Infeksione masive në kulturën e shegës. Domosdoshmëri marrja e masave të kontrollit për kufizimin e tyre

Nisur nga shqetësimet masive të fermerëve në zonat e kultivimit të shegës të cilat janë të infektuara me një game të konsideruar sëmundjesh, më poshtë ju përcjellim rekomandime mbi masat e kontrollit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë fermerëve në shkallë vendi.

Njollosje e frutit dhe e gjetheve (Cercospora punicae)

Simptomat

  • Njolla kafe të ndritshme mbi gjethe dhe fruta, të cilat bashkohen për të formuar pulla të mëdha të zeza mbi fruta.
  • Njolla të zeza eliptike mbi degë që bëhen të rrafshëta me buzë të ngritura. Degët e infektuara thahen. Ky infeksion mund të shkaktojë tharjen e krejt pemës.
  • Shkaktari: kërpudhë.
  • Shfaqja e sëmundjes favorizohet nga rreshjet dhe lagështia tokësore.
  • Periudha kur sëmundja shfaq agresivitet më të lartë është shtator deri në nëntor.

 

Menaxhimi i sëmundjes

Kulturale

  • Frutat e infektuar duhen hequr dhe shkatërruar.
  • Degët e infektuara duhen krasitur.

Kimike

  • Spërkatje me Hexaconazole 5 EC ose Propiconazole 25 EC ose Difenconazole 25 EC duke përdorur 1 ml për litër ujë.

 

  • Kalbëzimi i zemrës (Alternaria alternata)

Simptomat

  • Kalbëzim brenda frutit pa simptoma të jashtme.
  • Frutat e infektuar zakonisht janë më të lehtë në peshë se frutat e shëndetshëm.
  • Frutat e infektuar mund të jenë me ngjyrë më të zbehtë.
  • Shkaktari: kërpudhë.
  • Shfaqja e sëmundjes mund të jetë e lidhur me nivelin e lagështisë në kohën e lulëzimit.

Menaxhimi

  • Trajtimet para vjeljes përgjithësisht nuk janë efektive.
  • Kontrollli kultural mund të ndihmojë në menaxhimin e sëmundjes.
  • Kontrolli i pluhurave dhe heqja e frutave të vjetër dhe degëve të thara për të ulur agresivitetin e sëmundjes.
  • Shmangia e stresit ujor, sidomos e tepricës së ujit që shkakton plasaritjen e frutave.
  • Shmangia e paketimit të frutave të infektuara.

 Kontrolli kimik

  • Trajtimime Polyram duke e përdorur 250 ml për 100 litra ujë.

Antraknoza (Colletotricum gloeosporioides)

Simptomat

  • Shfaqen si njolla të vogla mbi gjethe, të rregullta ose të parregullta, me ngjyrë vjollcë në të zezë, me konture të verdha.
  • Gjethet zverdhen dhe rrëzohen në tokë.
  • Simptomat shfaqen edhe mbi lule.
  • Mbi frutat në zhvillim dhe ato të maturuara shfaqen njolla, të cilat fillimisht janë rrethore dhe më pas bëhen të çrregullta, me ngjyrë kafe në kafe të errët, duke e mbuluar frutin pjesërisht ose plotësisht, ku shfaqen edhe qullosje.
  • Pjesëza të sëmura; shfaqen me pikëza të zeza të cilat janë acervulat.
  • Sëmundja shfaqet agresive gjatë muajve gusht – shtator kur ka lagështi ajrore të lartë dhe temperaturat variojnë nga 20 – 27°C.
  • Burimi primar i infeksionit janë gjethet e infektuara. Ndërsa burimi sekondar i infeksionit, janë konidet që shpërndahen nëpërmjet erës.

Menaxhimi

Metoda kimike

  • Difenconazol 25 EC duke përdorur 25 ml preparat per 100 litra me spërkatje në intervale dy javore.
  • Ndër fungicidet e kontaktit, Polyram duke e përdorur 250 ml për 100 litra ujë.

Djegia bakteriale (Xanthomonas axonopodis pv. Punicae)

Simptomat

  • Shfaqja e një ose disa njollave të qullta, të çrregullta, me ngjyrë të errët mbi gjethe, duke rezultuar në rënien e parakohshme të gjetheve në rastet e rënda.
  • Patogjeni infekton gjithashtu edhe degëzat edhe bishtat, duke shkaktuar simptoma të plasaritjes.
  • Njollat mbi fruta janë me ngjyrë kafe të errët, të çrregullta, pak të ngritura, me pamje vajore të cilat çahen në formën e germës “L”, në rastet e rënda.

Menaxhimi

Kultural

  • Hapësirë e përshtatshme e rreshtave.
  • Fidanë të pastër nga infeksioni për mbjelljet e reja.
  • Krasitja e degëve të prekura dhe djegia e tyre dhe e frutave të infektuar.

Metoda kimike

  • Të kryhet spërkatje me përzierje bordoleze 1% para e pas krasitjes.

 

Vyshkja e shegës (Ceratocystis fimbriata, Fusarium oxysporum)

Simptomat

  • Bimët e infektuara shfaqin gjethe të zverdhura në degëza e degë, që shoqërohen me tharjen dhe rrëzimin e gjetheve. E gjithë pema thahet brenda disa muajsh ose një viti.
  • Kur pritet pema e infektuar dhe hapet në prerje për së gjati, duket indi drunor në ngjyrë kafe të errët në të përhimtë.
  • Burimi primar i infeksionit është në tokë, ndërsa burimi sekondar i tij janë konidet që shpërndahen nëpërmjet ujit. Sëmundja shfaqet më shumë në tokat e rënda dhe rritet me rritjen e lagështisë së tokës.

Menaxhimi

Kultural

  • Të mos lejohet qëndrimi i ujit por të krijohen kushte për kullim të shpejtë të tokës.

Kimik

  • Në fazat e para të kryhet me lagie shpërndarja e fungicideve: 2ml Propiconazole + 25 gr Polyram për 8 – 10 litra  ujë, duke përdorur solucion për çdo pemë.

 

Prof. Dr. Shpend Shahini
Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

 

Na Ndiqni në: