulojmë drejt traktit gjenital. Pas zbrazjes së spermës mbushim 10 ml ajër dhe e shtyjmë spermën akoma më në thellësi. Rreth 30 sekonda më vonë shfryhet balloni dhe nxirret jashtë kateteri. Bushtra lihet në këtë pozicion rreth 10 minuta që sperma të rrjedhë drejt mitrës.

Shkalla e suksesit gjatë inseminimit artificial në bushtra

Rezultatet e marra nëpërmjet inseminimit artificial (IA) krahasuar me ndërzimin natyral janë më të ulta në të dy treguesit; përqindja e fekondimit më e ultë dhe madhësia e çerdhes më e vogël. Kjo ndodh si rezultat i disa faktorëve. Gjatë ndërzimit natyral, sperma lëshohet me presion përmes cerviksit në mitër dhe ovidukte, ndërsa në IA, sperma vendoset në pjesën posteriore te qafa e mitrës (trans-cervikale). Gjatë ndërzimit natyral, kontraktimet e mitrës ndihmojnë në transportin e spermës.

Kjo gjë, është e pamundur në shumicën e rasteve gjatë inseminimit artificial (IA). Gjithashtu në ndërzimin natyral, kohëzgjatja e lidhjes (mashkull-femër) kontribuon në përmirësimin e niveleve të maturimit të folikulave, të ovulimit dhe fekondimit. Një përmbledhje e studimeve të ndryshme tregojnë se përqindjet e fekondimit  janë më të ulta pavarësisht se cilën nga metodat e inseminimit artificial përdorim në krahasim me ndërzimin natyral. Me ndërzimin natyral, rreth 80% deri 100%  e bushtrave fekondohen, ndërsa me inseminimin artificial me spermë të freskët, shkalla e fekondimit varion nga 62% deri 100%; kurse  me spermë të ngrirë shkalla e fekondimit është rreth 52 %  deri 60 %.

Madhësia e çerdhes gjithashtu është më e vogël me metodën e inseminimit artificial krahasuar me ndërzimin natyral. Sidoqoftë, në situata të ndryshme, ndërzimi natyror nuk është një opsion, prandaj inseminimi artificial si metodë alternativa me  potencialin dhe suksesin e tij.

Prof. Dr. Luigj Turmalaj
Departamenti i Moduleve Klinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: