Universiteti Bujqësor i Tiranës, Fakulteti i Bujqësisë e Mjedisit organizoi pak ditë më parë në ambientet e Fermës Didaktike Eksperimentale në Valias, Tiranë, Ditën Fushore me temë “Praktikat e mira bujqësore”.
Organizuar dhe ideuar si një aktivitet demostrues, kreativ, informues dhe mbi të gjitha mjaft praktik për specialistë të fushës, profesorë e pedagogë, studentë, agronomë, fermerë, blegtorë e të tjerë, ‘’Dita Fushore’’ mblodhi në terren shumë të pranishëm të cilët ndanë mes tyre opinionet apo eksperiencat respektive ndër vite. Në parcelat e mbjella me një sërë kultivarësh të ullirit, Prof. Dr. Fadil Thomaj demostroi modele të mira të mënyrave të ndryshme të krasitjes në pemën e ullirit.
UBT nëpërmjet kësaj ferme, siguron për punonjësit, studentët e vizitorë të ndryshëm edhe larmishmëri pajisjesh e mjetesh pune, mjaft të domosdoshme në bujqësi.
Ferma Didaktike Eksperimentale (FDE) është njësia e zbatimit praktik të njohurive teorike të mara në të gjitha programet e studimit që ofrohen në UBT me vendndodhje në Valias. Ajo është në funksion të të gjitha njësive kryesore të Universitetit Bujqësor të Tiranës për zhvillimin e praktikave mësimore, profesionale, temave të diplomave të studentëve dhe kërkimit shkencor në funksion të programeve të doktoraturës.