Çdo individ herët apo vonë vihet para pikëpyetjes së zgjedhjes së profesionit të tij duke krahasuar realitete të ndryshme të karrierës. Shpeshherë gjendemi përballë zgjedhjeve të tilla jo vetëm kur maturantët kërkojnë këshilla karriere por edhe pasi ata kanë përfunduar studimet e madje edhe kur kanë filluar punët e tyre të para.
Karriera është një angazhim në një eksperiencë pune që përfshin arritje dhe përparime bazuar në një nivel të lartë eksperience në një fushë të caktuar (C.Randall Poëell, 2003). Menaxhimi i karrierës është një proces i vazhdueshëm i planifikimit, organizimit dhe drejtimit të saj. Planifikimi i karrierës ndërtohet bazuar në tre koncepte kryesore:
Të planifikosh një karrierë të suksesshme do të thotë të integrosh në një pohim realist njohjen e vetëvetes me opsionet potenciale të karrierës në tregun e punës. Për këtë, duhet që në mënyrë plotësisht natyrale të kthejmë të menduarit në veprim konkret. Të kuptosh rëndësinë e planifikimit të një karriere të suksesshme, nuk është patjetër një projekt i madh, por është me siguri një udhëtim i gjatë me ndalesa dhe pushime.
Nëse çdo organizatë biznesi krijon strategji për të drejtuar të ardhmen e saj, atëherë përse individi nuk duhet të mendojë në mënyrë strategjike për të drejtuar objektivat e karrierës së tij?
Planifikimi i karrierës është një aktivitet kreativ dhe individual. Asnjë kompani sado e madhe dhe e fuqishme, nuk ju detyron të jeni pjesë e saj, por nga ana tjetër as ju, nuk mund të mbijetoni për shumë kohë i/e kënaqur, nëse nuk merrni përgjegjësi për veprimet tuaja të planifikimit të karrierës. Me realitetet e sotme të karrierës ku vihet re një jetëgjatësi në rënie e punëve apo pozicioneve të punës, presioni mbi individin për të planifikuar përshtatje ndaj ndryshimeve është i madh. Cikli i shkurtër i jetës së disa profesioneve mund t’ju vendosë lehtësisht në presionin e përshtatjes së opsioneve të karrierës tuaj. Gjithnjë e më shumë individi duhet të ndërgjegjësohet se planifikimi i karrierës nuk do të thotë thjeshtë “të kërkosh punë”, por të veprosh me një orientim afatgjatë. Të kërkosh punë është vetëm një pjesë e planifikimit të saj, konsideruar faktin se e ardhmja e individit nuk kufizohet në deklaratën e edukimit të tij formal. Koncepti gjerësisht i njohur si “të mësuarit gjatë gjithë jetës” (lifelong learning) vazhdimisht adapton kapacitetet dhe energjitë e individit.
Në zhargonin e karrierës ndeshemi me fjalë si punë, karrierë e planifikim, për të cilat aktiviteti i planifikimit merr kuptim konkret. Puna shpesh është një sinonim i kuptimit të suksesit dhe planifikimi i karrierës është një nënkomponent i planifikimit të jetës. Fokusi i planifikimit të karrierës, është t’i japësh vëmendje aktivitetit të punës dhe mjedisit të punës. Për këtë, analiza e një menaxhimi të suksesshëm fillon me njohjen e vetes dhe vlerësimit të saj. Qëllimi i një karriere të suksesshme, është të merrni vendime që do t’ju ndihmonin të fitonit pozicionin e dëshiruar të karrierës me edukimin tuaj, trajnimet, eksperiencat e mëparshme të punës, personalitetin, aftësitë, vlerat dhe interesat. Njohja e vetes është një proces i
strukturuar që sjell informacion rreth asaj se kush jeni ju, parë në këndvështrime të ndryshme. Bashkimi i të gjitha këtyre pjesëve, do të krijonte një pamje të plotë të vetes.
Eksplorimi i karrierës është hapi i dytë i planifikimit të një karriere të suksesshme. Cilat opsione karrierash janë të mundshme në përputhje me edukimin tuaj? Edhe pse vlerësimi i vetes do t’ju ndihmonte të përcaktoni disa pikësynime, sërish ka pengesa dhe opsione jorealiste. Të filloni eksplorimin do të thotë të listoni alternativat e ndryshme që ekzistojnë në tregun e punës. Më pas, për secilin prej tyre duhet të mblidhni informacion nga burime të ndryshme.
Kërkimi i punës është hapi i fundit i cili do t’ju lidhë me punëdhënësin tuaj të ardhshëm. Procesi i kërkimit të punës është mjaft dinamik në një botë me ndryshime të forta teknologjike, rritje të forcave të punës dhe mundësive. Të kërkosh punë do të thotë të bindni të tjerët se duhet t’ju punësojnë ju, se qëllimet tuaja përputhen me ato të organizatës ku do të punoni. Shpesh, shumë njerëz e shikojnë kërkimin e punës si një kërkim të thjeshtë për një vend punësimi, por kjo qasje është e pamjaftueshme për ta përshkruar atë si duhet.
Të kërkosh punë është një “aktivitet shitjeje” dhe për të shitur duhet të identifikojmë një nevojë dhe ta plotësojmë atë duke kënaqur konsumatorin. Për këtë duhet të takojmë interesat dhe nevojat e punëdhënësit me ato të punëmarrësit. Ky pohim e nxit individin të kërkojë punëdhënësin e duhur dhe të përshtasë karakteristikat e tij me ato të organizatës. Kërkimi i punës është po ashtu edhe një proces vendimmarrës, i cili do të kërkojë shpesh angazhime nga ana juaj. Para individit shpesh do të vijnë sfida që lidhen me detyra rutinë, orë të zgjatura pune, drejtues kritikë, bashkëpunëtorë konkurrues, buxhet i vogël për arritje të objektivave, padrejtësi, sfida të tilla si të punosh me kolegë dhe jo miq, mund të hasni mosvlerësim të punës, punë individuale dhe jo frymë grupi, vendimmarrje të paqarta, presion për arritje objektivash etj. Por a jeni të përgatitur për t’u përballur me të gjitha këto?
Organizatat në mënyrë të vazhdueshme janë në proces riorganizimi, përfshirjeje të teknologjive të reja të cilat kërcënojnë pozicione pune që realizoheshin më parë nga individi. Të gjitha këto marrin përgjigje me rëndësinë që merr planifikimi i karrierës dhe menaxhimi e saj.
Për krijimin e mundësive të suksesshme ҁdo individ duhet të vlerësojë 10 urdhëresat e karrierës:
- Menaxhoni karrierën tënde. Fokusimi vetëm në përpjekjet tuaja mund të mos mjaftojë prandaj përpiquni të influenconi vendimmarrjet e të tjerëve për ju.
- Bëhuni të dukshëm. Bëhu i dukshëm në media (platforma, media sociale, ëeb) ku aftësitë e tua të vihen re nga zhvilluesit e karrierës ose organizatat e biznesit.
- Krijoni një vlerë për veten. Të jesh modest është një gjë shumë e mirë por në mjedisin e punës shpesh të jesh modest, nuk është gjithmonë rruga e duhur.
- Jepini rëndësi promovimit. Shmang pozicione që nxjerrin në pah dobësitë tuaja dhe aktivitete që janë jashtë fushës suaj të interesit.
- Filloni të mendoni për ndryshim të punës. Kur drejtuesi juaj nuk ka menduar t’ju promovojë në një periudhë 3-5 vjeҁare, filloni të mendoni se duhet të kërkoni për një punë tjetër.
- Evitoni specializimet. Mos bini në kurthin e një pune shumë të specializuar e cila kufizon sferat tuaja të influencës.
- Ndërmerrni veprime të zgjuara. Ndërtoni aleanca dhe luftoni, por evitoni beteja me superiorët e rëndësishëm.
- Shmangni të qënurit i padobishëm. Kërkoni arsyet se përse njerëzit nuk do të donin t’ju promovonin ju.
- Të jeni i marketueshëm. Lëvizjet tuaja profesionale rrisin mundësitë dhe impresionin që organizata krijon për vlerat tuaja.
- Vlerësoni veten rregullisht. Matni vlerat tuaj personale për të vlerësuar nëse po sakrifikoni shumë për organizatën.
Këto dhjetë urdhëresa të karrierës ndihmojnë në dallimin midis suksesit dhe dështimit në punë. Gjithsesi këto ide nuk zëvendësojnë kërkesat e ҁdo punëdhënësi për punonjësit e tij të cilat përmblidhen në aftësi në të menduar, pjekuri dhe motivim.
Prof. As. Dr. Eda Luga
Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Departamenti Drejtim Agrobiznesi, UBT.
*Përshtatur nga: Career Planning Strategies: Hire Me! 5th Edition, me autor C. Randall Powell.